ATSH-DPA/ – Dhjetëra mijëra nxënës shkollash dolën në rrugë në të gjithë Gjermaninë për të protestuar kundër një kthimi të mundshëm në shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Tubime dhe demonstrata u zhvilluan në dhjetëra qytete nën sloganin “Grevë shkollore kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak”, që përkon me përvjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore më 8 maj.
Policia në Berlin tha se rreth 1 200 pjesëmarrës dolën në kryeqytet për të marshuar nga Porta e Brandenburgut deri në selinë e partisë konservatore të kancelarit Friedrich Merz, duke mbajtur pankarta që lexonin “Arsim në vend të bombave” dhe “Berlin në vend të vijave të frontit”.
Organizatorët thane se ishin 5 000 protestues.
Në qytetin verior të Hamburgut, organizatorët thanë se rreth 6 000 persona dolën në rrugë, ndërsa policia numëroi rreth 2 300 pjesëmarrës.
Protestat nuk ishin veprimi i parë mbarëkombëtar kundër shërbimit ushtarak.
Në fillim të marsit, rreth 50 000 të rinj morën pjesë në një grevë shkollore kundër rekrutimit dhe shërbimit të detyrueshëm të të gjitha llojeve në rreth 150 qytete në të gjithë vendin.
Gjermania riktheu një program shërbimi ushtarak vullnetar vitin e kaluar në një përpjekje për të rritur numrin e trupave në përgjigje të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe objektivave të reja të NATO-s.
Ligji, i cili hyri në fuqi më 1 janar, synon të rekrutojë vullnetarë për të zgjeruar forcat e armatosura.
Megjithatë, nëse objektivat e rekrutimit nuk përmbushen, parlamenti mund të vendosë të rivendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak./