DIPLOMACIA PUBLIKE

Studim nga Alban BËRBATI –Pejë, Kosovë

Në historinë e diplomasicë, diplomacia publike është tipar i kohëve  moderne, në mënyrë të veçantë mbas  Luftës së Parë Botërore deri në kohët tona. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacia publike ose ndryshe e quajtur diplomacia e popullit në kuptimin më të gjerë është komunikim me publikun e huaj për të ndërtuar dialogun e projektuar për informim dhe ndikim.

Diplomacia publike është pjesë e diplomacisë, e cila ndryshon nga diplomacia tradicionale për arsyen se përfshin në vetvete bashkëveprimin jo vetëm me qeveritë, por edhe me individët apo organizatat jo qeveritare. Synimi i diplomacisë publike është promovimi i interesave kombëtare të një shteti, përmes informimit të audiencës së huaj, me qëllim ndikimin e saj.

Termi ”diplomaci publike” është përdorur për herë të parë më 1965 nga Edmond Gullion, një diplomat karriere i  Shteteve të Bashkuara dhe më pas dekan i Fletcher School of Law & Diplomacy në Tufts University, kur ai krijoi në këtë universitet  Qendrën për Diplomacinë Publike “Edward R.Murrow”. Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara e përkufizon termin “diplomacy publike” si  “programe të sponzorizuara nga qeveria, të cilat kanë për qëllim të informojnë apo të influencojnë opinionin publik në vende të tjerë”.

Te konceptimi i diplomacisë publike dallojmë tre veçori esenciale të saj:

Së pari, diplomacia publike është transparente dhe e shpërndarë gjerësisht, në dallim nga diplomacia zyrtare, e cila është opake dhe bëhet nga institucione dhe me instrumente të përcaktuar mirë.

Së dyti, diplomacia publike transmetohet prej çdo qeverie për një publik të gjerë, apo në raste të veçantë, për një publik të zgjedhur, ndërsa diplomacia zyrtare transmetohet nga qeveria e një vendi të dhënë qeverive të vëndeve të tjerë.

Së treti, ndërsa problemet dhe çështjet për të cilat preokupohet dhe me të cilat angazhohet diplomacia zyrtare kanë të bëjnë me sjelljen dhe politikat e qeverisë, çështjet dhe problemet me të cilat preokupohet diplomacia publike kanë të bëjnë me sjelljen dhe qëndrimet e publikut të gjerë jashtë vëndit apo të segmenteve të caktuar të tij.

Për herë të parë në Kongresin Amerikan, termi “diplomacia publike” u shfrytëzua në vitin 1977 në raportin e Komisionit Mërfi për strukturimin e aparatit të politikës së jashtme, ndërsa më përpara ky koncept u percaktua si “diplomacia kulturore”, ”diplomacia e re” , apo “dimensioni i katërt i politkës së jashtme”. Siç theksoi në seancën dëgjimore në Kongresin Amerikan në vitin 1986 kreu i komitetit për çështjet e jashtme, D. Fossell: “Diplomacia publike qenë prezente në marrëdhëniet ndërkombëtare në të gjitha kohërat, asaj thjeshtë i është dhënë një emërtim i ri, për shkak të mospërcaktimit mjaftueshmërisht të qartë të saj”.

Sipas studiuesit kanadez Evan Potter diplomacia publike është përpjekja e qeverisë së një vendi për të influencuar opinionin publik ose elitën e një vendi tjetër me qëllimin për të kthyer politikën e jashtme të atij vendi në avantazhin e saj. Diplomacia publike është po ashtu një ushtrim përpjekjesh dhe influencash që shtrihet përtej diplomacisë tradicionale duke përfshirë një numër shumë të madh “lojtarësh”, brenda dhe jashtë qeverisë, që angazhohen për audiencat publike të brendshme dhe të jashtme.

Jan Melisen, ekspert i Diplomacisë Publike, argumenton se Diplomacia Publike mund të shihet si një “instrumentalizim i fuqisë së butë (soft power)”. Diplomaci publike do të thotë të influencosh të tjerët, dhe është përmes marrëdhenive të komunikimit dhe besueshmërisë, si instrumente të fuqisë së butë, me të cilat fitohet ky besim dhe nga ku varet imazhi pozitiv publik i një vendi. Melissen thekson se ka ikur koha kur politika ndërkombëtare formësohej më së shumti prej udhëheqësve politikë dhe një grushti zyrtarësh të lartë. Si rrjedhojë, as diplomacia nuk është më një botë e mbyllur diplomatësh dhe përfaqësuesish të tjerë qeveritarë.

Profesori i Universitetit të Harvardit, autori i konceptit të “pushtetit të butë-soft power”, Joseph S.Nye, sipas vlerësimeve të tij, diplomacia publike është një ndër metodat më efikase të rritjes së potencialit të “pushtetit të but”’. Roli kryesor në realizimin e saj i përket burimeve të informacionit dhe kontrollit ndaj tyre.

Sipas këtij autori, ekzistojnë tre dimensione të diplomacisë publike:

1.-Komunikimi i përditshëm, përmes së cilit sqarohet thelbi i vendimeve të politikës së brendshme e të jashtme të një shteti. Në këtë dimension përfshihet edhe përgaditja për luftën me krizat. Në rastin e ekzistencës së vakuumit të informacionit pas një çështjeje të caktuar, kontrollin mund ta marrin të tjerë lojtarë të arenës ndërkombëtare.

2.-Komunikimi strategjik,që nënkupton diskutimin e temave më të rëndësishme politike për një vend të caktuar, që kanë lidhje me fushatat politike apo ato të reklamave.

3.- Zhvillimi i marrëdhënieve me individë të një një shteti të huaj, me ndihmën e bursave, programeve të shkëmbimeve ndërshkollore, seminareve, konferencave dhe aksesit në kanalet e informimit publik. Ky dimension cilësohet hapi i fundit vendimtar i Diplomacisë publike, që nënkupton komunikimin individual, të bazuar në një nivel të lartë besimi, duke krijuar marrëdhënie të ngushta.

Sipas mendimit të një sërë studiuesve, lënda e parë e Diplomacisë publike janë: kultura, vlerat kombëtare, politika e jashtme dhe e brendshme e një vendi. Vetëm në kushtet e ekzistencës së një niveli të mjaftueshëm të sharmit, aftësisë së tyre për të tërhequr vëmendjen apo për t’u pranuar nga auditori i huaj, metodat e Diplomacisë publike lejojnë formimin e rrethanave të përshtatshme të promovimit të tyre në auditorin e huaj. Në të kundërt mund të sjellin një rezultat të kundërt.

Përdorimi i diplomacisë publike, mëton të krijoj partneritet dhe bashkëpunim ndermjet vendeve, ndërsa masat e saj depërtojn si në vendet e hapura ashtu edhe në ato të mbyllura

Vendet synojnë përfitime në raportet e tyre me opinionet e jashtme, duke i nisur që nga ato politike, sigurimit të paqes dhe sigurisë ekonomike si investime të huaja, shkëmbime tregtare apo rritjen e eksportit, turizmit e deri të konsumimi i produkteve kulturore. Sipas këshillit amerikan për marrëdhënie të jashtme, diplomacia publike është pjesë përbërëse e politikës së jashtme. Ajo nuk vendos për politikën e jashtme të një vendi, por merret parasysh gjatë marrjes së një vendimi. Në këtë mënyrë, diplomacia publike arrin të ndihmoj percaktimin optimal dhe efektiv të politikës, njëkohesisht duke shpjeguar se si ajo arrin të harmonizohen vlerat dhe interest e kombeve të tjera.

                                                                    Diplomacia publike e SHBA

Misioni i saj ka qenë që të kuptojë, informoj dhe ndikojë në publikun e jashtëm në sektorin e politikës së jashtme për të promovuar interesat kombëtare amerikane dhe të rrisë dialogun ndërmjet institucioneve amerikane dhe amerikanëve më kundërshtaret e tyre në botën e jashtme. Objektivat e saj kanë qenë që të shpjegojë dhe të mbështesë politikat amerikane në mënyrë të besueshme dhe domethenëse për kulturat e huaja, për të furnizuar persona, vlerat dhe institucionet me ndikim politik me informacione për politikat zyrtare amerikane, për të derguar të mira materiale ndaj qytetarëve amerikanë dhe institucioneve të punësuar, të cilët do të krijonin lidhje të forta me homologët e tyre përtej detit, për të këshilluar presidentin e qeverinë dhe përgjegjësit politik me qendrimet e huaja të cilat qëndrime do të kishin ndikime direkte ndaj efikasitetit të politikave të SHBA-së në ato vende.

Dimensioni me i rëndësishëm është ai diplomacisë kulturore amerikane. Filmat e Hollivudit, muzika Jazz, shkëmbimet kulturore etj, luajnë një rol mjaft të rëndësishëm në krijimin e marrëdhënieve afatgjata.

Sa u takon mediave, përveç  “Zërit të Amerikës”, Radio  Free Europë,  Radio Liberty, RTV Marti, të cilat menaxhohen nga një bord pranë Departamentit të Shtetit, edhe CNN në bazë të ndikimit që ka luan rol në realizimin e politikës së jashtme amerikane, por ka efekte edhe në diplomacinë publike.

Ndërhyrja amerikane në kriza të ndryshme humanitare krijon një diplomaci publike, sepse qëllimi i ndërhyrjes është apo proklamohet të jetë, për arsye humanitare, siç ka ndodhur në dekaden e fundit të shekullit të kaluar në Somali, Ruanda, Bosnjë, Kosovë. Studiuesit nuk kanë dhënë një përkufizim të qartë se çfarë nënkuptohet me efektin CNN, ndërsa Strobel e përdorë këtë etiket më shumë në rastet kur ai lëviz politikën e vendeve të fuqishme për të gjetur një zgjidhje për një konflikt ndërkombëtar.

                                                                     Diplomacia publike britanike

Britania ka institucione efektive në botë të diplomacisë efektive. BBC vazhdimisht i tejkalon rivalet e saj për sa i përket mbulimit, ndikimit dhe reputacionit. Britania ka edhe institucione të tjera përveç Këshillit Britanik, të cilat merren me diplomaci publike, si organizata turistike britanike, fondacioni westminister,  etj.

Institucionet britanike i kanë të ndara kompetencat e të tre dimensioneve të diplomacisë publike. FCO merret me menaxhimin e lajmeve së bashku me Këshillin Britanik, BBC-në dhe bashkërisht drejtojnë edhe aktivitetet për krijimin e marrëdhënieve politike dhe kulturore. TPUK luan këtë rol në sferën ekonomike.

Britania e Madhe ka të zhvilluar edhe diplomacinë e partive politike, me këmbimin e përvojave politike me parti të tjera në botë, debate për vlera të përbashkëta dhe universal, etj. Shkëmbimet e tjera gjithashtu nuk mbeten prapa, por përfshihen edhe gazetarë, biznemenë, nga sektori publik, pakicat kombëtare etj. Të gjitha këto profile profesionale, kuptohet që pasi të kthehen në vendin e tyre, besohet se luajnë rolin e liderit lokal të opinionit, në shtrirjen e diplomacisë publike britanike.