Kjo fotografi e publikuar nga prodhuesi italian i automjeteve Ferrari më 25 maj 2026 paraqet makinën e re plotësisht elektrike të quajtur “Luce”, që në italisht do të thotë “dritë”, e prezantuar në Romë më 25 maj.
Ferrari Luce do të ketë katër dyer, pesë vende dhe një bagazh prej 600 litrash – një hapësirë e paprecedentë për një makinë me simbolin e kalit të zjarrtë. Vetura “Luce” u zhvillua me ndihmën e ish-drejtorit të dizajnit të Apple, Jony Ive, dhe kolektivit të tij LoveFrom.
Modelet e para të Luce-s pritet të jenë gati për dorëzim nga tremujori i katërt i vitit 2026, me një çmim rreth 550,000 euro (afërsisht 640,000 dollarë).
Ky lansim vjen në një periudhë sfiduese për prodhuesit e automjeteve dhe planet e tyre për mobilitetin elektrik. Disa prodhues, përfshirë Ferrarin, po rishikojnë objektivat e tyre të elektrifikimit për shkak të faktorëve si vështirësitë në tregun amerikan dhe konkurrenca në rritje nga prodhuesit vendas në Kinë.
Megjithatë, gjithashtu vjen në një kohë kur lufta në Iran dhe presionet pasuese mbi çmimet e karburantit theksojnë disa nga përfitimet e automjeteve elektrike. Pjesa e pasme e makinës me katër drita rrethore konsiderohet një homazh ndaj modeleve si 360 Modena, edhe pse disa reagime të para për pamjen e saj nuk ishin plotësisht pozitive.
Si reaguan tregjet dhe vëzhguesit?
Reagimi fillestar në tregje ishte skeptik. Kur tregtimi rifilloi në Itali të martën pas festës së Rrëshajëve, aksionet e Ferrarit ranë menjëherë rreth 6%, duke humbur rreth 3.7 miliardë euro në kapitalizim tregu. Aksioni më pas u stabilizua pas rënies fillestare.
Megjithatë, duke gjykuar nga reagimet në rrjetet sociale, shumë njerëz kritikuan më shumë dizajnin dhe estetikën e jashtme sesa motorin elektrik apo strategjinë që përfaqëson kjo makinë për Ferrarin.
Ndryshe nga Tesla dhe prodhuesit e rinj kinezë të makinave elektrike, Ferrari nuk e ka kthyer të gjithë panelin e brendshëm në një ekran të vetëm me prekje.
Çfarë tha Ferrari për modelin e ri Luce?
Pilotët e Ferrarit në Formula 1, Lewis Hamilton dhe Charles Leclerc, që sapo ishin kthyer nga gara në Montreal, prezantuan makinën në Romë. Lansimi vjen në një kohë, kur Porsche dhe Honda po rishikojnë objektivat e tyre për kalimin drejt automjeteve elektrike.
Siç tha CEO Benedetto Vigna, për shkak të kohës së gjatë të zhvillimit në industri, “është rezultat i pesë viteve punë.”
Ferrari, i njohur për makinat sportive me dy vende dhe motora të fuqishëm me benzinë, shpreson që modeli i parë me pesë vende dhe bagazh të madh t’i japë mundësi të konkurrojë në tregje si Kina, ku përdorimi i automjeteve elektrike është i përhapur dhe makinat me motorë të mëdhenj me djegie tatohen rëndë. “Në bazën tonë të klientëve ka shumë që kërkojnë diçka krejtësisht ndryshe, për t’u përdorur në momente të ndryshme të jetës,” tha Enrico Galliera, drejtori i marketingut dhe komercit tek Ferrari.
Vigna gjithashtu pret që gjysma e porosive për Luce të vijnë nga klientë të rinj.
Performanca e Luce
Pavarësisht peshës prej 2.2 tonësh, makina premton performancë të lartë. Katër motorë elektrikë, një për secilën rrotë, prodhojnë më shumë se 1,000 kuaj fuqi dhe lejojnë shpërndarje të ndryshme të fuqisë për përmirësimin e drejtimit dhe kthesave.
Ferrari thotë se Luce mund të arrijë shpejtësi maksimale prej 310 km/h. Përshpejtimi nga 0 në 100 km/h arrihet në vetëm 2.5 sekonda.
Bateria e madhe prej 122 kWh lejon një autonomi teorike mbi 500 kilometra. Në një stacion karikimi të shpejtë, makina mund të arrijë nga 10% në 80% karikim për 20 deri në 25 minuta.
Ferrari po përpiqet të ruajë një element tradicional zanor duke amplifikuar tingujt natyralë të sistemit elektrik për të krijuar një përvojë akustike në kabinë. Dizajni me shumë xham synon të lejojë hyrjen e sa më shumë “drite”. Ndërkohë, Ferrari ka zgjedhur të ruajë disa kontrolle fizike në kabinë, në dallim nga qasja plotësisht digjitale e disa konkurrentëve si Tesla dhe prodhuesit kinezë. / DW