Të nderuar miq,
Dua të ndaj me Ju letrën që unë u kam dërguar të gjithë deputetëve në Parlamentin shqiptar para votimit për ratifikimin e Malit të Zi në NATO…
1. Komuna e Tuzit
2. Ligji mbi të mirat detare
3. Problemet rreth Kripores së Ulqinit
4. Fjalori
5. Përfaqësimi politik në qeveri, në administratë shtetërore dhe mashtrimet politike me “heqjen” e ministrit shqiptar
6. Ligji për pakicat dhe Ligji mbi përdorimin e simboleve kombëtare
Shpjegim:
1. Prej viteve të te 90-ta, kërkesë politike e subjekteve shqiptare është komuna e Tuzit. Është për momentin komune urbane, pjese e kryeqytetit, pa asnjë kompetencë ekzekutive, është prodhim i marrëveshjes Dinosha-Gjukanoviq, para referendumit për pavarësi, veç sa të thuhet se u lëviz diçka.
Në praktikë është tregua se ky koncept kur nuk ke asnjë kompetencë ekzekutive, e posaçërisht kur nuk ke buxhet, por për te ble një kimik duhet leja nga Kryeqyteti – Podgorica, është kontraproduktiv .
Ekziston refuzim konstant qe Malësia ta fitojë statusin e komunës. Në dy vitet e fundit, janë formua dy komuna te reja, Petnica e cila është me shumicë Boshnjake, ne veri te Malit te Zi. Komuna tjetër e re e formuar është Gucia, ish pjesë e Plavës. Partitë shqiptare ishin kundër ndarjes se Gucisë nga Plava, sepse në Guci ka mbetur pjesa me e madhe e shqiptarëve të atij rajoni, e me këtë në Plave mbetur rreth 5 %.
Tani ne Guci ka rreth 40% shqiptarë. Formimi i komunës se Gucisë bëhet për t’i përçarë edhe më shumë shqiptarët në Plavë dhe Guci, ku ka mbet një numër i vogël, nga kjo komunë dikur me popullsi mbi 70% shqiptare. Aksioni i thërrmimit të indit shqiptar u realizua plotësisht.
Për Tuzin gjithmonë është thënë se, nëse ndahemi nga Podgorica, ekziston rreziku real që kryeqyteti të bien në duart e opozitës, që është një e gënjeshtër e madhe, të cilën e përdorin për të “bindur” ndërkombëtarët dhe për ta mbuluar politiken antishqiptare.
Në fund të vitit te kaluar në parlament është votuar qe komunave urbane në kuadër të Podgoricës tu rriten kompetencat, me këto ligje do të kishim diku rreth 70% te kompetencave që kanë komunat aktuale, pra nuk duan të na lejojnë statusin e komunës si të Ulqinit, por të mbetemi të varur nga Podgorica. Mirëpo, as këto ligje nuk i zbatojnë. Hyrja në fuqi është dashtë të jetë në afat prej 90 ditësh, që kanë kaluar me 15 prill, dhe nuk ka lëvizje për një gjë të tillë. Po punohet me të madhe në Podgoricë për planet urbanistike të Malësisë. Me ligj të ri këto kompetenca do të duhej t’i takojnë komunës sonë, por qëllimi i tyre është të përfitojnë nga situata, e ndoshta edhe të japin farë leje ndërtimi për ndonjë kompleks ndërtesash, që, herët a vonë do të ndikonte në ndryshimin e strukturës së popullsisë së Tuzit. Projekte të tilla presin nëpër sirtarët e pushtetarëve të Podgoricës, siç është ai për shembull për zgjedhjen e problemit të banimit të punëtorëve në ndërmarrjet e kryeqytetit, dhe ato aktivizohen në momentin e duhur.
Nga fillimi i kërkesës për komune e deri tash kemi përjetuar ndryshimin e strukturës nacionale të popullsisë. Deri para 10 vjetësh, shqiptare ne Malësi kishte 90%, sot jemi 70% dhe ky trend negativ do te vazhdojë.
2. Ligji mbi te mirat detare, definon mënyrën e menaxhimit te bregdetit, pra plazheve. Kjo ndërmarrje për menaxhimin e plazheve e ka selinë në Budva. Mbi 60 % ne plazheve qe i menaxhon ndërmarrja i takojnë Ulqinit. Kjo ndërmarrje 50% të mjeteve të bashkuara nga menaxhimi ua kthen komunave, tjerat i mban. E pasi pjesën më të madhe i merr në Ulqin, këto mjete nga Ulqini kryesisht i investon në Budva.
Argument tjetër është përcaktimi i linjës së te mirave detare, pra përcaktimi se cila sipërfaqe është nën menaxhimin e Të Mirave Detare. Linja e menaxhimit është përcaktuar me Ligj. Kjo linjë është definuar në 6 m nga fundi i plazhit. Ne Ulqin kjo linjë zgjatet deri në 3 km nga përfundimi i plazhit. Në zonën e menaxhimit të kësaj ndërmarrje nuk lejohet ndërtimi, dhe qindra hektarë të pronës se shqiptarëve, apo pjesa më e bukur dhe më me vlerë është pothuaj e bllokuare nga ky ligj. Kështu që shqiptarët, në vend të investimeve në këtë pjesë të tokave të tyre, tokën e vet mund ta përdorin vetëm për bujqësi, e jo për një fushë shumë më fitimprurëse, siç është turizmi.
3. Kriporja e Ulqinit si ndërmarrje është privatizuar, dhe në këtë mënyrë trualli ka kaluar në shfrytëzim të “blerësit”. Sipërfaqja e truallit të Kripores 15 milion m2. Ndërmarrja është shitur për 700 000 EURO, por Qeveria me çdo kusht tenton që t’ia pranojë “blerësit” edhe pronësinë mbi tokën, që gjendet në pjesën më të bukur të Ulqinit, e që më vonë truallit t’i ndryshohet destinimi dhe të bëhet zonë e ndërtimit. Bashkimi Evropian ka bërë shumë në ruajtjen e mjedisit si të tillë në zonën e Kripores. Këtu veçohet ambasadorja e Gjermanisë, që e ka paralajmëruar bllokimin e kapitullit 27 në procesin e negociatave për anëtarësim në BE, nëse kjo nuk shpallet zonë e mbrojtur. Por edhe përkundër qëndrimit të prerë të autoriteteve ndërkombëtare, Qeveria heziton (më mirë refuzon) ta marrë një vendim të tillë.
4. Rasti më i ri i Fjalorit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi është rast eklatant i mendësisë më të lartë (akademike!) malaziase, që provon se qëndrimi i tyre ndaj nesh si komb, dhe ndaj fesë islame (edhe këtu na prek neve, gjegjësisht shqiptarët e fesë islame!) nuk është shkëputur nga korpusi i qëndrimeve serbomëdha, që ishin aq të gjalla në dekadat që i lamë pas. Për aq më keq, shumica nga grupi i autorëve dhe redaktorëve të këtij Fjalori i takojnë “opozitës promalaziase” të kyçur në lëvizjen qytetare ORA, e cila është momentalisht njëra nga tri strukturat politike që imponuan krijimin e “Qeverisë së Mirëbesimit Zgjedhor” në Mal të Zi.
Akademikët malazias si dhe grupi i autorëve dhe redaktorëve të Fjalorit ende “nuk e kanë të qartë gabimin e bërë”, e jo më të gjejnë fuqi ta pranojnë atë dhe ta ndërmarrin hapin e vetëm të drejtë – tërheqjen e Fjalorit nga qarkullimi.
E njëjta gjë është edhe me Parlamentin dhe Qeverinë e Malit të Zi, që absolutisht nuk po ndërmarrin asnjë hap në këtë drejtim.
5. Është hera e parë nga viti 1997 që shqiptarëve nuk u është dhënë posti i ministrit të pakicave. Në mandatin e fundit posti i ministrit i është dhënë një boshnjaku nga partia në pushtet.
Sipas statistikave zyrtare, në administratën shtetërore shqiptarët janë të përfaqësuar vetëm me 1% të të punësuarve, ndërkohë që në nivelin e shtetit shqiptarët përbëjmë 4,9% (për dallim nga viti 1991 kur ishim afro 7%).
Edhe në rastin e fundit kur u kërkua votëbesimi i qeverisë, po e njëjta sërish i mashtroi përfaqësuesit shqiptarë që e mbështetën atë, duke mos e realizuar as edhe një pikë nga marrëveshja politike që patëm me ta.
Gjithashtu në ndërkohë është zvogëluar edhe numri i siguruar i deputetëve nga zonat shqiptare prej 5 në 4.
6. Me Ligjet rigide në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pakicave, në një shtet që deklarohet si shtet qytetar (sipas konceptit të tyre të qytetarisë!) ku nuk do të duhej as të ekzistonte problemi i pakicave, por i qytetarëve, shteti malazias nuk i pranon të drejtat e kombeve autoktone, që sipas të drejtës ndërkombëtare do të duhej të kishin mbrojtje maksimale të identitetit të tyre. Për aq më tepër, edhe pse ekziston Ligji për përdorimin e simboleve kombëtare, ai lirisht mund të riemërohet në Ligjin për ndalimin e përdorimit të simboleve kombëtare, veçanërisht për ne shqiptarët. Kjo çështje, si edhe shumë çështje tjera jetike janë lënë në fushën e vullnetit politik të partisë në pushtet, pra “mund të përdoren derisa të mos pengojnë dike…”
Rasti i fundit i procedimit gjyqësor të një shqiptari nga Ulqini që në objektin e tij afarist ka lejuar përcjelljen e lojës së kombëtares shqiptare dhe tifozerinë për të duke përdorur flamurin shqiptar, me ç’gjë “…ka prishur rendin publik duke e përdorur flamurin e një shteti tjetër, gjë që sanksionohet me ligj” tregon më së miri gjendjen alarmuese dhe nënçmuese të shqiptarëve në Mal të Zi.
Së fundmi, në situatën e tillë politike dhe të rëndimit të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi, pritja e shumicës absolute të shqiptarëve është që ju si shtet amë të kërkoni përgjigje për këto raste dhe rezultate konkrete para se ta “kryeni punën”. Edhe herëve tjera ia keni dhënë Malit të Zi fletëbesimin bianko, gjithmonë pa kërkuar as më të voglin kusht lidhur me pozitën tonë, gjë që u obligon edhe neni 7 i Kushtetutës së Shqipërisë, por edhe konventat ndërkombëtare lidhur me çështjen e pakicave (ta përkujtojmë vetëm angazhimin e klasës politike të Republikës së Shqipërisë në kohën e Referendumit për pavarësimin e Malit të Zi, Ftesës për NATO për te, e shumë raste tjera…).
Pra shtyrja, për shembull për një muaj, e vendimit dhe pritja e reagimit të tyre mendoj se do të ishte një gjest domethënës, të cilin më në fund do ta kuptonte edhe nomenklatura udhëheqëse e Malit të Zi.
Që 26 vjet përfaqësuesit politikë shqiptarë të krejt spektrit politik u munduam në mënyra të ndryshme të shtyjmë sadopak përpara pozitën tonë, por rezultatet janë më se dobëta. Jo se të gjithë kishim vetëdije të ulët politike dhe mungesë aksioni, por për arsye se kemi të bëjmë me mashtrues ordinerë para të cilëve po paraqitet e pafuqishme edhe diplomacia evropiane, e jo ne. Andaj, jemi më se të bindur se progresi aq i pritur i pozitës sonë kolektive është i pamundur pa angazhimin serioz dhe këmbëngulës tuajin. Përndryshe, trevat shqiptare në Malësi (Tuz), Krajë, Ulqin do ta kenë fatin e Rozhajës, që ka mbetur vetëm si kujtim historik i prezencës sonë kombëtare. Përgjegjësia juaj është tepër e madhe!
Me respekt,
Nik Gjeloshaj,
Deputet i Alternatives shqiptare ne parlamentin e Malit te Zi