NJË VËSHTRIM MBI DUKAGJINËT E PERLATIT

Nga Nikollë LOKA*

 

Blinishtët dolën nga skena, kur në vend të tyre, në po ato territore u ngrit familja feudale e Dukagjinëve. Në kohën e lulëzimit të Blinishtëve, kjo familje përmendet fare pak në burimet historike. Dukagjinët me kalimin e viteve e rritën fuqinë e tyre dhe u bënë njëra ndër familjet më të fuqishme feudale të Arbërisë, duke e zënë me dinjitet pozitën shoqërore që kishin më parë Blinishtasit.

Në kohën e lulëzimit të Blinishtëve, Dukagjinët përmenden fare pak në burimet historike. Në një dokument të vitit 1281, një ndër krerët arbëreshë, armik i anzhuinëve ishte dhe Dux Ginius Tanuschus Albanensis (Gjin Tanushi Arbëresh), që ishte burgosur.1)

Dukagjinët me kalimin e viteve e rritën fuqinë e tyre dhe në rivalitet me Blinishtët fituan territoret e tyre. Familja Blinishti ishte zhdukur gjatë luftës kundër serbëve dhe rivalëve të tyre Dukagjinas. 2) Në fakt, Dukagjinët i patën zotërimet fillestare aty ku më parë kishin sunduar Blinishtët dhe pastaj u shtrinë edhe më tej. Sipas Muzakës, “zotërit e shtëpisë së Dukagjinëve kishin nën sundim vendin e quajtur Zadrima bashkë me fshatrat e Fanit dhe ca fshatra që emërtohen Mali i Zi dhe një vend që quhet Pulti dhe Flati e që sot të gjitha quhen krahina e Dukagjinit, duke përmbledhur Lalën e Lumit Drin”. 3) Në fjalorin Enciklopedik Shqiptar,botim i vitit 1985 shkruhet se “zotërimet e familjes së Dukagjinëve shtriheshin në Shqipërinë e Veriut nga Zadrima e Sipërme deri në Ndërfandinë dhe në bashkimin e Drinit të Zi me të Bardhin.” 4) Principata e tyre shkoi duke u zmadhuar dhe në shekullin XIV-XV zotëronte të gjithë territoret nga Prizreni në Lezhë, duke luajtur rol të rëndësishëm në jetën politike të shqiptarëve të asaj kohe.

Kur osmanët shkelën për herë të parë në Ballkan, kjo kishte një qendër të dytë në Fanë (Mirditë). Në një dokument të viteve 20 të shekullit XV, Mirdita e sotme përmendet edhe si “vendi i Dukagjinëve”, emërtim që shpreh gjurmë të sundimit të dikurshëm të tyre mbi këtë trevë, si dhe vendorigjinën e saj. 5)

Edhe në bazë të toponimeve del se princat Dukagjinë kanë qëndruar në Mirditë dhe duket ta kenë pasur Ndërfanën qendër të tyre. Një pjesë e Dukagjinëve e kishin lënë qytetin e fortifikuar të Lezhës dhe banonin në kështjella të vogla tip kullash nëpër katundet e krahinave të brendëshme, ku kanë mbijetuar shumë toponime. Kemi dendësi toponimesh të Dukagjinëve në territorin Ndërfanë-Blinisht. Kështu përmendet:“ Ura e Lekës” në Va të Madh, “Kalaja e Lekës” në Meshurdh, pranë të cilës gjendet “Shpella e Lekës”, ku thuhet se Leka kaloi një natë, kur e zuri stuhia rrugës për në Pëshqesh. Në Bardhaj të Blinishtit kemi toponimin “Kodër-Lekë”, afër të cilit ndodhet edhe “Guri i Kuvendit “ që quhet ndryshe dhe “Guri i Lekës”. Te ky gur thuhet se mblidheshin burrat në kuvend. Në Shpal afër kishës gjendet toponimi “Varri i Dukës“, që lidhet me njërin nga princat Dukagjinë. 6)

Toponime me emrin e princëve Dukagjinë, gjenden edhe në treva të tjera të Mirditës, por në masë më të vogël. Përmendim Kodra e Dukagjinit në Ungrej, Guri Lekë në Bisakë; Sofra e Lekës në Lari, Tryeza e Lekës në Bizhzë, etj. Sipas një tradite, në Mirditë që në kohët e Lek Dukagjinit ekzistonin mullinj me erë. E vetmja provë që ka ardhur deri në ditët e sotme është është një gur mulliri te shkalla e Fanit, që quhet “Guri i Dukagjinit” me diameter 70 cm, duke qenë kështu më i madh se çdo gur mulliriqë përdoret sot në Mirditë. 7)

Një degë e Dukagjinëve, ndoshta trashëgimtare e Tanushit II Dukagjinit, të birit të Lekës I ishin sunduesit e Perlatit. 8) Mbiemëri Perlati ka mbijetuar dhe përmendet që prej kohës së Skënderbeut e deri sot në Mirditë .9)

Treva e Kthellës, ku përfshihet sot vendbanimi Perlat, bënte pjesë në zotërimet e Kastriotëve, ndërsa Perlati jo. Si provë për këtë, etnologët na kanë sjellë ndryshimet në veshje. Ky fshat është i njohur për xhupat e kuq, në dallim nga fiset e tjera që mbajnë xhup të shkurtër (xhurdi) të zi në shenjë zie për vdekjen e Skënderbeut. 10) Kësaj mund ti atribuohet pohimi aq shumë i dëshiruar i përkatësisë në sferën e Dukagjinit dhe jo të Kastriotit, me të cilin lidhet kryesisht popullsia përreth, por dhe përdorimi lokal historik i sofës së kuqe si shenjë dalluese mund t’i shenjohet lëvdimit të prejardhjes fisnike të shtëpisë së Dukagjinëve, pasi grupet e tjera që nuk mbajnë xhup të zi, mbajnë xhup të bardhë. 11) Perlati, edhe nga ana administrative, dikur nuk ishte pjesë e Kthellës dhe bashkë me Prellin e fshatrat përreth tyre, ishin bajrak më vehte, por kur Prelli u bë mysliman Perlati kaloi më bajrakun e Kthellës 12) Sidoqoftë, në vitet e para të pushtimit osman, para krijimit të sistemit të bajrakëve, Kthella njihet si Dukagjin. Në relacionin për Selinë e Shenjtë në vitin 1610, Marin Bici përmend “dukagjinasit e Kthellës.13) Sipas tij “sundimtari turk në Fushë-Krujë i bën kërkesë Bicit për t’i shkruar një letër për dukagjinasit e Kthellës që t’i lirojnë njerëzit e kapur rob prej tyre”.14)

Edhe sipas Valentinit “një degë e Dukagjinëve e kanë patur qendrën e tyre në Perlat, që ishte feud antik i Dukagjinit, një degë e të cilit i mori dhe emrin”.15) Mbiemrin Perlati, siç duket e morën se nxorën nga gjiri i familjes disa klerikë të lartë. Pavarësisht se krijuan emër të madh, Perlatajt e ruajtën mbiemrin Dukagjini si tregues vijimësie të origjinës fisnike. Siç ndodh me familjet e mëdha, ata e shtuan mbiemrin Perlati, për të treguar identitetin e tyre të ri si Dukagjinë të Kthellës.

Në dokumentet venedikase përmendet Pal dhe Tanush Dukagjini – Perlati”.16) Kujtojmë se në periudhën e Skënderbeut tre vëllezërit Perlati, bashkëpuntorë të ngushtë të tij, kishin pozicione të larta në hierarkinë kishtare.
Edhe Shuflaj përmend një degë të familjes së Dukagjinëve që në vitin 1402 banonte në Perlat (sot Perlataj), në kufirin e veriut të Matit (Matja) dhe sipas tij “ këtu ishte atëherë sigurisht një kështjellë e vogël”.17)

Perlati Mesjetar kishte shtrirje të gjërë. Fusha e kshqelit (kështjellës) në afërsi të Shtrezit (territor i Perlatit) është vendi ku ishte ajo kështjellë, gjurmët e të cilës kanë mbijetuar deri në shekullin e kaluar, kur gurët e saj u përdorën për ndërtime të ndryshme. Kështjella të tilla fushore, tip kulle ndërtoheshin nga bujarët feudalë kryesishtpër qëllime banimi. Këto ishin prototipi i
shtëpive me dy ose më shumë kate të Shqipërisë dhe Malit të Zi. 18)
Përlatajt dalin dhe me mbiemrin Duka, që duke qenë titull fisnik mund të ngjallë diskutime rreth prejardhjes, prandaj është me vlerë pohimi i Nopçës se “mbiemri Duka është me prejardhje shqiptare”.19)

Burimet historike japin lidhjen midis degës Dukagjini – Perlati të periudhës së Mesjetës me Dukën e sotëm të Perlatit.
Sipas Zef Valentinit “Perlati është fshat qendror i bajrakut të Kthellës. Qendra tradicionale e bajrakut është te Kroi i Fikut. Ndoshta rëndësia e saj i takon familjes Lekë Gegaj, të quajtur Duka, që sipas GMG është ndër më kryesoret dhe lëvdon një prejardhje antike. Ajo mund të shenjojë dhe një vijimësi të tipit Dukagjini – Perlati. 20)
Mbiemri Duka duhet parë si shkurtim i emrit të vjetër Dukagjin, që është përdorur në këtë formë që në periudhën e Skënderbeut. Duke folur për një akt përfaqësimi pranë Papatit, Kristo Frashëri shkruan: ”Me këtë akt Skënderbeu në prani të Pal Engjëllit, kryepeshkopi i Durrësit dhe i krahinës së Ilirikut”, të Pjetër Dukës abati i manastirit të Shën Lleshit (Aleksandrit) të Arbërisë, të abatit Vlash prior në Milan Shuflaj, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë, kryesisht në Mesjetë, Kuvendin dominikan të Shkodrës orator dhe nunc Apostolik në Shqipëri dhe në prani të dëshmitarëve të tjerë, të mbledhur në Shën Mërinë e Rodonit, ngarkoi Martin Muzakën, si ambasador të posaçëm, për ta përfaqësuar atë pranë Papës dhe Kolegjit të Kardinalëve të mbledhur në Konçistor dhe të trajtojë çdo çështje që ka të bëjë me kryqëzatën antiosmane”.21) Pjetër Duka ishte Abati i njohur në histori si Pjetër Perlati, që komandoi forcat arbëreshe në mbrojten e kështjellës së Sfetigradit. 22)
Treva që më vonë u quajt Mirditë, dikur ishte kufiri ndarës në mes të Principatave të Kastriotit dhe të Dukagjinit. Në fakt, burimet historike dhe toponimike anojnë më shumë nga Dukagjinët, pavarësisht se dhe gjurmët e Kastriotëve janë të dukshme. Flitet deri për mosmarrëveshje kufitare në mes tyre. Ja çfarë thotë legjenda: “Skënderbeu e thirri Lekën për të ndarë kufijtë diku në territoret e Mirditës, zotërimi i të cilës ishte i diskutueshëm mes të dyve, që kufirin në mes tyre duhet ta ndanin me betim (bé). Leka futi pak dhé në këpucë, kështu beja që do të bënte para Zotit nuk do të ishte e rrejshme dhe me betim ia mori Gjergjit territoret.Kështu qëlloi që Mirdita të mbetej në dorë të Lekës”. 23) Ajo që vëmë re është fakti se treva që më vonë
u quajt Mirditë, për një sërë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, edhe pas pesë shekuj pushtimi osman mbeti vend i papushtuar, një lidhje e pashkëputur e vijimësisë së Arbërisë paraosmane, një trevë që ruajti më shumë se të tjeratdisa nga tiparet dhe vlerat që kishin arbërit në fillimet e konsolidimit të kombësisë së tyre, kur u krijua Principata e Arbërit, formacioni i parë shtetëror shqiptar.

_________________
1.- Historia e Popullit Shqiptar , Tiranë 2002
2.- Milan Shuflaj, Serbët dhe shqiptarët, f.76
3.- Gjon Muzaka, Memorie, Botimet Toena 1996, f.48
4.- Fjalori Enciklopedik Shqiptar 1985, f.212
5.- Kasem Biçoku, Mjedisi kishtar dhe politik i kuvendit të Arbërit, Gazeta “Ndryshe” (“Drita ndryshe”, suplement). – Nr. 531, 10 shkurt 2008, f. 12 – 13
6.- Gjon Marku, Ndërfana, botimet “Geer”, Tiranë 2008, f. 40
7.- Franc Nopça, Fiset e malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e drejta zakonore e tyre, përkthyer nga Mihallaq Zallari, Shtëpia botuese “Eneas”, Tiranë, 2013, f. 281-282
8.- Milan Shuflaj, Serbët dhe Shqiptarët, shtëpia botuese “Bargjini”, Tiranë 2002, f.232
9.- Mark Tirta, Figura e Skënderbeut në gojëdhënat popullore të krahinës së Mirditës dhe në faktet historike, Mirdita almanak I, Tiranë 1968, f.11
10.- At Giuseppe Valentini, E drejta e komuniteteve në traditën juridike shqiptare, Plejad, Tiranë 2007, f.377
11.- At Giuseppe Valentini, E drejta e komuniteteve në traditën juridike shqiptare, Plejad, Tiranë 2007, f.377
12. – Ramiz Feçori, Mati dhe matjanët në rrjedhën e hsitorisë, botimet
“Ilar”, Tiranë 2010, f.185
13.- Pal Doçi, Vetëqeverisja e Mirditës, Tiranë 1996, f.6
14.- Pal Doçi, Vetëqeverisja e Mirditës, Tiranë 1996, f.6
15.- At Giuseppe Valentini, E drejta e komuniteteve në traditën juridike shqiptare, Plejad, Tiranë 2007, f.372
16.- Më 27 maj 1402, Venediku merr në shërbim të tij në Shkodër, Pal dhe Tanush Dukagjini – Perlatin. At Zef (Giuseppe) Valentini, Vepra III, Shënime mbi regjimin e vendqëndrimeve veneciane në Shqipëri në shekullin XIV dhe XV, Tiranë 2006, f.58
17.- Milan Shuflaj, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë kryesisht në Mesjetë, botime “Onufri” Tiranë 2009, f.69
18.- Milan Shuflaj, Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë, kryesisht në Mesjetë, botimet “Onufri”, Tiranë 2009, F.68
19.- Franc Nopça, Pikëpamje fetare, doket dhe zakonet e Malcisë së Madhe, botimet “Eneas”, Tiranë 2012, f.151
20.- At Giuseppe Valentini, E drejta e komuniteteve në traditën juridike shqiptare, Plejad, Tiranë 2007, f.377
21.- Kristo Frashëri, Skënderbeu, Jeta dhe vepra, Botim i Akdemisë së Shkencave të Shqipërisë, Toena, Tiranë, 2002, f. .410
22.- Ali Harshova, Bashkëluftëtarët e Skënderbeut, shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1952, F. 59-61
23.- Fatos Baxhaku, Tradhëtia e Lekë Dukagjinit, “Gazeta Panorama” më 5 Tetor 2003


*Drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Albanistike “Gjon Gazulli”

Nikollë LOKA