AGIM HYSNI RAMADANI

Baladë nga poetja Rajmonda Maleçka – veterane e Luftës së Kosovës

Hëna e Gjilanit pik musht dëshire,
Për djalin që hënën e zbriti në tokë,
Me penel pikturoi ujëvarat ndër trille,
Tek vetmitar, bohem ikte nëpër Botë.

Shtatë vllazën e motra, nji grigjë dashurie,
Kacafyt me shkjaun n’log të burrërisë,
Hëna, vizatim i keqpërdorur fëmije,
Kërkon një shteg n’atë cep të Ilirisë.

Qielli pyet dëshirat e qashtra të luftëtarit,
Buka e premtimit thyhet në llogore,
Bataret e fitores të shkrehen te varri,
Por ti je ende në ëndrrën tënde prore.

Ende pikturon dhimbjen e fëmijës,
Që iu shterën lotët n’delirë vrastare,
Tek kosa e vdekjes kosit barin e shpresës,
Dhe dielli poetik vret virusin ndër imazhe.

“Një jetë tjetër”, preludi yt poetik
Vjen tek bashkëluftëtarët, hije vetëtimash,
Tani nuk të vret dot asnjë shkja, armik,
Tek bari i lirisë rritet rrëzë lëndinash.

Tani është vonë, duhet të fleshë, vëlla,
Por ëndrra vazhdon, në një tjetër jetë,
Ti kthehu , të lutem, kthehu vetëm pak,
Ule prap hënën në “natyrë të qetë”…

_____

Agim RAMADANI – Hero i Kosovës, ish komandant i Luftës së Koshares në Kosovë.