DREJT SHQIPËRISË…

Nga SVEN AURÉN – gazetar suedez, 1968

         Gazetari suedez Sven Aurén në gazetën “Svenska Dagbladet” shkruan nga vizita e katërt në Shqipëri në shtator te vitit 1968.

          U përkthye nga Suedishtja në Shqip nga z. Adil Bicaku – antar i Akademisë Monarkiste Shqiptare, studjues, përkthyes, autor i disa librave të botuara në Tiranë.

 

Motorrët ushtojnë, rrezet e diellit vallëzojnë mbi fletët e aeroplanit, dhe poshtë në Adriatik shkëlqejnë patat e bardha. Pas nesh është zhdukur bregdeti italian. Por në lindje, lart mbi horizont ngrihen vargmalet blu. Kjo që kemi përpara është Shqipëria: sateliti i Kinës në Europë, republika popullore staliniste e fundit në pjesën e botës sonë. Cilën ditë jave? Qartë një të martë, sepse vetëm të martat mundesh të udhëtosh për në Shqipëri. Ende në vitin 1968, ka një shtet në Europë – sa Belgjika me sipërfaqe –  që është shumë larg posedimit të një agjencie të veten fluturimi dhe që nuk disponon as edhe një aeroplan pasagjerësh. Janë italianët, që vendosin mbi frekuencën e trafikut. Një herë në javë fluturon një firmë italiane në linjën Romë-Tiranë dhe gjithmonë me një aeroplan gjysmë të mbushur. Çdo të martë ndodh e njëjta gjë në aeroportin e Tiranës, sapo ulet prej fluturimit, me njëherë duhet të shpejtoj për tu kthyer sërish, kështu që qëndrimi në aeroport nuk shkon as gjysmë ore. Ky aeroplan, pra një herë në shtatë ditë drejtohet për rrugë drejt Shqipërisë sikur të ishte në shërbim transporti për furnizim me ushqim të ndonjë  ekspedite të izoluar në polin e veriut, përbën të vetmen lidhje me Europën Perëndimore. Por që është edhe shumë e largët. Edhe pse distanca midis bregdetit italian dhe atij shqiptar përbën veç disa njëzet milje. Ta matësh me nje matëse tjetër është pa mbarim. Qartë Shqipëria e sotme është një nga shtetet më të largëta të rruzullit.

             Jam në aeroplanin e Tiranës, kur shkruaj, si parathënie, këto shënime udhëtimi. Stjuardesat, të kënaqura se e dinë se së shpejti do të kthehen sërish në Romë, janë bujare si me buzëqeshjen ashtu dhe pijen. Ndërkaq ato nuk kanë nevojë të stërmundohen. Pasagjerët janë pak: një palë diplomatë italian, njëri nga të cilët shtrëngon një thes poste në gjoks sikurse një prind përqafon fëmijën e vet, një zotëri mjekrosh nga Sorbona, për të cilin thuhet se ka shkruar një artikull të veçantë entuziast mbi heroin kombëtar Skënderbeun dhe për këtë arsye është ftuar zyrtarisht nga shteti shqiptar si dhe disa shqiptarë që është vështirë të përcaktosh statusin e tyre. Së fundi lista e pasagjerëve përmban një udhëtim kolektiv në të cilin bëj pjesë edhe unë si turist midis tjerësh.

Po ç’ka të bëj një gazetar me një grup udhëtimi? Nuk është kollaj të hysh në kufijtë shqiptar. Ata janë më të mbyllurit në Europë, ndoshta në të gjithë botën. Ka shumë vite që shefa dashamirës të ambasadës janë përpjekur të më nxjerrin një vizë individuale. Aplikime, telefonata dhe në biseda private, pa përjashtim, të gjitha kanë rezultuar në përgjigjen e zakonshme të Shqipërisë, kur bëhet fjalë për viza për gazetarë të uritur perëndimor: kërkesa është nën shqyrtim. Muaj dhe vite kalojnë, dhe nuk ndodh asgjë, dhe me kalimin e kohës dhe kjo mungesë reagimi merr një karakter pothuaj normal. Vetëm në  Ambasadën e Parisit tashmë janë stivë kërkesat pa përgjigje të qindra gazetarëve. Por kur të kujtohen këto ngjarje, s’është zor të kuptosh që unë u habita, kur, rastësisht, pashë në një vitrinë të një agjencie të thjeshtë udhëtimesh, në Bulevardin Opera (Avenue de L’Opera), që ishte për shtetet e lindjes. Në një qosh të fshehtë, sikur nuk ishte qëllimi që të shihej, ndodhej një afishe, që lajmëronte mbi një udhëtim për në Shqipëri. Udhëtimi ishte dy javë me autobus, vizitë në të gjithë qytetet dhe komunitet e mëdha….Një pyetje me vend, me të vërtetë veçse të regjistrohesh, por nuk bëhej fjalë për nisje para se lista e pjesëmarrësve të miratohej nga ambasada shqiptare. Që ky institucion, që tashmë ishte bërë objekt i aq përpjekjeve pa rezultat, do të pranonte emrin tim në këtë rastin e ri duket natyrisht e pamundur. Por ndoshta një pasaportë të re me të dhëna të një profesioni tjetër, se sa këtë xhyben e kuqe të theksuar ”gazetar”, p.sh. “shkrimtar”, nuk do të binte aq në sy?

             Kjo ndodhi. Dhe, megjithatë, ky është shpjegimi që unë jam në rrugë për në një shtet komunist, i cili aq gjatë ka refuzuar të më pranoje. Unë shkoj me etiketën si grup turistik  dhe kjo tingëllon ca vulgare. Por bashkudhëtuesit e mi nuk mund të konsiderohen si turistë të rëndomtë. Njerëz, që kërkojnë atë normalen, pothuajse nuk shkojnë në Shqipëri. Përveç kësaj grupi është i jashtëzakonshëm edhe në një tjetër këndvështrim. Shqiptarët janë i vetmi popull në Europë, që kanë mbi komodinë libërthin e kuq të Maos. Do të kishte qenë më e arsyeshme që studentët revolucionar të Sorbonës të shfrytëzonin këtë shans dhe të merrnin kontakt me një komb të inspiruar nga Kina. Mjaft e çuditshme që nuk ka asnjë të ri të atij tipi në grupin tonë. Mos vallë kanë frikë se mos u shuhen iluzionet? Nuk ka as komunistë dhe as nga ata me prirje simpatizuese komuniste, që apriori kanë vendosur të gjejnë atë më të mrekullueshmen. Këta janë mësues dhe mësuese shkollash, një çift i ri jurist që është specializuar për kërkesë patentash në shtetet e lindjes, një 78 vjeçar inxhinier më bashkëshorten, që bëjnë  udhëtime të çuditshme gjatë jetës që u ka mbetur dhe një ish gjykatës nga Orleans i cili, është krejt i verbër dhe udhëhiqet nga bashkëshortja e kujdesshme e tij, e cila sheh për të dy dhe i tregon për çdo gjë. Është gjithashtu një burrë në moshën mesatare, postier me interesa të përgjithshme nga lagja e trembëdhjetë e Parisit, i cili ka një kohë të gjatë që është i inatosur sepse kurrë nuk gjente diçka për të lexuar për Shqipërinë në buletinin e mëngjesit. Ai vendosi ta marrë çështjen vetë në dorë. Kryesisht është një grup simpatik francez kur janë për së mbari.

             Por edhe pse ende edhe në të ardhmen dukej e pamundur që një gazetar të kryente një vizitë individuale, dhe një grup udhëtarësh, ofron shansin e vetëm të hedhësh një sy përbrenda kufijve, natyrisht mund të këmbëngulësh se gazetari dhe udhëtim kolektiv s’kanë gjë të përbashkët. Në një diktaturë komuniste te këtij modeli ekstrem duket që një rrugëtim i tillë do të thotë se autoritetet dëftejnë atë që duan të dëftejnë dhe fshehin të tjerat. Që të shfrytëzoj plotësisht të paktën atë që lejohet të shoh, ndërkaq, kam ndërmarrë një numër masash përgatitore. Ka diplomatë të shteteve të ndryshëm, që kohët e fundit kanë qenë të stacionuar në Tiranë po ashtu edhe specialistë, të cilët kanë pasur shërbime të ndryshme në Shqipëri. Falë informatorëve të këtij tipi që jam armatosur me dijeni paraprake mbi situatën aktuale. Me këtë mes ka disa mundësi të krahasohet midis të tanishmes dhe të dikurshmes. Ky është udhëtimi im i katërt në Shqipëri. …..  On  revienz  toujours* 1)….. Në moshën e rinisë u njoha me një student shqiptar në Paris dhe më pas kalova një javë në shtëpinë e tij në Tiranë. Vizita më la aq përshtypje të forta, sa që unë disa vjet më vonë shkova prapë për të shkruar një libër mbi vendin. Vizitën e tretë e bëra pak para luftës kur unë udhëtova me veturë prej Stokholmi për të marrë pjesë në dasmën piktoreske të mbretit Zog me princeshën Hungareze Apony (Apponyi). Kjo qe në prill 1938. Menjëherë pas një viti u zhduk shteti shqiptar prej valëve të luftës, u shkretua, u copëtua dhe më në fund u kthye në formën e tanishme.

             Kësaj Shqipërisë së djeshme që unë i kushtova aq shumë interes, qe një komb ballkanik i panjohur dhe primitiv me një milion banorë, që gjithnjë e quan veten Shqiptar: bijtë e shqiponjave. Me mbi dy të tretat male jo pjellorë dhe gati një të tretën pjesë kultivuese në lugina dhe rripa bregdetare, qe gjithashtu një vend shumë i varfër. Gjatë gjithë historisë së tij ndodhej në rrugën e  konflikteve të mëdha të interesave të fuqive të mëdha. Që shqiptarët, të cilët janë pasardhësit e ilirëve, mundën të ruajnë si gjuhën e vet ashtu edhe veçoritë kombëtare—p.sh. zakonet e jetesës bile edhe fizionominë—është një mrekulli! Direkt apo indirekt ata kanë qene gjithnjë të kolonizuar. Ata janë sunduar nga grekët, romakët dhe Bizanti. Në pesë shekuj me radhë deri më 1912 vendi ishte pronësi turke. Gjatë luftës parë botërore shërbeu si fushë beteje e ushtrive të superfuqive. Në vitet 1920 për të parën herë fitoi, të paktën dukej, një si formë pavarësie politike. Struktura sociale ishte feudale me një numër prijësish të pasur malësore si figura dominuese. Më 1928 prijësi malësor Ahmed Zogu mundi t’i bindë prijësit tjerë të fortë të pranonin formimin e një monarkie ku ai shpallet mbret me emrin Zogu I.

            Tragjedia e përhershme e vendit është se kurrë nuk ka mundur të mbijetojë pa një financier të huaj. Zogu qeveriste por Mussolini paguante, që e shndërroi mbretin e parë të vendit në vasal italian. Më 1939 vasali nuk u tregua aq i bindur prandaj e dëbuan, dhe vendi u kthye në një koloni italiane. Por gjatë vizitë sime në vitet tridhjetë pati ende fronin të pa prekur të vendosur në një sallon në pallatin mbretëror në Tiranë, që dukej si një vilë mesatare e Djurs’holmit (Djursholm)*2)

            Kur je ulur kështu në një kolltuk të aeroplanit në rrugë drejt një Shqipërie të re që njohuritë për te janë veç të karakterit teorik, është e natyrshme, që të kaluarat të dalin parasysh si shfaqje. A ka mbetur më diçka nga shteti magjepsës Ballkanik? Por peizazhi madhështor i vendit duhet të ketë mbetur po ashtu: 

  Malet aventuriere, rrugët me serpentina, ata liqenet blu të thellë në Shkodër dhe Pogradec, urat e gurit të përkulura si mace zemërake në rrëpirën e grykave, shqiponjat, që fluturojnë rreth kreshtave të maleve masive, ato luginat e gjelbëruara me fushat e tyre me lule dielli, duhan dhe misër….. Por njerëzit, atmosfera? Para lufte, udhëtarët që shkonin në Shqipëri përbënin një numër mjaft të vogël dhe në vendet e tyre ata konsideroheshin si ekstravagantë, romantikë ose aventurier. Në Shqipëri ata ishin mbretër. Ata priteshin si miq të nderuar. Të pasur dhe të varfër konkurronin për t´u hapur dyert, shkëlqenin nga kënaqësia, gatishmëria ishte totale. Bujaria qe ngritur në dogmë fetare. Nga njëherë, bile, ndodhte që edhe gjakmarrja lihej me një anë, e cila ishte e dhimbshme, dhe që e shkretonte vendin si kolere dhe çonte në zhdukje si familje ashtu edhe fise. Nëse viktima, që duhej të vritej, arrinte të hynte brenda në shtëpinë e hasmit para se ai të arrinte ta qëllonte, përfitonte nga zakoni i mikpritjes sa kohë që të qëndronte aty.

              Shqiptarëve u pëlqente t´i fotografosh dhe dëshironin të jepnin dhurata. Na jepnin peshqeshe kudo që shkonim. Njerëz fukarenj –shumica ishin pothuaj aq fukarenj sa s´ta merrte mendja—silleshin me një krenari të denjë madhështore. Zhelamanët shëtisnin në rrugën e katundit si princa. Përsa i përket ngjyrave të dukej  se tabloja ishte sublime. Mua më kujtohet tregu i Shkodrës një mëngjes të prillit: Malësorët me tesha të bardha leshi deleje, xhamadanë të zi pa mëngë dhe qeleshe vezake në kokë, gra me balluke të drejta katran të zeza dhe rrobe të mundimshme, që të çonte mendjen tek eskimezët e Greonlandës. Gra nga Malësia me flokët të lyer me vaj dhe me thekë në ballë dhe një brez të çuditshëm me pafte, çapraze, nizamçe serme dhe thumba kallaje ….Ky karnavali shqiptar, që s´ishte ndonjë karnaval përveç se një ditë e zakonshme shumëngjyrëshe, do të magjepste një historian të veshjeve. Kësi pamjesh sheh edhe në vende tjera në Ballkan por në asnjë vend ishin aq intensive dhe fantastike si në Shkodër. Kjo varej nga izolimi i një shteti të vogël, që Evropa e kishte harruar fare.

            Edhe mbreti Zog, i cili kurrë nuk deshi të quhej “ mbreti i Shqipërisë”, insistonte të quhej “Mbreti i Shqiptarëve” duke menduar për minoritetet shqiptare në Greqi dhe Jugosllavi. Unë e shoh atë, natën e dasmës në pallat në Tiranë: një Buster Keaton*1 shqiptar me një fytyrë të ngurtë pa emocione, dhe i mbuluar me dekorata sa që ylli shkëlqyes varet deri poshtë cepit të kapotës së uniformës. Pranë këtij kalorësi me pamje serioze një vajzë e gjatë, bukuroshe shtathedhur që duket jashtëzakonisht e ngazëlluar se është bërë mbretëreshë edhe pse në një monarki operete. Mbrapa çiftit një italian i fryrë me uniformë fashiste me gjoks përpara dhe me një buzëqeshje vetëkënaqësie në fytyrën e tij të shëndoshë: dhëndëri i Mussolinit, konti Ciano. Konti ishte kumbarë i martesës. Asnjë nuk mund t´a imagjinonte ç´farë fati i priste. Ky kumbara do të rikthehej së bashku me një ushtri pushtuese dhe do t´a detyronte çiftin mbretëror në mërgim, dhe ai vetë pas disa vitesh do të ulej në karrige në një vend ekzekutimi në Italinë e Veriut dhe të pushkatohej pas shpine si tradhtar.    Atmosfera qe madhështore, edhe pse pati ndonjë kukuvajkë si p.sh. ministri francez, i cili nuk mundi t´a përmbante veten dhe u gajas  me zë të lartë kur pa dhuratat e dasmës: gjashtë kuaj shale nga shteti Hungarez, një anije më motor nga Duçja (Il Duçe) dhe një Mercedez nga Hitleri. “Dhuruesit duket se kanë pasur të njëjtin mendim në kokë: Më mirë t´u japim diçka, që t´u shërbej në rast se detyrohen të lënë vendin”. Vallëzimi filloi me tonet e orkestrës së Oborrit Mbretëror dhe një orkestre arixhinjsh, të cilët i kishte sjellë nusja nga Budapesti. Përfaqësuesit diplomatik nga njëzet kombe, kërcenin vals me zonjat e aristokracisë shqiptare ndërsa muret rrethoheshin nga prijës malësorë të veshur me kostume kombëtare të qëndisura më flori dhe me pistoleta brez. Disa nga ata kompletonin pistoletat me një stilograf floriri që në atë kohë do të thoshte se personi në fjalë dinte të shkruante. Maja e minareve ishin dekoruar me prozhektorë dhe vargje zbukurues. Balona të mëdha me portretin e çiftit mbretëror silleshin mbi çatitë e shtëpive dhe në aeroportin e Tiranës hodhën fishekëzjarre të shkëlqyer të markës më të mirë italiane.

             Aeroporti i Tiranës…… Ne jemi tashmë aty. Lidhni rripin e sigurisë, fikni cigaret, signores et signorinas. Kryeqyteti i Shqipërisë shtrihen brenda një kazan malesh. Aeroplani zhytet poshtë deri në fund dhe prek tokën. Ka qenë në mbrëmjen e dasmës së Zogut kur unë pashë këtë aeroport herën e kaluar. Atëherë ishin një mori njerëzish të gëzuar që admironin raketa e fishekzjarre në qiell. Atëherë nuk shihej ndonjë aeroport përveç se vetëm njerëz. Po tani ?

            Unë shikoj përreth nga dera e hapur. Tani është i shkretë si një shesh i braktisur për zbritje emergjente. Asnjë aeroplan tjetër përveç tonit. Asnjë njeri përveç se një ushtar melankolik, që është mbështetur në pushkën e tij. Asnjë   ndërtesë me përjashtim të një shtëpie si kioskë të kurorëzuar me një yll të kuq.

 

__________________

 

1-.*Edhe një udhëtim tjetër (frëngjisht).

2-.*Lagje me vila në periferi të Stokholmit. Banon klasa e pasur. (shën. përk.)

 

Në foto përkthyesi Adil Bicaku