GRUAJA QË FITOI LLOTARINË

Tregim nga SAMI MILLOSHI – Amerikë

Çdo të premte në pasdite zonja Van Song, pasi mbaronte turnin e saj të punës,ndalej tek marketi i pijeve Rose’s Liquor, pak pasi kalon urën mbi lumin Missouri, në Counsel Bluff. Aty e kishte zakon të blinte biletat e llotarisë,ato që me shpresë ajo ëndërronte se një ditë do ta bënin milionere.

Kur zgjidhte biletat, merrte dy ose tre nga llotaria Megamilion, një nga llotaria e shtetit të Iwoas dhe, kohët e fundit, për ta ndërruar pak gjellën,kishte filluar të merrte edhe biletat e llotarisë Diamant Dazzler.

Mbrëmjeve kur kontrollonte në kompjutër nëse kishte fituar ndonjë dyshkë apo jo,përpara se ta hapte kompjuterin bënte deklaratat se cfarë do të bënte me milionat.

– Djalit do t’i blej një shtëpi të madhe dhe ca hektarë pyll për rreth të rrisë bletë. Ndërsa vajzës, edhe asaj do t’i blej shtëpi,po do t’i paguaj edhe paratë që të mbarojë universitetin e Harvardit.

– Po mua,aman,zemër, cfar do të më japësh ?-e pyeste me të qeshur i shoqi,zoti Tran .

– Ti nuk do shkosh më në punë,në atë punën e qelbur ku zhgërryen duart të zhbllokosh kanalet e ujrave të zeza të qytetit. Dhe,kam edhe një surprizë tjetër, por nuk ta them…

– Aman,ma thuaj,shpirt të kam, se nuk më zë as gjumi dhe, ti e di, pastaj jo vetëm për vete që do më mbysë kolla gjithë natën,por edhe ti do të mbetësh pa gjumë nga kolla ime.

– Ty do të të gjej doktorin më të mirë në gjithë Midwestin dhe do ta paguaj sa frengu pulën që ti të bëhesh si kokrra e mollës…

E gjithë atmosfera e premtimeve nuk mbaronte me kaq. Zonja Song, nga fitimet e mundshme premtonte nga pak,edhe për motrat,vëllezërit, nja dy shoqe të ngushta,për një plakë me të cilën kishte udhëtuar me avion nga Saigoni në Chicago, madje,edhe për parukieren ku shkonte të priste flokët një herë në muaj.

Këto premtime, tashmë përsëriteshin cdo javë si psallm, të premte për të premte,në darkë. Por,kur,dilte që ekranit të kompjuterit i vrenjtej fytyra dhe i thoshte zonjës Song ” As kësaj here nuk ke fituar ” , asaj sikur i priteshin krahët dhe kujtohej se duhej të gatuante dicka për ta marrë në kutinë e ushqimit me vete për të nesërmen në punë.Dhe gjithashtu ndërmendej,se duhej të zgjohej që në pesë të mëngjesit.

Të enjten e fundit zoti Tran kishte vajtur tek doktori dhe ai e kishte diagnostikuar me një sëmundje që,ai,nga që ishte shokuar aq shumë,nuk ia mbante mend mirë as emrin. Vetëm,mbante mend,se doktori i kishte kërkuar të zhvishte gjithshka kishte në trup dhe të shfaqej trupin lakuriq si e kishte bërë nëna. E kishte prekur me gishtat e tij të topet, i kishte futur gishtat nga pas për të provuar nëse kishte shenja të prostatës. Dhe, më në fund i kishte thënë:

– Njerëz me këtë sëmundje që ke ti kanë dhjetë ose e shumta pesëmbëdhjetë vjet jetë. Më vjen keq të ta them, por jam i shtrënguar të ta bëj të ditur.

Zoti Tran që bëre dyllë i verdhë, dhe,mezi e kishte ngarë makinën në kthim, një Ford rangall, nga klinika Good Samaritan deri tek shtëpia në Bellevue. Kur hyri në shtëpi brenda, zonja Song po hiqte nga furra picën që kishte vënë të piqej. Ajo e vuri re që Tran qe bërë si meit në fytyrë, dhe sa u duk te porta i tha:

– Honey,why you are so mad? *

– Sepse doktori më tha se kam edhe dhjetë, ose e shumta pesëmbëdhjetë vjet jetë…

Atë natë Song dhe Tran pothuajse nuk vunë gjumë në sy. E premtja zbardhi me një diell të ftohtë,rrezet e të cilit shkonin përskaj catisë së pjerrët me katrama te zezë,dhe binin mbi larat e borës së fundit që kishte dy javë që ishte bërë kallkan për shkak të temperaturave nën zero.

Të nesërmen, kur Song mbërriti tek marketi i pijeve Rose’ s Liquor, të blinte biletat e llotarisë si zakonisht, pronari, një burrë indian që e njihte gjithë Cunsel Bluff si FYTYRË QESHURI Mupana,i tha:

– Zonja Song kam dy lajme për ty. Një lajm të keq dhe një lajm të mirë.

– Lajmin e keq, mos ma thuaj,se kam unë vetë një më të keqin që mund të ketë ndokush në qytet. E kam burrin të sëmurë. Po, më thuaj atë të mirin.

– Më vjen keq për ty.- tha Mupana.E po,mirë atëherë. Javën që shkoi ti bleve edhe një biletë të llotarisë Diamant Dazzler. Ajo të ra në dysheme dhe ti nuk e vure re . E gjeti pastruesja e marketit,Laura,ajo ma dha mua. Unë e mbajta mend se ti e bleve atë biletë.
E ruajta,madje e skanova edhe në kompjutër të shihja nëse kishe fituar apo jo…

– Dhe….?- tha me habi zonja Song.

– Dhe pashë që ti ke fituar plot dy milionë dollarë…

Zonja Song nuk po u besonte veshëve. Një pah drite sikur ia zbardhi fytyrën dhe thellë në sy i përshkënditi një gacë prej një zjarri të pashuar ,që shfaqej herë pas here, kur ajo as që e priste.

Kur mbërriti në shtëpi qe muzg. Qe ndalur të blinte limonë për Tran prandaj qe vonuar. Tran e priste tek porta si gjithnjë, sapo dëgjonte makinën të hynte në driveway.

– Honey,- kam fituar llotarinë Diamant Dazzler. – I tha Tran dhe e puthi në buzë.

– I love you honey- ia ktheu Tran. Tani ti ke mundësi t’i mbash premtimet.
Vërtet  ke pesëmbëdhjetë vjet që i blen këto bileta. Vërtet më shumë je dëshpëruar se sa je gëzuar.Ama Zoti të pa,ta dha një fitore,më në fund…

– Në fillim Zoti ia dha fitoren Mupanes. Ai mund ta mbante edhe për vete se nuk ishin pak,po dy milionë dollarë. Po,ai na e dhuroi ne,ty dhe mua fitoren e tij.- tha Song dhe ia sqaroi fill e për pe se cfar ndodhi me biletën e humbur që e kishte blerë ajo vetë javën që shkoi.

– Jepja atij gjysmën e fitores- tha Tran- pa kurrfarë mëdyshjeje,a thua se po ndante më dysh një tortë për dikë që e kishte kapërcyer një shekull jetë.

– Do të mbaj premtimet, ato të ëndërrës, atë do të bëj- tha Song prerazi.

Zonja Song nxorri një shishe verë të vjetër që kish njezët vjet që e ruante në komodinë. I mbushi dy gota me verë dhe tha se donte të bënte një urim. Merrej vesh se ishte shenjë se donte ta festonte fitoren. Por, ende pa e ngritur dollinë ,ende pa i trokitur gotat, Tran, iu lut që përpara se ta shqiptonte urimin,të dëgjonte një lutje të tij.

-Honey- kam një lutje- tha ai me një zë të butë a thua se po këndonte ndonjë këngë në korin e kishës- Dua që gjysmën e fitores t’ia japësh doktorit tim.

– Oh,no- tha zonja Song- ta ndaj fitoren me atë që të tha edhe sa vjet jetë ke? Kurrën e kurrës…

– Honey- tha Tran- bëhu e arsyeshme . Kjo fitore u përket dy njerëzve që thanë të vërtetën, Mupanës që nuk e përvetësoi ta fuste në xhep biletën e llotarisë që në të vërtetë e bleve ti,dhe doktorit tim që tha të vërtetën se edhe sa vjet jetë kam unë tash e tutje.

– Po ai,nuk është ai doktori që pata ëndërruar unë të të gjej. E mban mend.Unë të pata premtuar se do të të gjej doktorin më të mirë në Midwest.

– Honey,ashtu më premtove,është e vërtetë. Ai doktori im, zoti Watson ,mund të mos jetë më i miri. Por,ama, më tha të vërtetën, edhe pse të hidhur. Dhe,më tha se dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet jetë nuk janë shumë. Por,ti mund t’i jetosh sikur do të jetosh njëqindepesëdhjetë vjet me shumë. A më premton ti, se ne të dy bashkë, do t’i jetojmë ashtu sic tha Watson?

Zonjës Song i rrodhi një rrëke loti në formën e fjalës PO.

____________

* Shpirt,(mjalti im),pse je kaq e mërzitur?