Ballina Bota Suedia ndryshon ligjin e shtetësisë

Suedia ndryshon ligjin e shtetësisë

Suedia do të forcojë kriteret për marrjen e shtetësisë, me ndryshime që do të hyjnë në fuqi në qershor dhe që pritet të prekin mijëra emigrantë.

Sipas rregullave të reja, aplikantët do të duhet të kenë jetuar në Suedi për të paktën tetë vite, nga pesë vite që kërkohej deri më tani. Përveç kohëzgjatjes së qëndrimit, do të vendoset edhe një kriter i ri për të ardhurat minimale mujore, që do të jetë 20 mijë korona suedeze.

Një tjetër kusht do të jetë kalimi i një testi bazë për gjuhën dhe kulturën suedeze. Testi do të përfshijë njohuri elementare për shoqërinë, institucionet dhe funksionimin e shtetit.

Ministri i Migracionit, Johan Forssell, deklaroi se kërkesat e reja janë më të forta krahasuar me sistemin aktual, duke theksuar se deri tani procesi i marrjes së shtetësisë ka pasur më pak kushte detyruese.

Ndryshime të veçanta parashikohen edhe për personat me precedentë penalë, brenda ose jashtë Suedisë. Ata do të duhet të presin më gjatë përpara se të aplikojnë për shtetësi. Si shembull, një person që ka vuajtur katër vite burg do të duhet të jetojë rreth 15 vite në Suedi përpara se të ketë të drejtë aplikimi.

Suedia ka shtrënguar gradualisht politikat e migracionit që prej vitit 2016, pas fluksit të lartë të azilkërkuesve. Masat e reja vijnë disa muaj përpara zgjedhjeve kombëtare të planifikuara për në shtator dhe konsiderohen pjesë e kursit më të ashpër të qeverisë ndaj emigracionit dhe integrimit.