Disa ditë pasi shefi i Lojërave Olimpike Yoshiro Mori, është detyruar të japë dorëheqje si pasojë e komenteve seksiste për gratë, Partia në Pushtet në Japoni, Partia Demokratike Liberale, ka ftuar gratë që të marrin pjesë në takimet kyçe – për aq kohë sa nuk flasin.
Kjo parti ka propozuar që të lejojë pesë gra ligjvënëse që të vëzhgojnë takimet e burrave.
Ato nuk do të mund të flasin gjatë takimeve – vetëm të japin komente pasi të përfundojë organizimet.
Toshihiro Nikai, Sekretar i Përgjithshëm i partisë, ka thënë në një konferencë për media se ka plane për të ofruar perspektivë të grave në takimet e burrave.
Ai ka thënë se është i vetëdijshëm për kritikat rreth dominimit të burrave në bordin e partisë dhe se është e rëndësishme që gratë anëtare të partisë “të shikojnë” procesin e vendimmarrjes, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.
Yoshiro Mori pati nxitur kritika të mëdha, kur ka thënë se gratë flasin shumë gjatë takimeve.
Mori, 83-vjeçar, i ka bërë këto deklarata kur është diskutuar për rritje të numrit të grave nëpër borde, duke thënë se “duhet të sigurohemi që koha e tyre është e kufizuar, sepse ato vështirë e përfundojnë fjalën”.
Ai ka dhënë dorëheqje javën e kaluar, duke i konsideruar deklaratat e veta “të pahijshme”.