Poeti Nikollë LOKA me një tufalakim poetik
Mbi një urë
Hypur mbi një urë që s’të nxjerr më përtej,
në udhën që s’të çon as s’të kthen,
sipër ujit që s’të merr e s’të lë,
në urë, përjetësisht atje.
Ti pret krojet që u thanë dikur,
e lumin që s’të lagu kurrë,
andej nga dritëson një shteg,
këndej dhe andej,
mbi një urë që s’të nxjerr dot në breg.
Kisha mbetur pa fjalë
Në livadhin poshtë shkëmbit
që duket se po bie,
sorkadhet kullosin,
m’u sos durimi tek i shihja,
vështrova lart e iu luta zotit:
Ati ynë që je në qiell,
mbuloji këto kafshë ëngjëllore
me mëshirë!
E bash atëherë,
dolën me turr nga pylli,
një kope ujqërish të mjerë.
U ndalën në rrëzë të gurit
dhe nisën të luten e qajnë:
Ati ynë që je në qiell,
na jep diçka që të hamë!
E ndala lutjen time dhe prita,
në mes të ujqërve, atje në livadh,
sorkadhet u bënë erë atë pasdite,
ndërsa unë kisha mbetur pa fjalë.
Kur qentë lehin pa zë
Në terr po perëndonte
një ndjenjë,
ishte vonuar
e nuk po vinte një tjetër,
ngadalë po shterrej lakmia e pa fre,
askush s’e mbante më kokën lart
të adhurojë qiellin,
veç shihte për udhë
gjurmën ku po e vë,
mjaftonte një qiri për lutjen
e për dritën.
Në rrugë kuajsh,
e në kalldrëme dhelprash,
qentë vrapojnë të gjejnë prehje,
janë lodhur,
kanë lehur gjithë ditën,
nata u thotë: Mjaft me lehje!
Në heshtjen e thellë,
gjersa gjumi të zbresë,
qentë lehin pa zë,
e ngjajnë si njerëz.
Fati ynë
Fati ynë i verbër,
shtigje e leqe,
në ditë të mirë
e të keqe,
në ngjitje
s’na lënë
të marrim frymë,
në theqafjen tonë
na pështyjnë.
Se njeriu
që veç di
të zvarritet,
e urren njeriun
kur vritet,
se ai që bie
di të ngjitet sërish,
e kush
s’di të rrëzohet,
s’ngjitet
dhe mbetet një hiq…
Një asteroid
Lëviz një asteroid
në rrethin e një orbite,
ku toka s’e tërheq
dhe qielli nuk e shtyn.
Lëviz pa u lodhur
ditë pas dite,
pa patur nevojë
për askënd.
Por mjafton një bërryl
a një goditje,
që të ikë i çoroditur
qiellit të paanë,
rrëzohet marramend thi
humnerash të frikëshme,
kthehet pluhur kujtimesh
mbi një varr.
Të pret një vend bosh
T’i synosh lartësitë
pa marramendje,
e të jetosh në atë gjendje
sikur qielli s’ekziston,
t’i pushtosh horizontet
me sy e me mendje,
deri sa të arrish
edhe zotin ta njohësh!
Ta kuptosh se lartësitë
nuk të rrëmbejnë,
dhe ngjitjet
nuk janë si të fluturosh.
Edhe po rastisi
e të përlan ndonjë erë,
po të çoi lart,
nuk të josh.
Kur ta do puna
të ulesh në tokë,
mund të zbresësh lehtë
pa marramendje,
veç po e pate provuar
të jesh lart dhe poshtë,
pa ndryshuar asgjë
në jetën tënde.