VDEKJA E AGIM KARAGJOZIT LA NJË ZBRASTËSI TË MADHE NË KOMUNITETIN TONË

Vdekja e Agim Karagjozit është një humbje e madhe, sepse ai ishte shtyllë për Komunitetin tonë shqiptaro-amerikan. Mund të them se të rrallë janë ata njerëz që nga rinia e hersheme e deri në vdekje, do të thotë mbi 70 vite, t’ i jetë përkushtuar çështjes shqiptare, siç ishte i ndjeri Agim Karagjozi, i cili ndërroi jetë në New York.

Duke qenë gjatë Luftës së Dytë Botërore i inkuadruar në Organizatën e “Ballit Kombëtar”, mori pjesë në mënyrë aktive kundër komunistëve dhe si vullnetar shkoi në Kosovë për t’ i luftuar forcat e errëta çetnike të Drazha Mihajloviqit.

I ndjeri Karagjozi, si shumë nacionalistë nga Shqipëria dhe Kosova, qe i detyruar ta lënte atdheun dhe pas një qëndrimi në Turqi, vendoset në SHBA, ku me profesion ishte inxhinjer.

Agim Karagjozin pata rast ta njoh qysh në vitet e 90-ta në aktivitetet e përbashkëta që zhvillonim për çështjen e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ai për një kohë të gjatë ka qenë kryetar i Organizatës “Vatra”, dhe shumë aktiv në kundërshtimin e politikës së Enver Hoxhës dhe kishte një përkushtim të veçantë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në vitin 1991 kur e themelova gazetën “Illyria”, ai vinte shpesh në redaksinë tonë dhe bëmë lidhje bashkëpunimi me gazetën “Dielli”.

Kemi qenë bashkë në protesta dhe demonstrata dhe, kur filloi fushata e bombardimeve kundër pozicioneve të forcave serbe nga NATO, ishim në takim tek presidenti Clinton, së bashku me veprimtrë të tjerë të komunitetit dhe ia paraqitem presidentit pikëpamjet tona rreth Kosovës.

Me z. Karagjozi kemi qenë edhe në State Department për çështje të Kosovës dhe për çështjen e demokratizimit të Shqipërisë.

Agim Karagjozin e kujtoj si një nacionalist të vendosur, një burrë bujar, i sinqertë dhe bashkëpunues për çështjen shqiptare.

Me këtë rast familjes së tij i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë humbje të pazëvendesueshme.

Harry BAJRAKTARI

New York, 2018