Ballina ED/OP Nuk është taksë rruge. Është haraç cubi

Nuk është taksë rruge. Është haraç cubi


Nga Besmir Lushaj

Ato që sot njihen si kontigjente krimi, në të kaluarën, specifikisht në veriun e Shqipërisë njiheshin si cuba. Cubat njiheshin si grupime të dhunshme, përbërë nga meshkuj të zhveshur nga cilësitë karakteristike të malësorit. Cubat njiheshin si të pabesë, nisur nga veprat e tyre që nga vrasjet jashtë korrnizave kanunore, përdhunimet apo plaçkitjet.
Cubat nuk ishin plaçkitës demode që merrnin katandi dhe largoheshin. Jo. Cubat nuk plaçkisnin pa shijuar dramacitetin e batërdisë së tyre. Ata mësynin në shtëpi ku mungonin burrat. Karakteristike e cubave ishte të uleshin në shtëpitë ku hynin dhe të kërkonin ushqim me bollëk. Më saktë, thuajse gjithë rezervën modeste ushqimore të një familje malësore. Këtë nuk e bënin nga uria, grykësia apo babëzia. E gjithë kënaqësia përmblidhej në poshtërimin e pragut dhe siguria se lajmi do mbërrinte dhe tek burrat, tashmë të bjerrë nderi. Në traditën malësore thuhej “me qit haraç në shpi të huj.”

Taksa e re prej 5 eurosh në Rrugën e Kombit nuk mund të mos jetë përmbajtësisht pjesë e ekstazës së mendësisë së cubit. Cubi qeverisës mësyu në konakun më skamnor të hapësirës shqiptare, pikërisht në verilindjen e Shqipërisë. Aty shkoi me qit haraç. Haraçi do paguhet me një tra që ulet dhe ngrihet. Pak më tutje qëndron një tjetër tra..Edhe ky si haraç cubash. Trau tragjik i doganës së Morinës, tra haraç në epiqendër të projeksioneve qindravjeçare për unitet dhe bashkim kombëtar.
Mirdita, Kukësi, Hasi dhe Tropoja tashmë duhet të pajtohen me haraçin e traut si gur sizifi në trojet e tyre. Ngjan surreale, por është fakt. Tashmë malësorët duhet të paguajnë për të shkuar në shtëpitë e tyre.
Rajoni me treguesit e tejskajshmërisë së varfërisë, emigracionit më masiv në rang kombëtar, rajonit të harruar dhe injoruar sistematikisht nga politikat zhvillimore, tashmë i tundet edhe haraçi si zinxhirë skllevërish në antikitet.
Shqiptarët e Kosovës do jenë po ashtu atribut i haraçit të cubit qeverisës. Përtej harlisjes ligjërimore prej pseudopatrioti me Kosovën, në terren shpërfaqet cubi me traun e haraçit si shkresë e parë në tavolinën e mbledhjes së ardhshme mes dy qeverive shqiptare, e cila simbolikisht mund të mbahet poshtë traut.
Haraçi nuk mund të jetë kurrë taksim. Konsiderohet haraç ajo çfarë vendoset si detyrim mbi pamundësinë.
E tillë është lajthitja në fjalë, parantezë e një afere të qartë korruptive, gatuar tinëzisht në oxhakun pa tym të verilindjes së varfër shqiptare.
Haraçi, o bartet, o shpaguhet. Historia flet qartë në këtë drejtim.
Sot për sot, cubi shijon ajsbergun e delirit, pikërisht poshtërimin e verilindjes së Shqipërisë këtej traut, dhe Kosovës, andej traut tjetër,
Ky është cubi. Vigjilent në haraç. Soditës në kërbaç!