ROMANI “VERA PA KTHIM” I SHKRIMTARIT BESNIK MUSTAFAJ TEK LIBRARIA “ALBANIA” NË TIRANË

Dashuria, si tërheqje ndërpersonale (Eros), është një ndjenjë komplekse e përkufizuar në një shumësi trajtash. Ajo herë emërtohet si “instinkt i mbijetesës”, “kusht i domosdoshëm për të arritur drejt vlerës absolute”, “kënaqësi për lumturinë e tjetrit”, si një kombinim mes “shqetësimit për rritjen shpirtërore të partnerit dhe narcizizmit të pastër” etj.Ky pluralitet i shfaqjes së Erosit lidhet me prerje të veçanta konceptuale që i bëhen shenjës në qytetërime të ndryshme. Ashtu siç pohon dhe Paul Kristeller-i, ndryshimet kulturore në konceptimin e ndjenjës sjellim ndryshimet në përkufizimin e saj. Varësia që krijon ndjenja “nga mjedisi social e kohor ku rritet” e bën atë të përvijojë tipare specifike.

Në romanin “Vera pa kthim”, dashuria përvijohet si sakrificë sublime, si besnikëri që shkon përtej ndarjes që sjell vdekja, këmbëngulje për t’i falur tjetrit që mungon, çdo çast të ditës tënde. Në këtë këndvështrim “Vera pa kthim” është njëherësh roman i dashurisë dhe i vetmisë së madhe. Ndjenja dhe mungesa janë ngushtësisht të lidhura me njëra-tjetrën, aq sa ndjenja provohet nëpërmjet detyrimit të vetes për vetmi, ndërsa vetmia kthehet në shenjë të besnikërisë së përjetshme ndaj partnerit.

Kësisoj romani “Vera pa kthim” mund të emërtohet ndryshe si roman i vetmisë së madhe, vetmi e cila zgjerohet në formë rrathësh ujorë. Përvoja narrative nis me trajtësimin e vetmisë së ditës së gruas që i nënshtrohet fatit të saj; vazhdon me vetminë natore të femrës që ka nevojë të çlirojë energjitë libidike të ngërthyera keqaz në psikikën e saj, kulmon me vetminë e përbashkët të aktantëve, që nuk e mbushin dot “zbrazëtinë” që boshi i vdekjes sjell.

Romani “Vera pa kthim” i shkrimtarit të njohur Besnik Mustafaj ka 290 faqe, viti i botimit – 2015, cmimi 1.000 lekë dhe gjendet në Librari “Albania” në Tiranë, libraria modestamente më e madhja në Ballkan, me dy kate, me dy turne pune në shërbim për lexuesit.