Shtetet e Bashkuara dhe 13 vende të tjera shprehën shqetësimin sot për vonesën në botimin e raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) mbi origjinën e koronavirusit dhe dështimin për të lejuar ekspertët qasje të papenguar në të gjitha të dhënat.

Grupi lëshoi një deklaratë të përbashkët pasi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se ekspertët ndërkombëtarë kishin raportuar vështirësi në qasjen në të dhënat gjatë qëndrimit në Kinë ku po hetonin origjinën e virusit.

“Është e rëndësishme që së bashku të shprehim shqetësimin tonë që studimi i grupit ndërkombëtar të ekspertëve mbi origjinën e virusit SARS-CoV-2 u vonua ndjeshëm dhe që nuk u sigurua qasja në të dhëna të plota, origjinale dhe mostra,” thuhet në deklaratën e nënshkruar nga qeveritë e Australisë, Kanadasë, Republikës Çeke, Danimarkës, Estonisë, Izraelit, Japonisë, Letonisë, Lituanisë, Norvegjisë, Koresë së Jugut, Sllovenisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së.

Kina ka refuzuar të sigurojë të dhëna të para në lidhje me rastet e hershme COVID-19 për një grup ekspertësh të udhëhequr nga OBSH, tha një ekspert më herët, dhe kjo mund të kishte penguar përpjekjet e tyre për të kuptuar se si filloi pandemia globale.

Në një deklaratë të përbashkët, vendet kërkuan studime shtesë mbi kafshët për të përcaktuar se si virusi u transmetua te njerëzit dhe bënë thirrje që vendet anëtare të OBSH-së të kenë qasje në të dhëna, në mënyrë transparente dhe të shpejtë.

“Është thelbësore që ekspertët e pavarur të kenë qasje të plotë në të gjitha të dhënat përkatëse njerëzore, shtazore dhe mjedisore dhe personelin e përfshirë në fazat e hershme të pandemisë, e cila është e rëndësishme për shpërthimin e pandemisë,” thuhet më tej në deklaratë.

Vendet nënshkruese të deklaratës besojnë se udhëzimet do të ndihmonin që ato të zbulojnë, përgatiten dhe t’u përgjigjen pandemive të ardhshme.

Një mision ekspert ndërkombëtar, me qendër në Wuhan, arriti në përfundimin se ka shumë të ngjarë që agjenti shkaktar i COVID-19 të ishte përhapur nga lakuriqët e natës te njerëzit përmes një kafshe tjetër, ndërsa pothuajse përjashtonte plotësisht mundësinë që virusi të kishte “shpëtuar” nga një laborator.

Shefi i OBSH-së bëri thirrje sot për të filluar një hetim të ri nga ekspertë të specializuar mbi një rrjedhje eventuale të COVID-19 nga laboratorët në Kinë dhe paralajmëroi se ekspertët ndërkombëtarë nuk kanë qasje të papenguar në të dhëna.

Megjithëse ekspertët që hulumtuan origjinën e virusit në janar dhe shkurt në Kinë e konsideruan hipotezën e rrjedhjes laboratorike më pak të mundshme, “kërkohen kërkime të mëtejshme, në misione të reja me ekspertë të specializuar unë jam gati të vendos”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë me vendet anëtare mbi një raport të lëshuar zyrtarisht sot.