Qeveria e Italisë do të vendosë karantinë të detyrueshme pesëditore për udhëtarët e Bashkimit Evropian, për shkak të frikës nga vala e tretë e koronavirusit.

Deri më tash, vetëm udhëtarët jashtë BE-së është dashur të vetizolohen.

Vendimi vjen në ditën kur në Gjermani kanë hyrë në fuqi rregulla të reja, që u kërkojnë të gjithë pasagjerëve që hyjnë në këtë vend, të kenë test negativ kundër koronavirusit.

Gjermania mbetet nën izolim të pjesshëm, por rastet me koronavirus vazhdojnë të rriten.

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, tha të martën se vendi i tij do t’i rrisë kontrollet në kufijtë tokësorë, për të siguruar respektimin e rregullave të reja.

Gjermania ka marrë vendimin për kufizimet e udhëtarëve të premten e kaluar, kur Instituti i Shëndetit Publik të këtij vendi ka paralajmëruar se numri i rasteve ditore me koronavirus mund të rritet në 100,000 nëse vala e tretë vazhdon.

Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, Gjermania ka regjistruar mbi 2.7 milionë raste me koronavirus dhe mbi 76,000 viktima.

Italia është e goditur edhe më rëndë: me mbi 3.5 milionë raste dhe mbi 108 mijë viktima.

Në të gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 127 milionë njerëz.

Prej tyre, mbi 2.7 milionë kanë vdekur dhe mbi 72 milionë janë shëruar.