Ballina Enciklopedi AJKUNË E RE

AJKUNË E RE

 

AJKUNË E RE

 

T’shtifsha n’dhé Ajkunë,
qysh i çave gurt’ e bjeshkës
gjethet i lshove përtokë,
qorrove ditën,
i çmende lisat prej piskame.

T’hiftë dreqi n’bark!
Ke njimijë vjet mbi ftyrë t’tokës
si zanë idhnake
tuj rrokullis gur malli me mblue vorret.

Del prej vaji
t’vraftë Zoti i madh!
Dënimi që more
s’ish aq i randë.
Kqyru n’mue
as s’ke me hangër,
as me pi,
as me fjet.

A mendon se asnji deg’ e thyeme
s’ka ra mbi ne,
se nuk i ka vu kush buzët n’krue tonë?

Zbrit prej bjeshke e kqyr!
Ka kaq shumë t’vram’
dek’ e pa dhán shpirt,
mbi vorrin e hapun.

Mos brit Ajkunë!
Kqyre me ata sy t’bukur
t’parin e shpisë,
vorfnue n’tym t’duhanit,
me syte përdhé
ata që n’ndrrim t’motmoteve
s’munden me e ble pemën e krishtlindjeve,
nuset që n’cep t’pajës kanë palue trishtimin.

Kado shkel káma e kalit
n’két vend mërgohet.
Omeri i ri qysh n’bark
muer dynjanë,
pa ja dhanë nji gotë uj’ nanës
n’dit t’pleqnisë.
Kqyri kufomat e mia
dalun si prej fushave t’minueme,
ulu rrázë pemëve
s’vjen má aromë dielli mbas shiut.

Del prej vaji Ajkunë bre motër
nji palë petka kam me t’i pre mas shtatit,
tamël gjini kam me t’dhánë,
e bashkë me kndue
për gjethin e ri,
për ujin e ri
për dorën që djeg.

Puthma mermerin e ftohtë Ajkunë!
Futi tirq galanat e dashnisë s’pamujtun
n’bir t’dheut me mue.
Kam me i lá n’ vaj argjendi
e me kmishën e lintë vesh
me jetue jetën e vorrit.

Ruej se t’ndij tuj vajtue,
se t’baj me ardh n’ket ferr,
e me ma lshu mue parajsén tánde.

Kambzbath ta kalojmë lumin
nëpër gurë
herë të mardhuna,herë tuj u kall.
Bahena shtriga malesh
t’përparueme má shumë se duhet
që edhe vdekjen e fusin n’shtrat
e dashninë e kndojnë ma fort se e qajnë.
Má mirë me u djeg
se me u kalb si lisi n’bjeshkë.

Rafsha unë n’vorrin tand
nëse shtatë palë qiejt
s’kanë me lshue mbi ne,
nji grusht dhé t’bardhë
se e dinë mirë që nën fré
nuk kalërohet…

Elida RUSTA

Shkodër, 12.03.2018