KU NDODHET KUFIRI I KOSOVËS ME MALIN E ZI?!

Nga Rexhep  DEDUSHAJ *

 

Kohëve të fundit po flitet shumë dhe është problemi aktual i madh Ratifikimi i Kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Politika në Kosovë është ndarë në kampe, që janë ballëpërballi: Opozita thotë se janë shitë tokat shqiptare, ndërsa Qeveria e mohon…! Po, cila është e vërteta? Çfarë thonë matanë kufitit shqiptaro-shqiptar?

Për të siguruar më mirë se kah shtrihet vija kufitare e vërtetë, bashkëbiseduam me Avdi Brahim Nokshiqin.  Gjyshi i tij, Zhuji, kishte rënë në luftë me malazezët në vitin 1913. Babai, Brahimi, ishte rritur bonjak. Nga Nokshi kalojnë në Rugovë, e para 35 vitesh vendoset në Zatra të Pejës, së bashku me 7 djemtë e vet. Tre prej të cilëve, që nga viti 1980 ndodhen në Suedi. Investojnë në vendlindje duke e ngritur restorantin modern, që e pagëzojnë me emrin “KALAJA e NOKSHIQIT”, si personifikim i Luftës të Nokshiqit.

Në atë luftë, në Luftën e Nokshiqit, nga kjo familje kishte mbetur Zhuj  Sadiku dhe dy femra -njera në luftë dhe tjetra ishte djegur në kullë. Që nga ajo luftë e më pas, asnjë mashkull në Nokshiq, nuk i ka ba 40 vjetë, por të gjithë vriteshin në përpjekje me shkijet – thotë Avdi Nokshiqi.

Ai, me revoltë, shton se edhe pas vitit 1944 kemi përjetuar shumë vuajtje si Nokshiqi, ashtu edhe krejt krahina e Plavë-Gucisë. Atbotë, si i thoshin “Koha e Shqypnisë”, bash në fillim të Viteve ’40,  të ndihmuar nga Ferrajt e Plavës, Imer Maliqi-Buçaj dhe zavëndësi i tij, nënkapobanda Bali Bajrami Mekulaj, e mbronin kufirin shumë të rrezikuar.

Atëbotë mbeti i vrarë te Ura e Murinës, Lan Selimi i Llukës. Imer Maliqi se lëshonte frontin që nga Sjekirica e në Qafë të Prijedorit, mbi Shekullar. Prej aty e deri në Mokna e mbronte kufirin Xhemë Bajraktari i Arzhanicës. Kur u vra Imer Buçaj në Prijedol dhe u varros me Lan Selimin te xhamia e Arzhanicës…

Prej Moknave e deri në Qafë të Çakorrit e mbajtën frontin, kufirin,  Rugovasit. Ndërkohë u vra Xhemë Bajraktari e Azem Mehmeti – të Arzhanicës dhe Bali Bajrami i Nokshiqit që mbetën në  Shekullar.

Në Çakorr egzistojnë varret e 4 Kukalajve të Drenocit të Deçanit dhe ai i Sahit Mehmetit të Logjes (Loxhes).  Aty janë edhe dy  “Kulla të Mbretit”  dhe varret e Jakup Bullës të Nokshiqit e një tjetër, që nga viti 1913.

Në Qafë Vraqevë  ekzistojnë mbi 20 varre dëshmorësh nga Rrafshi i Dukagjinit, në krye me Hajdar Jupen e Becit të Gjakovës .Aty ka edhe të nokshiqas.

Në Çakorr, si shenjë i kufirit është edhe Kulla në “Shejtan Tepe”.

Në Vaganicë janë 12-13 varre nga ushtarët e Shaban Polluzhës, që kishte shkuar në mbrojtje të Sanxhakut.

Te Kershi i Harushës gjendet “Kulla e Mbretit” në bjeshkën e Arzhanicës në Mokna. Pastaj “Kulla e Madhe” me 52 dhoma (shtabi kryesor i Ushtrisë Osmane e mbronte kufirin me Malin e Zi (e gjendet në Pod të Moknave).

Si shenjë kufiri është edhe guri ku u vra Sokol Çela i Çel Shabanit të famëshëm, i vrarë më 1913. Aty afër janë edhe nja 60-70 gurë varresh të Batalionit të Prizrenit, të cilët ranë në luftë në vitin 1919.

Te “Bajram Kulla”, në Qafë të Javorkut, ra dhe u varros dëshmori Grosh Ibra me Ibish Sahitin, të Rugovës dhe me një tjetër nga Shqipëria Londoneze dhe një nga Kusuriqi i Kosovës. Të gjithë të gjuajtur në një varrezë të përbashkët.

Nga Maja e Prehtë deri në Qafë Bari kufirin e mbronte Xhuk Haxhia me vullnetarët e vet.

Prej Qafë Meterizit e deri në Murgashë kufirin e mbronin Tahir Coli e Sali Rama.

Prej Murgashit e deri në Smilevicë kufirin e mbronte Rizë Zymeri me Sak Fazlinë – bajraktarin e Rugovës, që u vra dhe u varros në Smilevicë, vet i treti.

Nga Qafa e Diellit kufiri del te Kershi i Ujkut dhe në  Qafë Vranicë.

-Ky pra, është kufiri i Kosovës me Malin e Zi, i mbrojtur dhe i larë me gjak, ku gjenden me dhjetra e dhjetra varre të dëshmorëve, të cilët s’bënë të mbetën nën Malin e Zi agresor – tha me zemërim malësori nokshiqas në mbyllje të bisedës së tij.

 

_______

*Historian shqiptaro-amerikan, i origjinës nga Vuthajt e Plavë-Gucisë. Ka shkruar disa libra monografik për krahinën e Plavë-Gucisë, për Kosovën, për Diasporën Shqiptare në Amerikë.