Cristiano Ronaldo vazhdon ta shkruajë emrin në librat historikë të Ligës së Kampionëve.
Superylli Real Madridit realizoi dy gola në ndeshjen çerekfinale kundër Juventusit duke vazhduar ta ngrejë rekordin e tij golashënues.
Për më shumë, ai vazhdoi ta dëshmojë veten si lojtar kryesor kur është fjala për garën më të madhe evropiane për klube.
Ronaldo vazhdon të jetë golashënuesi më i mirë në histori të Ligës së Kampionëve dhe po ashtu është golashënuesi më i mirë për sezonin 2017/2018 (me 14 gola).
Me dy golat e shënuar, ai e ngriti në 39 numrin e përgjithshëm të golave të shënuara në të gjitha garat këtë edicion.
Portugezi i ka shënuar nënta gola kundër Juventusit në Ligën e Kampionëve, gjë të cilën nuk ka arritur asnjë lojtar kundër një ekipi të vetëm.
CR7 tani është lojtari i vetëm në histori i garës më të madhe evropiane, i cili ka shënuar gola në 10 paraqitje radhazi.
Reali po e kërkon trofeun e tretë radhazi të Ligës së Kampionëve, ndërsa Ronaldo do të shpresojë që ta ngrejë akoma më shumë rekordin golashënues dhe ta fitojë trofeun e pestë të Ligës së Kampionëve.