DYKUPTIMËSIA SI DYFYTYRËSI

Sot qytetarët e Kosovës duhet të ndjehen krenarë me profesionalizmin e lartë që dëshmoi Policia e Shtetit, si dhe ndjenjën e përgjegjësisë së institucioneve për mbrojten e sovranitetit dhe të dinjitetit të shtetit tonë të ri.

Arrestimi i pseudodrejtorit të pseudozyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ishte një veprim i drejtë, legjitim dhe, në rrethanat e krijuara, i domosdoshëm.

Në vend që miqtë dhe aleatët tanë t’i përgëzonin institucionet e Kosovës për këtë veprim plotësisht ligjor, ata dolën me disa deklarata dykuptimëshe, as mish as peshk. Në thelb, ata shprehën shqetësim për situatën e krijuar dhe kërkuan zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara.

Ka ardhur koha që partnerët dhe miqtë tanë të flasin më qartë dhe si të mirës, ashtu edhe të keqes t’i vënë emër. Në rastin konkret duhej thënë hapur prej tyre: kush ndikoi në përkeqësimin e situatës? Kush hyri ilegalisht në Kosovë? Shkurt, kush i shkeli rregullat? Është e qartë se gishti i tyre duhej drejtuar nga zyrtari i lartë serb, M.Gjuriç. Më tej, cila palë i shkeli marrëveshjet e Brukselit, që përcaktojnë rregullat dhe procedurat e vizitave të zyrtarëve të dyja vendeve? Është e qartë se gishti i tyre duhej drejtuar nga Beogradi.

Dykuptimësia lë shteg për interpretime justifikuese dhe ikje nga përgjegjësia, në rastin konkret, nga ana e palës serbe. Në këtë kontekst, dykuptimësia (apo siç u pëlqen disa diplomatëve nga Brukseli, “ambiguiteti konstruktiv”), politikisht është çorientuese dhe destabilizuese. Nga aspekti etiko-moral, dykuptimësia e tyre nuk është gjë tjetër, veç dyfytyrësi.

Dr. Islam LAUKA

ish ambasadori i parë i Shqipërisë në Kosovë. Drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike. Pedagog në Prishtinë.

Prishtinë, 26 mars 2018