Ballina Histori “BOMBA SOVJETIKE”

“BOMBA SOVJETIKE”

Në mesnatën e 26 shkurtit 1951 u pushkatuan pa gjyq dhe pa faj 22 intelektualë të shquar të Tiranës dhe të Shqipërisë, me vendim të Byrosë Politike të KQ të PPSH, me pretekstin e të ashtuquajturës “Bomba sovjetike”, një sasie vogël dinamiti hedhur në oborrin e Ambasadës Sovjetike në Tiranë, prej nje dore të fshehtë.

Propaganda fajësoi për këtë organizatën antisovjetike, por që s’kishte asnjë lidhje me të pushkatuarit. Njëzetë dy intelektualët e pafajshëm, mes tyre dhe Sabiha Kasimati, shkencëtarja e parë shqiptare, u ekzekutuan në breg të lumit Erzen, ku u groposën në errësirë dhe fshehtësi në një varr të përbashkët. Familjet e tyre u internuan në kampet e përqendrimit të Tepelenës, Vlorës, etj.

            Partia Demokratike kërkon që 26 shkurti të shpallet data e përkujtimit të viktimave të komunizmit. Kërkesa është hartuar në kuadër të një nisme për amendimin e ligjit në fuqi, atë me nr. 7561, datë 21 shkurt 1992, “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore”, i ndryshuar.

Në relacionin e përpiluar nga 9 deputetë të PD-së, theksohet se rëndësia e datës 26 shkurtit si “Dita e Kujtesës së Viktimave të Regjimit Komunist” qëndron në faktin se ajo lidhet me një akt kriminal të ndërmarrë nga kupola politike e regjimit të Enver Hoxhës. Fjala është për bombën në ambasadën sovjetike në Tiranë dhe pasojën e saj me pushkatimin e 22 intelektualëve.

PD-ja argumenton se “kjo datë është e përshtatshme për disa arsye”, duke nisur nga fakti se ajo “permbledh gjithe elementet e paligjshmerise dhe te krimit shteteror”, sepse vendimi u mor jo në sallën e gjyqit, por në Byronë Politike pas të cilit u kryen arrestimet. Po kështu arrestimi “u bë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit” dhe se personat e “që u pushkatuan u zgjodhen nga gjithë hapësira shqiptare, por që jetonin në Tiranë: qytetarë nga Gjakova, Shkupi, Shkodra, Dibra, Tirana, Korea, Delvina, Gjirokastra, Çamëria etj, në mënyrë që terrori shtetëror komunist të godiste gjithë Shqipërinë”.

PD-ja mendon se ky akt përbën krimin më të errët të regjimit edhe sepse viktimat u njohën sit ë pafajshme nga vetë regjimi i Enver Hoxhës që  “8 muaj më vonë, (Tetor 1951), një gjykatë speciale dënoi ata persona, që kishin hedhur në të vërtetë dinamitin në oborrin e ambasadës sovjetike”.

Kohët e fundit PD u tërhoq nga kjo nismë e një grupi të deputetëve të saj.