Nga Harry Bajraktari

Urime popullit të Kosovës për këto zgjedhje të suksesshme

Kosova e tregoi edhe njëherë veten se është demokracia më e përparuar
në Ballkan. Në një kohë që Serbia është një autokraci pa opozitë në
parliament, në Shqipëri opozita ka tre vjet që nuk është në parliament
dhe në pushtetin lokal, në Maqedoni njëra parti praktikisht nuk njeh
emrin e shtetit, kurse në Malin e Zi nacionalistë të rrezikshëm janë
në pushtet.

Kur i krahason me këto është e papranueshme që Kosova është e vetmja
në rajon që nuk është kandidate për BE dhe nuk ka një rrugë të qartë
për në NATO. Brukseli madje nuk ka mbajtur as premtimin për
liberalizim të vizave.

Nuk pati pothuajse asnjë incident gjatë fushatës zgjedhore. Dita e
votimit ishtë e shkëlqyer. Humbësit uruan fituesit pa mbaruar numërimi
i votave.

I gjithë Ballkani duhet të mësojë nga Kosova, kurse komuniteti
ndërkombëtar duhet të shpërblejë Kosovën për këtë standard të
demokracisë.

Tani është e nevojshme që të formohet sa më parë qeveria e re dhe të
fillojë nga puna për të zgjidhur problemet e shumta me të cilat
përballet Kosova.