PLAVA DHE GUCIA, NËNA E MADHE E ALPEVE SHQIPTARE

Nga Mark Zef Marku (Shkorreti)

 

Në Plavë dhe Guci, dy “margaritarët me bukuri si askund tjetër në Europë”, siç thotë akademiku Rexhep Qosja në shkrimet e tij, ku flitet shqip, dhe jo vetëm për turizmin, por për shumë e më shumë. Flitet për historinë, kulturën, identitetin e banorëve të kësaj zone dhe detyrat e Tiranës së pari e mandej të Prishtinës për ta ruajtur këtë identitet.

Për t’u njohur me historinë e kësaj zone gjithkush mjafton të lexojë vargjet e “Lahuta e Malcisë” për Betejën e Nokshiqit. Është një betejë shumë e rëndësishme historike. Është beteja më e madhe dhe të parat të Rilindjes Kombëtare për mbrojtjen e tërësisë territoriale të shqiptarëve.

Është betejë që ka ndodhur në fshatin ku ka lindur poeti shqiptar Esad Mekuli. Kongresi i Berlinit i ngriti në këmbë. Pas Vendimit të këtij Kongresi populli është mobilizuar. Është një prej luftërave të para, të cilën nuk mund ta quajmë luftë lokale, sado luftërat shqiptare për fat të keq kanë qënë lokale, në të kanë marrë pjesë shqiptarë prej pjesës që tani është Shqipëri, Krasniqe dhe prej Dukagjinit. Beteja është bërë në Nokshiq. Mali i Zi ishte me një ushtri të rregullt të komanduar nga Mark Milani me origjinë shqiptare, që e pranon edhe vetë, kur kanë ardhur forcat shqiptare prej Dukagjinit, Rugovës, Prizrenit e Pejës, ata u kanë rënë pas shpine malazezëve dhe i kanë hedhur në lumë. Në atë betejë kanë marrë pjesë shqiptarët e Plavës dhe Gucisë. Që në kohët e hershme Plava e Gucia kanë qenë të banuar nga Shqipëtarët, por kohë pas Kongresit të Berlinit (1878), Plava e Gucia i bashkohen Malit të Zi, ku deri në ditët e sotme ka mbijetuar nëpër probleme që e kanë përcillur, tani ajo kryesisht banohet nga Boshnjakët (Myslimanë),të cilët janë Shqipëtarë të asimiluar nga Pushteti Malazez në mënyra të ndryshme. Sot Shqiptarët përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë, kryesisht të përhapur në fshatrat e mëdha Vuthaj e Martinaj, pak në qytetet Plavë dhe në Guci.

“Për fat të keq, për historinë shumë të pasur të Plavës dhe Gucisë, për historinë shumë tragjike të saj, historianët shqiptarë kanë shkruajtur shumë pak dhe rrallë ose fare. Nuk dihet gjërësisht, në masë ashtu siç duhet, historia e Plavës dhe e Gucisë. Nuk ka kujtime për këtë luftë?! Nuk ka kujtesë. Do të bëhet, por kanë kaluar shumë vite”,, shprehet profesor Rexhep Qosja. Ndërsa më herët, në shekullin e kaluar, Fishta i madh tek kryevepra e tij “Lahuta e Malcisë” thotë se në Guci është “Ora e Shqypnisë”

Të shkruash disa vite pa u ndaluar është një punë shumë admiruese, e aq më e admirueshme bëhet kur kjo është edhe si tashëgimi tre breza më përpara, pra këtu kemi një poet, një publicist, një shkrimtar, me Ramiz Lushaj, i cili shpërfaq para lexuesit një histori të gjatë në rrugëtimin e tij krijues e shkrimor si poet, e që ka bërë një vëllim poetik “Për Ty, Plavë-Guci” kushtuar kësaj zone plot histori. E cila, pak është e shkruar për të, ashtu siç e thekson edhe profesor Rexhep Qosja.

Në periudhen e Rilindjes Kombëtare, Plava dhe Gucia ishin dy qytete shumë të çmuara dhe shumë të rëndësishme shqiptare. Sa dhe pse ishin të çmuara dhe të rëndësishme vlerat e Plavë –Gucisë i tregojnë edhe studimet e autorëve shqiptarë dhe të huaj, që kanë shkruar. Lugina e Plavë-Gucisë, një bukuri përrallore, e strukur atje ku “miza bren hekurin”, në këtë shekull duket e braktisur dhe e ndrojtur nga stuhitë e historisë, të cilat në të kaluarën asnjëherë s’e kursyen. E vendosur në një hapësirë 535 kilometrash katërorë, Lugina e Plavë-Gucisë duket si një nyje që sot ndanë, po në të ardhemn uroj të bashkojë Shqipërinë me Kosovën e Shqiptarët nën Malin e Zi. Për historinë e vlerat e Plavë-Gucisë e tregojnë edhe vargjet e poetëve më të mëdhenj kombëtarë: Naim Frashëri dhe në veçanti, Gjergj Fishta. Gjatë kësaj periudhe të çmuar dhe të rëndësishme për vlerat kombëtare do të bëhej tribunale Plava e Gucia për luftën atdhetare kundër pushtuesve Sllave të Serbisë e Malit të Zi.

Lugina e Plavë-Gucisë përshkohet nga lumenj të pasur me ujë, të cilët para se të mbushin liqenin e Plavës i lagin fushat anash, ndërsa rrethohet nga male të larta deri mbi dy mijë metra, të mbuluara me kullosa e dru, ku bora plotëson koloritin e kësaj gjeografie aq atraktive për turizmin malor, sot aq të popullarizuar.

Për këtë Luginë të Plavë-Gucisë, që është edhe më e bukur se Zvicra, udhëpërshkruesit, si në librat shkollorë dhe në librat e tjerë historikë, por edhe në poezitë e bukura për këtë vend nuk anashkalojnë këto bukuri dhe nuk i shmangin dot në shkrimet e tyre.

Gjithnjë kam vlerësim maksimal dhe i admiroj e çmoj lart ata njerëz, publicistë, historian, poetë, që shkruajnë për vlerat njerëzore, intelektuale dhe historike të vendlindjes së tyre, krahinave të vendeve ku kanë banuar e banojnë shqiptarë, pamëdyshje ata i bëjnë një shërbim të madh pasurimit të historisë së këtyre vendeve dhe historisë tonë kombëtare.

Një ndër njerëzit e preferuar nga unë e që e vlersojë për shkrimet e tij si publicist, si historian, si shkrimtar dhe poet i nderuar, është zoti Ramiz Ali Lushaj, i cili përcjellë për lexuesit një vëllim poetik si ku “Për Ty, Plavë-Guci”, që lexova me kureshtje dhe ndjesi të thellë admiruese.

E lexova jo pa emocion këtë vëllimin poetik të zotit Ramiz Lushaj, lindur e rritur në Malësinë e Gjakovës ku rrjedh nga një trung familjarë me tradita të larta atdhetare e patriotike brez pas brezi, i biri i Ali Lushës – një burri me viryte të larta patriotike e atdhetare, një njeri i luftës me armë në dorë për çlirimin e vendit, i mendjes, i punës dhe i penës, ku pas çlirimit ka kryer detyra të rëndësishme. I lindur në Gegaj të Malsisë së Gjakovës. Kariera e tij e gjatë në punë ndryshme drejtuese në rreth dhe në bazë, e bënë Ali Lushajn një figurë të njohur dhe personalitet me emër në Malësinë e Gjakovës.

Patriotizmi e atdhedashuria në Derën e Lushajve mbahet mend në shumë brezni. Gjyshi i Ali Lushajt, dëshmori Zenel Mehmet Lushaj ra në fushën e nderit duke luftuar me armë në dorë kundër forcave pushtuese të Perandorisë Otomane në vitin 1912. Ai është Dëshmor i Pavarësisë Kombëtare Shqiptare. Xhaxhai i Ali Lushajt, Niman Ukë Lushaj bie duke luftuar me armë në dorë në përpjekje me forcat serbe, për të mos u harruar kurrë. Gjyshi i Ramiz Lushajt, Musë Zenel Lushaj – ishte pjesëmarrës në shumë beteja, si në Luftën kundër otomanëve në Qafë-Morinë në vitin 1912; në luftën kundër serbo-malazezëve në vitet 1913 dhe 1915; në luftën kundër austro-hungarezëve në vitet 1916-1918. Nga ana tjetër, ai, Musa, ishte pjesëmarrës aktiv me Bajram Currin në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924.

Ali Lushaj, i ati i poetit Ramiz Lushaj, ishte ai që e dëshiroj me shpirt vendlindjen e tij dhe kishte dëshirë ta thërriste “Malësia e Gjakovës”, ku i kushtoj edhe një libër: ‘’Shipshani i Malësisë së Gjakovës,,. Shipshani është kojshi me Plavë-Gucinë, siç e shkruan edhe poeti Ramiz Lushaj në librin e tij poetik. Kjo dëshirë e dashuri bëri që librit të tij të parë Ali Lushaj ia vuri emrin “Shipshani i Malësisë së Gjakovës”.

Ndaj, jo pa qëllim, e ceka në këtë shkrim timin prejardhjen e këtij poeti, publicisti, historiani e shkrimtari shumë apsionant i historisë dhe i kulturës së Kombit Shqiptar e, në veçanti të Malësisë së Gjakovës, pasi veprimtaria e tij ka një lidhje organike në disa brezni me të parët e tij. Ndjenja e patriotizmit, atdhedashurisë e dëshirës për të njohur e shkruar historinë me të vërtetat e saj, e ka shoqëruar gjithmonë njeriun, por edhe në rastin konkret ka nxitur edhe më shumë poetin Ramiz Lushaj të shkruaj këtë vëllim poetik “Për Ty, Plavë-Guci”.

Në këtë vëllim me poezi: ‘’Për Ty, Plavë-Guci”, që është një Hymn Poetik, Ramiz Lushaj analizon në mënyrë krejt origjinale e me një kujtesë fenomenale galeri njerëzish e karakteresh, data e ngjarje në vite, që të emocionojnë ato. Duke lexuar këto poezi të librit poetik të tij njihemi me pjestarë të familjeve patriotike të Plavës e Gucisë, që janë kojshi me Malësinë e Gjakovës, prej nga është edhe vetë autori Ramiz Lushaj.

Poeti Ramiz Lushaj si një arkivë e gjallë e njohës i mirë i këtyre vendeve, bën me vargjet e tij të flasin e dëshmojnë një copëz histori nga kombi ynë, fakte të njohura e të pa njohura, për luftën e bërë prej një mijë vjetësh, si thotë poeti për trojet e veta etnike edhe në Plavë-Guci me atdhedashuri për kombin shqiptar, të cilët kanë dhënë në breza një kontribut të madh,e trimat që kanë flijuar edhe jetën për vendlindjen e tyre.

Plavë-Guci:
…………….
Palcë e asht i Kombit
Në një mijë faqe…
……………..
Plavë-Guci:
Arbani e Vogël.
Ballkon i Alpeve.
Fortesë e Pejës.
Derë e Shkodrës.
Kojshi e parë e Malësisë së Gjakovës.
………
Plavë-Guci:
Luftë me shtatë krajli.
Djepe në gjashtë kontinente.
Lavdi sa për tetë planete.

Libri me poezi “Për Ty, Plavë-Guci” ka një strukturë lineare të ndërtuar mjaft mirë. Poezitë na paraqiten në tërësinë e tyre, të lidhura me njëra-tjetrën si gurët kilometrikë të jetës plot dallgë të Plavë-Gucisë, të njerëzve atje, që jetojnë edhe sot, jo vetëm në trojet shqiptare të tyre, por nga ky vend ka shumë emigrantë në disa shtete të botës, deri në Europë, Amerikë, Kanada, etj,, por që në ditë të vështira erdhën t’i dalin zot Kosovës.

Zoti ju mblodhi ju atdhetarë të Plavë-Gucisë,
Flatruat kaltërsitë me Batalionin “Atlantik”…
……………………………………………………..
…Vinit nga Amerika, nga ky planet i largët,
Me ia sjellë Kosovës dardane Pavarësinë.

Teksa lexon këtë vëllim poetik të autorit Ramiz Lushaj ndjen dashuri e mirënjohje,atdhedashuri, vlerësim për veprimtarët e lirisë, po natyrisht që ndjen edhe dhimbje…Autori në vargjet e tij si poet tregon kujdes shpirtëror për njerëzit e mrekullueshëm trima në atë vend të Plavë-Gucisë, duke na dhënë vyrtytet e fisnikërinë e tyre të lartë.

Ngjan si kreshnik i fisit të lashtë të Hotit,
Rrufe-hedhës me bubullima lëshojnë retë,
Si Zeus i ri lufton në mbrojtje të Kombit…
……………………………………………….
…Tuj-e larta-ngrit mbi Plavë-Guci.
Në këtë vend me njerëz të shenjtë e plot lavdi.
Në këtë vend të bekuem me natyrën mrekulli.
Një maje-mal me histori…

Në poezitë e tij Ramiz Lushaj ka shpirt e frymëzim poetik, ku jetën, historinë, dhimbjen dhe revoltën e shpreh në vargje, ku ngjarjet janë të paraqitura prej vitesh, luftërat ishin shumë të ashpra. Në këtë vend të lavdishëm të Plavë-Gucisë edhe pena e poetit dhe e historianit Ramiz Lushaj shkruan për të mos u harruar asnjëherë ato.

Vargjet e poetit Ramiz Lushaj rrjedhin trishtueshëm nga shpirti i poetit dhe përcillen tek lexuesi. Për origjinalitetin e saj poezitë e tij të lenë psherëtimen e thellë të dhimbjes së përjetuar përgjatë historisë:

Shkambi ende kullon gjak,
Nga gjak i Kelmendasve të Historisë,
Nga gjak i Ali Pashë Gucisë…
Oh, bree-e…, Rexhep Dedushaj,
Aty e ngjyen penën e vet të historianit,
Në çdo fjalë e në çdo rresht,
Nuk i ndahet luftës me serbë e malazezë,
Tash 100 vjet…
Tash 1.000 vjet,
Si të parët e si nipat e vet.
Të falem, o Rexhep !

Poeti Ramiz Lushaj sjell në vëmendje padrejtësitë e bëra ndaj Atdheut duke e coptuar kombin tonë e që ende për fatin e keq mbetet i copëtuar për shkak të vendimeve të padrejta të Europës, por që gjejmë optimizëm për të ardhmen:

I ndanë dardanët e Plavë-Gucisë,
Në tre shtete të botës.
Andej dardanët e Malit të Zi,
Këndej dardanët e Shqipnisë e të Kosovës…
….
Mali që e rrethaton Shkambin e Vujkut
Në këto tre shtete,
Nga Vrrini deri në bjeshkë merr lartësi
“Parku Ballkanik i Paqes”,
Po e thirrnojnë modernët e shek. XXI…
……………
Dekteri kur dardanët t’i bashkojnë mend e troje.
Deri kur Europa të mos i ketë këta Kufinj Turpi.

Autori Ramiz Lushaj në këtë libër poetik paraqitet edhe si njohës dhe analist shumë i mirë i realiteteve historike dhe gjeo-politike globale të Shqiptarëve dhe të Plavë–Gucisë. Ky Rrugëtimi i tij përgjatë histories, me këto poezi të përmbedhura në këtë botim poetik për disa vite, është udhëtim shpirtëror që lidhet me karaktere epike dhe lirike të poetit. Rrugëtim në histori me njerëz trima e dragoj’, me ide dhe ëndrrat e njerëzve, me idalet e tyre për të mos lëshuar trojet e të parëve, për t’u bërë theror për to, duke mbetur të pavdekshëm.

O Hoti i Vendit t’i kofsh bekue,
Ke rrit’ trima të fortë si drangue…
……………………………………
Malet luajnë vendit kur bie tërmet,
Hotjanët – lisa jete në truell të vet.
……………………………………
N’lindje t’luleve deri n’kohë t’internetit
Za të madh i ke lanë kohës e vedit.
………………………………………..
Në luftën legjendare të Nokshiqit
Emën të madh i kanë dhanë fisit.
……………………………………
Mbi Liqen të Plavës i jep jetë gurit,
Si shqiponja valvitjes së Flamurit.
Dhe Hoti i Vendit ka luftue 1.000 vjet,
Me pas Shqipnia 100 vjet Shtet…
———
Sa është jeta jote, o çikë e lirisë,
Ajshe Gjonbalaj, “NORA” e Plavë-Gucisë:

“Plava e Gucia janë çelik kalaja e Shqipërisë.Të lejosh dorëzimin e Plavës e Gucisë armikut, është si t’ia japësh atij çelësat e Atdheut e t’ia hapësh dyert e Pejës e të Gjakovës” – ka pasë deklaruar Haxhi Zekë Biberaj, burrështetas i madh, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Poeti Ramiz Lushaj shpreh revoltën e tij dhe i akuzon bashkarisht ata që duhet të jenë aktorët e zgjidhjes së çështjes të trojeve tona etnike:

Politikën Shqiptare
në Tiranë,
në Prishtinë,
në Podgoricë
në Amerikë…
E marrtë FLAKA…
në lanshin Plavë-Gucinë mbrapa…
Në i lanshin Shkijet me ba çka kanë nëpër mend…
Me i farue Shqiptarët e me me e marrë këtë Vend…”

Përfitoj nga rasti të uroj Ramiz Lushaj për librin poetik “Për Ty, Plavë-Guci” si dhe të uroj të shkruani sa më të gjatë me penën tuaj, që me memorien Arkivë, me dijet dhe kulturën tuaj tashmë edhe të trashëguar ashtu si deri më sot, të leni si trashëgim për brezat edhe libra të tjerë të rinj me vlera historike e letrare.

Me Respekt

MARK ZEF MARKU (SHKORRETI)

Ushtarak i Lartë në Rezervë. Studiues e veprimtar shoqëror.