E ftuar në “Live From Tirana” në Top Channel ka qenë mjekja nutricioniste Matina Çobo, Ajo ka folur më shumë mbi ushqyerjen tani që po afron vera dhe ndryshimet metabolike që ndodhin tek trupi ynë.
Cilat janë gabimet që bëjmë gjatë verës në mënyrën si ushqehemi dhe si të kemi një tretje të mirë?
Ne tani në verë duhet të kemi shumë kujdes që zakonet që bëjmë gjatë ditës, qoftë të stilit të jetës apo edhe të ushqyerjes, të jenë sa më shumë në dobi të lehtësimit të këtij procesi. Duke qenë se ne nuk kemi më këto stinët e ndërmjetme që trupi përshtaten gradualisht për ta bërë këtë proces, tani vjen menjëherë i nxehti dhe ne mund të vuajmë pasojat e para, siç mund të jenë virozat që vijnë si pasojë e prishjes së kësaj balance të menjëhershme. Dhe e dyta, është që ne ndoshta vazhdojmë të ushqehemi si në dimër. Pra mund të hamë shumë proteina, mund të hamë shumë fibra, ndërkohë që tani duhet që ushqyerja jonë të shkojë gradualisht drejt ushqimeve më të lehta, likuide, me më pak kalori, nuk duhet të kemi më shumë yndyrna në dietën tonë, si gjalpi, mishi i kuq. Ose do vuajmë pasojat pastaj. Nuk duhet të kemi shumë fibra në dietën tonë, pra trupi t’i tresë sa më lehtë ushqimet dhe që trupi jonë të mos qëndrojë shumë gjatë i ngopur. Nëse ne vazhdojmë të konsumojmë ushqim të rëndë, për shembull nëse në drekë konsumojmë një pjatë fasule me mish, me tavë me perime me mish, pra kemi një ngarkesë të madhe të yndyrnave, ne do ndiejmë menjëherë pas konsumimit të ushqimit, një përgjumje, një rëndesë, një mungesë të dëshirës për të bërë aktivitete të tjera, sepse gjithë energjia e trupit tonë shkon drejt tretjes. Kjo ndodh dhe gjatë dimrit, por në këtë periudhë që temperaturat rriten goxha, bëhet shumë më e vështirë për ta tretur një ushqim të rëndë.
Në përgjithësi ne sugjerojmë që ushqyerja të jetë sa më e lehtë në verë, të zgjedhim proteinat që janë më të lehta, si mishi i pulës dhe peshku. Kurse mishrat që janë pak më të rëndë nga ana kalorike, që kanë dhe yndyra në përbërje, siç është mishi i viçit dhe i qingjit, por dhe nga ana strukturore, sa më të lehta të jenë aq më shpejt do t’i tresë trupi.
Sepse ne flasim për kaloritë e ushqimeve, sa kalori trupi ynë përfiton nga konsumimi i një ushqimi të caktuar, por ushqimet kanë dhe efektin termik të tyre, që do të thotë se për të tretur trupi ynë një ushqim, sa kalori djeg në vetvete. Kjo gjë është më e lartë tek proteinat, prandaj kur flasim për dietat e dobësimit themi që të shtojmë proteinë në dietë pasi trupi harxhon vetë kalori për t’i tretur këto proteina.
Më pak kalori harxhoj trupi për të tretur karbohidratet dhe akoma më pak kalori harxhon për yndyrat. Kështu që nëse ne kemi proteina shumë të rënda në dietën tonë, trupi ynë do ketë vështirësi për t’i tretur.
Nga ana e yndyrave, jo se duhet të heqim dorë, por me sasi më të vogël. Gjalpi, arrorrët, në dimër ishin shumë të mira arrat, frutat e thata, tani në verë duhet t’i kufizojmë pak, mos të jenë në sasi shumë të madhe pasi janë më të vështira për t’u tretur. Sa i takon yndyrave, të qëndrojmë tek vaji i ullirit, yndyra që janë më të lehta, avokado, jo vaji i kokosit sepse është më i vështirë për t’u asimiluar në verë.
Ndërsa sa i takon pjesës së karbohidrateve, ato mund të jenë të gjitha prezente në dietën tonë, edhe orizi, makaronat, legumet, fasulet, bishtajat, por në sasi më të kufizuar këto të dimrit që kanë më shumë kalori.
Ne themi që tani në verë është ideale dieta mesdhetare, pavarësisht se në rajonin tonë ne përpiqemi ta zbatojmë gjithë vitin, sidomos në verë sa më shumë perime, sallatra, frutat që duhet të jenë patjetër prezente në dietën tonë. Proteinat e lehta, si peshku, veza, pula. Dhe kujdes me yndyrat që janë të vështira për t’u tretur.