Ballina Ravijëzime Me gjuhën shqipe duhet të merremi të gjithë

Me gjuhën shqipe duhet të merremi të gjithë

Nga  Ibrahim  Hajdarmataj  – Kryetar i OJF  “Mësuesi”

Shkak për  këtë shkrim  u bë shkrimi i akademikut  Prof.Dr. Emil Lafe, i cili pak kohë  më parë botoi në ”Gazetën Shqiptare” shkrimin: ”Plaga e mahisur  e kulturës gjuhësore  në universitet”, i cili komenton shkrimin e Helena  Halilaj .

Me sa kuptoj  unë këto shkrime  të ndihmojnë se  me gjuhën shqipe  duhet  të merremi  të gjithë në mënyrë që të kemi  sukses në të ardhmen. Kërkesa  e  Prof. Emilit për futjen  e gjuhës shqipe në fakultetet e ndryshme  është plotësisht me  vend  dhe  e domosdoshme, jemi të gjithë dëshmitarë të një realiteti të hidhur në praktikën e përditshme ku studentët  e diplomuar  dhe  bile me master  po t`ju lexosh  një shkresë zyrtare  të përpiluar  nga ata për secilën  faqe gjen  gabime  gjuhësore  të theksuara, e kam fjalën për ata të drejtësisë, mjekësisë etj.

Profesori  me  të drejtë kritikon  teksktin ”Psikologjia gjyqësore ”, me gabime të shumta gjuhësore, por le të ndalemi  sidomos tek tekstet e përkthyera, të cilat  nga  paaftësia  e përkthyesve arrihet deri atje që të ndryshohet  edhe kuptimi i tyre.

Ka ardhur  koha që përkthyesit  të jenë të licensuar nga Ministria e Arsimit. Gjithashtu Ministria e Arsimit  duhet të marrë masa  për botimin  e gazetës ose të revistës  ”Mësuesi” dhe revistës ”Gjuha  jonë” të cilat janë shumë të domosdoshme  për nxënësit, studentët, mësuesit dhe profesorët .

Më zgjohet kujtesa kur vite më parë isha drejtor gjimnazi  ku kam zhvilluar disa takime  pune  me mësues e nxënës  në gjimnazet  e Gjakovës, Pejës, Prishtinës në Kosovën e pas luftës, në biseda  me kolegët  më tregonin për  tekstet  e gjuhës shqipe  dhe plan programet që zhvillonin ata, ndërsa unë heshtja, sepse në Shqipëri  në gjimnaze zhvillohej gjuha angleze, italiane apo gjermane ndërsa gjuha shqipe jo. Me të drejtë Ministria e Arsimit e futi në plan programe dhe  tekste për t`u mësuar gjuha shqipe, besoj se nuk është e nevojshme  për koment të mëtejshëm.

Gjithashtu lind nevoja e thirjes së një Kongresi  për gjuhën shqipe .

Përfundimisht  me  gjuhën shqipe duhet  të merremi  të gjithë.

Me të drejtë akademiku Prof .Dr .Emil  Lafe  thekson :-“Gjuha nuk pranon  shkujdesje, nuk pranon të trajtohet  si gjë e zakonshme. Gjuha  ka nevojë të mbrohet, të ruhet si gjë e shtrenjtë e të parëve.Gjuha  është shenjë e qytetërimit të një populli, sepse mënyra  se si  sillet  njeriu me gjuhën, tregon kulturën e tij ”.