KORPUSI STUDIMOR I SHEFQET HOXHËS

Nga Nikollë Loka

Prof. As. Dr. Shefqet Hoxha është një studiues i shquar i shkencave tona albanologjike me kontribute të rëndësishme në disa disiplina shkencore si Dialektologji, Folklor, Etimologji, Leksikografi e Terminologji, Toponomi-Patronimi dhe Histori e arsimit shqip. Duke zënë fill me studimet për trevën e Lumës dhe Kukësin, studimet e tij përmbajnë kontribute të rëndësishme shkencore edhe për trevat fqinje: Dibër, Mirditë, Pukë, Tropojë e në plan më të gjërë për të gjitha studimet shqiptare. Profesor Shefqeti është i njohur, i studiuar dhe i përmendur në fushat e tij të studimit, por gjithnjë modest, studiues që nuk e përdor veprën e tij, intelektuali që jeton çdo ditë si të jetë e fundit, duke na dhënë gjithnjë vepra të reja, kumtesa, reçensione librash etj.

Shefqet Hoxha ka profilin e tij të studiuesit që flet shumë për të tjerët, por nuk preferon të nxjerrë në pah veprën e tij. Atij i mjafton puna, studimet që bën, kontributet që jep. Shoqëria shqiptare në një proces zhvillimesh të vrullëshme ka nevojë për këtë model studiuesi që nuk stolis veten me veprat e tij dhe synon që të stolisë mendjet e lexuesve.

Familje intelektuale, misionarë të dijes

Shefqet Hoxha ka lindur më 5 prill 1934, në Bicaj të Lumës, në një familje intelektuale me tradita atdhetare. Të parët e tij, që nga viti 1740 kanë ushtruar profesionin e klerikut mysliman. Stërgjyshi, Mulla Uka (Jakup Fejzë Hoxha) e pas tij, dy djemtë: Mulla Xhema (Xhemali Jakup Hoxha) dhe Mulla Jonuzi (Jonuz Jakup Hoxha) kishin kryer studimet e mesme fetare në një medrese të Prizrenit dhe të tre njihnin bazat e arabishtes dhe flisnin e shkruanin turqishten, ndërsa Xhema dhe Jonuzi patën mësuar të shkruanin edhe shqipen. Mulla Rrahmani (edhe ky djali i Mulla Ukës) qe klerik autodidakt. Dija në këtë familje intelektualësh në Bicaj të Lumës vinte si nevojë e vetë jetës. Kujtojmë se në atë kohë shumica dërmuese e banorëve të Lumës e më gjërë ishin analfabetë dhe njerëzit më të rrallë ia njihnin vlerat dijes.

Djali i vetëm i Mulla Xhemës, Qamili mbaroi shkollën fillore në Bicaj, plotoren në Kolgecaj dhe normalen në Elbasan. Në vitin 1927 ai hapi shkollën e parë shqipe në Zapod. Qamili pati punuar mësues në Zapod, Bicaj, Gjakovë (zëvendësdrejtor i Normales), Ploshtan dhe pak kohë në Gostil. Ai qe marrë me qëmtimin e visareve popullore; pat mbledhur një material të gjërë, të cilin pjesërisht bijtë e tij ia botuan. Intelektuali Qamil Hoxha, veç shqipes njihte edhe frëngjishten dhe italishten, si dhe zotëronte bazat e arabishtes, turqishtes dhe sllavishtes.[1] Për arsye politike dhe absurditetet e kohës, kontributi intelektual dhe atdhetar i Qamil Hoxhës qe lënë në harresë, si gjë e pavlerë për vendin, ndërkohë që i biri, Shefqeti, pavarësisht pengesave vazhdoi me vendosmëri rrugën e babait të vet dhe, falë shkollimit që mori, u bë njëri ndër specialistët më të njohur në fushën e studimeve gjuhësore. Shefqeti ia nisi punës aty ku e kishte lënë i ati dhe pas grumbullimit të një sasie shumë të madhe materialesh me karakter etnologjik, folklorik dhe historik, iu vu punës për trajtimin e tij me kritere dhe metodologji shkencore, fillimisht me studime të natyrës gjuhësore dhe pastaj me studime të shumta që rrokin shumë disiplina të gjuhësisë dhe të degëve të tjera të dijes.

Shefqet Hoxha u rrit në mes të librave

Shefqet Hoxha u rrit në një mjedis, ku bashkëjetonin traditat më të mira të visit, pikëpamjet filozofiko-fetare të Islamit dhe dijet shkencore. Babai, Qamili, i apasionuar pas Fishtës dhe korifejëve të tjerë shkodranë, pa hyrë ende në shkollë i lexonte këngë nga “Lahuta e Malcis“ dhe e pati angazhuar djalin të mësonte përmendësh qindra vargje nga ajo kryevepër letrare. Në biliotekën e Qamilit ruheshin edhe veprat e Mjedës, Prenushit, Koliqit, Naimit, Çajupit, përkthime nga shumë autorë të huaj, si dhe libra të shumtë pedagogjikë e shkencorë. Mjedisi në mes të librave, e nxiti Shefqetin që në moshë fare të re të hynte në botën e dijes dhe nën ndikimin e të atit, Shefqeti shumë herët u angazhua në qëmtimin e trashëgimisë popullore.[2]

Shkollën fillore djali i ri lumjan e mbaroi në vendlindje, shkollën unike e filloi në Kukës, ku mbaroi vetëm një vit, dhe pastaj vitet e tjera i vazhdoi në shkollën unike të Bicajt, që e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Pastaj vazhdoi me bursë shteti shkollën e mesme pedagogjike në Peshkopi, të cilën e përfundoi po me ato rezultate. Megjithatë, për arsye biografike nuk iu dha medalja e artë. Fillon punë në shkollën shtatëvjeçare Kukës dhe njëkohësisht vazhdon studimet me korespondencë, fillimisht në Institutin Pedagogjik Dyvjeçar në Tiranë dhe pastaj në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Tiranës.[3] Të rrallë janë ata mësues që përfundonin dy shkolla të njëpasnjëshme, pasi në ato kushte që ndodhej arsimi mjaftonte edhe instituti dyvjeçar, por djali i Qamil Hoxhës nuk ëndërronte të bëhej mësues i thjeshtë. Ai shihte larg, edhe pse e dinte se për atë rruga ishte shumë e vështirë dhe e rrezikëshme.

Shefqet Hoxha ka kaluar të gjitha shkallët e mësimdhënies, mësues dhe drejtor në shkolla shtatë dhe tetëvjeçare, mësues dhe drejtor në shkollën e mesme, metodist dhe drejtor në Kabinetin Pedagogjik, pak kohë, Inspektor Arsimi në Rreth dhe pedagog në Filialin e Kukësit. Në fillim të viteve ’80, Akademia e Shkencave kishte projektuar botimin e plotë të Dretës Zakonore Shqiptare dhe për këtë qëllim u përzgjodh një grup studiuesish që të hulumtonin në disa krahina të Veriut dhe të Jugut. Në këtë grup u përfshi edhe Shefqeti, duke u ngarkuar me hulumtime në Lumë, Has, malësi e Gjakovës, Dibër e Lurë. Pasi mblodhi një material të gjërë, në vitin 1987, e përagtiti për botim nën titullin “Kanuni i Lumës“, që e pa dritën e botimit vetëm në vitin 2013.

Te Shefqet Hoxha bashkohen më së miri pedagogu e metodisti dhe shkenctari, prandaj gjatë gjithë jetës së tij aktive ai nuk i ndau detyrat si mësimdhënës dhe kërkues shkencor, megjithëse të dy angazhimet kërkonin shumë angazhim dhe sakrifica. Sidomos ishte e vështirë të merreshe me kërkime shkencore nga Kukësi.

Me korpusin e veprimtarisë shkencore të Profesor Shefqetit

Shefqet Hoxha mund të konsiderohet me fat, pasi që në fëmininë e tij në Bicaj të Lumës qe ndjerë i qarkuar nga një pasuri e madhe e krijimtarisë gojore si në prozë dhe në poezi.[4] Shefqeti e nisi veprimtarinë shkencore shumë herët, në kushtet e punës në bazë, duke u bërë ndër të rrallët studiues që i duhej ta jepte kontributin e tij larg katedrave universitare, sallave kërkimore të instituteve dhe bibliotekave shkencore. Merren me mend vështirësitë që e shoqëronin pasionin e tij, që nga Kukësi i largët gati sa nuk dukej si utopi. Por qëndrimi i tij në Kukës pati vlerat e veta për komunitetin e studiuesve kuksianë, pasi, si rrallë në qendra të tjera rrethesh pa institucione të arsimit të lartë, në Kukës u formua një bërthamë stuiuesish që iu përgjigj me studime nevojave të kohës.

Shefqet Hoxha e nisi punën shkencore si hulumtues i visareve popullore. Pasionin për folklorin Shefqet Hoxha e dëshmoi përmes bashkëpunimit të hershëm që nga fillimi i viteve ’50 të shekullit XX me Institutin e Folklorit në Tiranë. Studiuesi i njohur kuksian i ka shkelur pëllëmbë për pëllëmbë fshatrat e Kukësit, duke hyrë në çdo familje, për të mbledhur visaret kombëtare: Proverba, përralla, anekdoda, fjalë të rralla, doke e zakone të moçme, këngë të epikës historike dhe legjendare, rituale.[5] Punimin i tij i parë shkencore ishte “Fejesa dhe martesa në Lumë“. Pastaj botoi punimet “Lindja në Lumë“,“Toponimet e Fanit“ dhe “Në gjurmët e trojeve të Bogdanit“. Publikimi i këtyre punimeve, ndonëse me përmbajtje thellësisht shkencore dhe pa frymë ideologjike, do të bëheshin pas peripecishë të shumta. Në vitin 1980, Dhora Lloja, drejtoresha e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës do t’i kërkonte leje Komitetit të Partisë së Rrethit Kukës për botimin e dy punimeve shkencore të studiuesit Shefqet Hoxha ne Buletinin Shkencor të Institutit (Terminologjia e mullirit në të folmen e Lumës; 2. Grimca etimologjike), pasi sipas saj “materialet paraqesin interes shkencor”. Po në këtë vit, drejtori i Institutit të Kulturës Popullore, Alfdred Uçi, njofton Komitetin e Partisë të rrethit Kukës se “Kohët e fundit ishte paraqitur për botim një përmbledhje me këngë popullore lirike të rrethit të Kukësit, përgatitur nga Shefqet Hoxha. Vëllimi është me mjaft interes…”.[6]

Vetëm një studiues me vullnet të madh do të besonte aq fort në misionin e tij si Shefqet Hoxha. Vepra studimore e tij e pa dritën e botimit edhe në ato kushte të luftës së klasave. Kjo u arrit sepse institutet shkencore kishin etje për punime të tilla dhe me punonjësit që kishin në organikë nuk mund t’i realizonin projektet e tyre. Nga ana tjetër, pengesat që i viheshin Prof. Shefqetit ndryshonin nga koha në kohë, në varësi të zhvillimit të luftës së klasave në vend. Kështu, në vitin 1969 kishte mundur të botonte një përmbledhje folklorike me këngë popullore. Por, në vitet 1975-1981 i heqin të drejtën e botimit, të cilën e fiton vetëm në vitin 1982. Që t’i jepej përsëri ajo e drejtë ndërhyn Drejtori i Institutit të Kulturës Popullore Prof. Alfred Uçi, i cili kishte kërkuar pranë instancave të larta partiake që të botohen librat e Shefqet Hoxhës: “Lirikë popullore nga rrethi i Kukësit” dhe “Epikë legjendare nga rrethi i Kukësit”.

Shefqeti shpejt u bë mjaft i njohur sa të bëhet pjesë e projekteve të rëndësishme kombëtare në konferencat që u organizuan, ku merrnin pjesë, përveç studiuesve më me emër të vendit, edhe të ardhur nga institucionet shkencore botërore. Në vitin 1968, studiuesi kuksian mori pjesë në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike, ku referoi temën “E folmja e Lumës dhe disa çështje rreth shtrirjes së nëndialektit verilindor të gegërishtes“. Me angazhimin e tij, po në këtë vit qe organizuar në Kukës një sesion përkujtimor kushtuar 90-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, në fillim të qershorit të vitit 1968. Në këtë sesion ai paraqiti kumtesën “Dy lëvizje popullore në Lumë, para dhe pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit“. Tregues i vlerësimit të lartë ndaj tij është dhe pjesëmarrja si delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972.

Deri në vitin 1991, veprimtaria e gjërë studimore e Prof. Shefqet Hoxhës i ngjante një ajsbergu, ku pjesa më e madhe ishte e panjohur dhe studiuesi erudit veç punonte, pa e pasur shumë të qartë nëse gjithë ajo punë kërkimore do ta gjente ndonjëherë dritën e botimit. Viti 1991 solli shpresa të mëdha në shoqërinë shqiptare dhe Shefqet Hoxha, krahas angazhimeve politike dhe shoqërore që i kërkonte koha dhe angazhimeve studimore të ditës, iu desh që të përgatiste për botim punimet e tij të deriatëhershme. Në librin “Shkrime e botime“, botuar në vitin 2014, ai sjell bibiografinë e plotë të veprimtarisë së tij studimore, që atëherë përfshinte 484 artikuj studimorë.[7] Prof. Shefqet Hoxha ka botuar deri më tani 66 libra studimorë dhe konkretisht: 5 nga fusha e Dialektologjisë; 11 nga fusha e Foklorit; 9 nga fusha e Etnologjisë; 3 nga fusha e Leksikografi-Treminologjisë; 3 nga fusha e Toponimisë; 5 nga Historia e shkollës dhe e arsimit; 16 nga fusha e historisë; 13 monografi dhe një libër me bibliografinë e veprave të tij.[8]

Pjesa më e madhe e korpusit studimor të Prof. As. Dr. Shefqet Hoxhës i është kushtuar krahinës së Lumës dhe një pjesë tjetër Kukësit në përgjithësi ose trevave të veçanta të tij. Në qoftëse me 1929 Antonio Baldaci pat shkruar se “askush nuk ka mundur ende ta studiojë mjaftueshëm këtë “fis”, (e kish fjalën për Lumën), prandaj nuk njihet vendi dhe njerëzit e tij, tani pas më tepër se tetë dekadash, mund të thuhet me plot gojën se ky “fis” i Lumës është studiuar dhe njihet, në rradhë të parë, në sajë të punës së palodhur të Profesor Shefqet Hoxhës, që i ka kushtuar tërë jetën e tij.[9] Kukësi në përgjithësi dhe veçanërisht Luma sot është treva më e studiuar në rang vendi. Asnjë krahinë tjetër nuk ka studime aq të plota të kulturës shpirtërore që nxjerrin në dukje vlerat historike, kulturore, ekonomike etj. Shefqet Hoxha është marrë me thelbin e kulturës shqiptare në Lumë. Në rradhë të parë ai i kushtoi kujdes mbledhjes, studimit dhe se fundi edhe botimit dinjitoz të Kanunit të Lumës (me rreth 1000 nene), një vepër madhore, e shoqëruar edhe me studime (gjithsej 713 faqe), e cila ka pasuruar njohjen e etnopsikologjisë dhe të historisë së Krahinës. Autori ka vënë në dukje të përbashktën e Kanunit të Lumës me kanune të tjerë shqiptare, s’pari me atë të Dukagjinit, por edhe veçoritë e tij të shumta në përshtatje me krahinën, problemet, historinë, psikologjinë e shkallën e zhvillimit të saj,[10] Në veprat e tij të bie në sy trajtimi rigoroz gjuhësor dhe etnopsikologjik. Ai e shikon Lumën, siç është, si pjesë të Shqipërisë, si një krahinë etnike e Kosovës (deri me 1913 politikisht), në bashkëveprim e bashkëndikim të ndërsjelltë me krahinat e tjera kufitare, sidomos Dibrën, Hasin, Pukën, Mirditën etj. Trajtimet historike të Profesor Shefqetit i kalojnë caqet e Lumës, Ai është marrë seriozisht dhe me botime interesante nga krahina e Hasit, me origjinën e Kastriotëve, me dy dyert e tij të mëdha, të Bogdanëve e Mazrekëve, është marrë me historinë e krahinës së Gorës, me veçoritë e saj, dhe se fundi ka botuar edhe një vepër të plotë për Malziun.[11]

Shefqet Hoxha i ka ngritur rrethit të Kuksit dhe Lumës së tij një monument përjetësie. Sigurisht që vepra e madhe e Shefqet Hoxhës është vlerësuar në Kukës dhe në rang kombëtar, por duhet thënë se ka një mospërputhje të dukshme midis vlerës së veprës dhe vlerësimeve që janë dhënë për Profesorin. Kështu, ai është me meritë Prof. As. Dr. Shkencash, por pyetja që bëhet është: Çfarë kërkohet më shumë që ai të ishte Prof. Dr? Profesori veteran i arsimit është me të drejtë “Mësues i Popullit”, por çfarë duhet bërë më tepër që të jetë “Mjeshtër i Madh”? Profesorit i është dhënë nga bashkia e Kukësit vlerësimi “Mirënjohja e Bashkisë së Kukësit”, po çfarë duhet të bëjë më tepër që të jetë “Qytetar nderi i kësaj Bashkie?

Prof. As. Dr. Shefqet Hoxha meriton të gjithë mirënjohjen. Edhe tani, në moshën 84 vjeçare kontributi i tij shkencor në fushën e studimeve albanologjike është i madh. Institucioni i Bibliotekës Kombëtare pati organizuar një ceremoni të denjë për studiuesin e njohur. Me siguri në 85 vjetor ajo veprimtari e të tjera do të organizohen, por mirënjohja për Prof. Shefqetin duhet të jetë e përditëshme, sepse çdo ditë e jetës së tij ka vlerë se e pasuron shkencën albanologjike. Korpusi studimor i Prof. Shefqet Hoxha është pasuri kombëtare.

[1] Shefqet Hoxha, Në valët e jetës politike, (shënime, mbresa, kujtime), botimet “Geer”, Tiranë 2011, f.17-19

[2] Shefqet Hoxha, Në valët e jetës politike, (shënime, mbresa, kujtime), botimet “Geer”, Tiranë 2011, f.19

[3] Shefqet Hoxha, Në valët e jetës politike, (shënime, mbresa, kujtime), botimet “Geer”, Tiranë 2011, f.27

[4] Izet Duraku, Baladat e Lumës, Hasit, malziut dhe Fanit, një kontribut i shtuar për kulturën kombëtare, https://www.voal.ch/tag/balada-popullore/

[5] Izet Duraku, Baladat e Lumës, Hasit, malziut dhe Fanit, një kontribut i shtuar për kulturën kombëtare, https://www.voal.ch/tag/balada-popullore/

[6] Shefqet Hoxha, Në valët e jetës politike, (shënime, mbresa, kujtime), botimet “Geer”, Tiraanë 2011, f. 60-61

[7] Shefqet Hoxha, Shkrime e botime (Përjetime, hulumtime, studime, dorëshkrime, letërkëmbime), biliografi, botimet “Geer“, Tiranë 2014.

[8] Shefqet Hoxha, Luma dhe lumjanët, Bleni i dhjetë, botimet “Mirgeeralb”, Tiranë 2017.

[9] Sali Onuzi, Dy fjalë për Profesor Shefqet Hoxhën dhe veprën e tij etno-kulturore, në tetëdhjetëvjetorin e datëlindjes së tij, http://www.pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=2638

[10] Sali Onuzi, Dy fjalë për Profesor Shefqet Hoxhën dhe veprën e tij etno-kulturore, në tetëdhjetëvjetorin e datëlindjes së tij, http://www.pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=2638

[11] Sali Onuzi, Dy fjalë për Profesor Shefqet Hoxhën dhe veprën e tij etno-kulturore, në tetëdhjetëvjetorin e datëlindjes së tij, http://www.pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=2638