TRE LUFTËTARËT DIBRANË QË DHANË JETËN PËRKRAH MUJO ULQINAKUT ME 7 PRILL 1939

Nga Sakip CAMI – TIRANË

Pranë kullës së Kalasë së Durrësit ndodhet një Memorial me mbishkrimin: “ “ Lavdi Dëshmorëve të Atdheut që ranë më 7 prill 1939, Mujo Ulqinaku (Hero i Popullit), Hamid Dollani, Haxhi Tabaku, Isak Metalia, Ismail Reci, Hysen Koçi, Ramadan Veliu dhe Ibrahim Osmani. Jo të gjithë dinë për jetën e këtyre dëshmorëve dhe heronjve. Tre janë nga Dibra. Për Ibrahim Osmanin nga fshati Bllacë e Dibrës nuk është shkruar asnjëherë. Për Ramadan Veliun nga Homezhi i Dibrës është shkruar pak. Për Isak Metalinë nga Strikçani i Dibrës është shkruar herët dhe tani është harruar. Edhe Mujo Ulqinaku nuk kujtohet rregullisht as me 7 prill. Ata dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën. Ç’mund të bënin më tepër ?

KRONIKA E 7 PRILLIT 1939

Sipas “Historia e popullit shqiptar” botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (v. III, 2007), zbarkimi fashist filloi në orën 4:30 të mëngjesit, dhe vetëm mbas orës 9:00 të mëngjesit italianët hynë në Durrës. “Qëndresa u bë edhe në Rrashbull e te Shkëmbi i Kavajës “. Italianët lanë në Durrës mjaft të vrarë dhe të plagosur. Edhe nga shqiptarët pati të vrarë e më shumë të plagosur”. (f.368)
“Në Shëngjin, luftëtarët shqiptarë thyen dy përpjekje për të zbarkuar… Edhe gjatë rrugës për në Lezhë, në Bushat, Barbullush, Bërdicë dhe Beltojë e në hyrje të qytetit të Shkodrës, pushtuesit ndeshën në një qëndresë të fortë… si dhe në Koplik dhe gjetkë…” (ASHSH. f.368- 9). Ndërsa në Vlorë, komandanti i kompanisë u vra…

Prof. Berndt Fischer, në librin “Shqipëria në luftë 1939-1945” , botim i vitit 1999, shkruan: “…Më 7 prill 1939, rreth 22 000 ushtarë të mbështetun me afërsisht 400 aeroplana lufte, 300 tanke të lehta dhe disa duzina luftanijesh, sulmuan Durrësin, Vlorën, Shëngjinin dhe Sarandën… Xhandarmëria e Durrësit, nën drejtimin e komandantit Abaz Kupi, megjithëse nën presion të madh numerik dhe e paisun vetëm me nga 50 fishekë, zmbrapsi me sukses sulmet e para… Kupi dhe luftëtarët e tij u mundën vetëm nga numri i madh (italian) dhe mbasi i shkaktuan nji numër të konsiderueshëm viktimash, u tërhoqën në qytet… Luftimet në qytetin e Durrësit zgjatën dy-tre orë. Simbas tregimeve të vendësve, në Durrës u vranë rreth 400 italianë. Italianet raportuan vetëm 12 të vramë gjatë gjithë invazionit…. Sipas Fischer, kryekëshilltari i ministrit fashist G. Ciano, Filippo Anfuso, ka deklaruar: “Sikur shqiptarët të kishin pasur një brigadë të armatosun mirë, do të na kishin hedhë në Adriatik”.
Në këtë luftë ra heroikisht Mujo Ulqinaku, i cili u bë dëshmori i parë i atdheut në luftë kundër pushtuesit fashist. Me armë në dorë u pritën pushtuesit edhe në Vlorë, në Shëngjin, në Lezhë, në Shkodër, te Ura e Bahçallëkut etj. (f.292

LUFTËTARËT E RËNË NË DURRËS

Ndërmjet tetë dëshmorëve të rënë në Durrës ishin tre dibranë, punëtori Isak Metalia dhe ushtarët Ibahim Osmani, 20 vjeç dhe Ramadan Veliu 24 vjeç.

Isak Metalia, me kësulën e bardhë karakteristike dibrane dhe me mustaqet me majë kishte rënë në sy të qytetarëve durrsakë. Kishte lënë fshatin e tij të lindjes, Strikçanin e Dibrës dhe kishte shkuar emigrant brenda vendit të tij për të siguruar bukën e gojës dhe të fëmijëve të tij. Ai kishte lënë në fshat tre fëmijë dhe gruan e tij dhe prej vitesh punonte si hamall në Portin e Durrësit. Porti kishte punë për ngarkim e shkarkim anijesh që kishin si destinacion Italinë.

Prilli i vitit 1939 e gjeti punëtorin Isak Metalia në port, por këtë herë jo për të punuar, por për të luftuar. Që më 6 prill 1939 qielli shqiptar u mbush me aeroplanat luftarakë italianë. Isaku me shokët e tij vrapuan që të armatosen, por armët nuk i morën në gazermat e ushtrisë, por tek populli i Durrësit sepse ushtria ishte çarmatosur me urdhër.

Qyteti ishte shkretuar. Kishte marrë një pamje të vdekuri. Njerëzit vraponin drejt shtëpive si të lemerisur. Lemeria pritej të vinte. Kur do të arrinte në qytet ? Kur do të zbarkojë ushtria italiane? Kur do të nisë pushtimi? Sa forca do të jenë? Ku do të gjejmë armë? A mund të përballohet perandoria e Duçes?

Mbreti e kishte mendjen tek e shoqja lehonë dhe tek djali i sapolindur. Vendi ishte i pambrojtur. Qyteti në tërësi. Topat ishin pa gjylpana. Pushkët ishin pa shula. Ushtarët e ushtrisë kombëtare nuk ishin më ushtarë.

Në horizont dëgjohej kënga patriotike:

O djem rrëmbeni pushkët

Ja vdekje, ja liri…

Më tej shpërthenin thirrjet: Armë, armë, duam armë…. “Unë e kam nda mendjen me luftue për vendin tim. U thoni fëmijëve të mi se vdiqa për Shqipërinë” Këto janë fjalët e Isak Metalisë para vdekjes.
Mujo Ulqinaku me marinarët e tij i ndanë armët që kishin në dispozicion. Civilë nga më të ndryshmit, të moshave dhe të pamjeve të ndryshme rrinin në rradhë duke pritur për armë. Vullnëtarët në qytet qarkullonin me armë në duar. Edhe armët ishin të të gjitha llojeve. Fshatari 49 vjeçar Isak Metalia mbante një pushkë në duar dhe disa fishekë në xhepa. Ai kishte nxituar kur u hapën depot e armëve dhe kishte rrëmbyer një pushkë. (Mujo Ulqinaku, monografi nga Moikom Zeqo faqe 173)
Jeta për Isakun kishte qenë tepër e vështirë si në fshat edhe këtu në Durrës. Për vite me rradhë nuk kishte arritur të kursente aq lekë sa i nevojiteshin, por vetëm për të mbijetuar. Dita e 7 prillit 1939 e gjeti Isakun në pozicion luftimi pranë shokëve të tij. Ai kurrë nuk e vuri vehten në dilemë. “Atdheu duhet mbrojtur. Kjo është më e rëndësishme.” Kjo ishte deviza e tij.

Isaku kishte zënë vend në rrugicën prapa Bankës, ngjitur me ndërtesën ku Princ Vidi kishte ushtruar funksionet e tij në vitin 1914. Furrxhinjtë e kësaj rrugice shpërndanin bukë falas për luftëtarët. Në këtë rrugicë një skuadër italiane vrau dy furrxhinj që kishin shpërndarë bukë të ngrohta për luftëtarët shqiptarë. Majori italian që i drejtonte ishte plagosur dhe kishte filluar vrasje në masë. Në Lagjen e Kalasë rezistonin shumë vullnetarë shqiptarë, midis tyre edhe Isak Metalia. Isaku nga dritarja e një shtëpie, ku kishte zënë pozicion vuri re ardhjen e të burgosurve që kishin shpërthyer burgun dhe u bashkua me ta. Ai luftonte nga një dritare në tjetrën. Fashistët italianë ishin të shumtë në numër dhe të armatosur më së miri. Për ballë tyre luftonte Isaku me shokun e tij. Dy kundër dhjetrave. Isaku shprehej:”Shqiptarët nuk e kanë zakon me u dorëzuar.

Pas pak kohe sipër shtëpisë fluturoi dhe bombardoi një aeroplan Italian. Shtëpia mori flakë. Isaku bashkë me shokun e tij që nuk e njohu as ai vetë se kush ishte, mbetën mes flakëve.
Ndërmjet të rënëve të 7 Prillit 1939 kanë qenë Isak Metalia, Ramadan Veliu dhe Ibrahim Osmani nga Dibra. Emri i tyre është shkruar me gjakun e tyre në memorialin e Durrësit bashkë me shokët e tjerë Hamid Dollani, Haxhi Tabaku, Hysen Koçi, Ismail Reçi dhe kapterin Mujo Ulqinaku.