Franca është përfshirë nga një valë e të nxehtit “të paprecedentë” gjatë muajit maj, njoftoi sot shërbimi meteorologjik francez.
Shërbimi meteorologjik “Meteo-France” deklaroi se periudha e motit të nxehtë, e cila ka zgjatur për më shumë se një javë, është “e paprecedentë, historike dhe e jashtëzakonshme” për këtë periudhë të vitit.
Temperaturat në shumë rajone gjatë kësaj jave kanë qenë rreth 15 gradë Celsius mbi mesataren e fundit të majit, ndërsa kryesisht, është prekur bregdeti perëndimor i vendit.
“Franca nuk ka përjetuar kurrë temperatura të tilla në muajin maj”, thuhet në deklaratën e shërbimit meteorologjik.
Dje u regjistrua rekordi i ri i ditës më të nxehtë të majit, në nivel kombëtar në Angouleme-La Couronne, në perëndim të Francës, me 37,8 gradë Celsius.
Sipas të dhënave të “Meteo-France”, më shumë se gjysma e vendit ka regjistruar rekorde mujore të temperaturës në ditët e fundit.
Niveli i dytë më i lartë i alarmit u shpall sot në 11 rajone, përfshirë Parisin.
Në kryeqytet, temperaturat maksimale kanë kaluar 32 gradë Celsius, çdo ditë që nga fundjava e kaluar.
Sipas autoriteteve meteorologjike, një seri e tillë temperaturash të larta është regjistruar vetëm tre herë në total, pavarësisht muajit.
Nga e diela pritet një ulje graduale e temperaturave në të gjithë vendin. Vala e nxehtësisë ka shkaktuar edhe viktima.
Ekspertët paralajmërojnë se, si pasojë e ndryshimeve klimatike, ngjarje të tilla ekstreme do të bëhen më të shpeshta në të ardhmen, do të fillojnë më herët gjatë vitit dhe do të jenë më intensive.