Ballina Aktualitet Fëmijët përballë ekraneve tashmë një betejë e humbur

Fëmijët përballë ekraneve tashmë një betejë e humbur

Teknologjia është tashmë pjesë e pandarë e procesit të rritjes së fëmijëve. Por, përballë këtij realiteti, një raport i fundit i Bankës Botërore sugjeron se sfida e prindërve nuk është më sesi të largojnë fëmijët nga ekranet – pasi një gjë e tillë është thuajse e pamundur – por balancimi i kohës së kaluar përpara tyre.

“Me të drejtë thuhet se nuk mund të ndalojmë prekjen apo ekspozimin ndaj teknologjisë. Por ne duhet t’i edukojmë fëmijët për mënyrën sesi duhet të qëndrojnë përpara saj. Dhe kjo ka të bëjë me prindërit, dhe është pjesa më e vështirë”, tha sociologia Arjana Muçaj.

Prindërit shpesh i përdorin ekranet si zgjidhje praktike për të menaxhuar sjelljet e vështira të fëmijëve apo thjesht për të gjetur momente lehtësimi për veten. Raporti i cilëson këto si zgjedhje të dobëta prindërore, ndërsa sociologët rekomandojnë qasje të tjera.

“Duhet të bëhet një kontroll i rreptë nga ana e prindit, që do të thotë të menaxhosh kohën e qëndrimit, të qëndrosh me fëmijët për aq orë sa ata kanë nevojë. Mirë është që edhe prindi të luajë bashkë me ta”.

Çfarë ndodh nëse një fëmijë ekspozohet gjatë dhe në mënyrë të pakontrolluar përballë ekranit?

“Bëhet një fëmijë i izoluar, një fëmijë i tërhequr. Një fëmijë që nuk ka dëshirë të luajë në natyrë. Të gjitha këto janë elementë që e bëjnë fëmijën më pak social”.

Ekspertët rekomandojnë që ekspozimi ndaj teknologjisë të mos zgjasë më shumë se 20 minuta për të vegjlit deri në moshën 5 vjeç. Ndërkohë, qëllimi nuk është më eliminimi i ekranit, por nxitja e modeleve të shëndetshme të përdorimit që mbrojnë rritjen e fëmijëve, ndërsa i përgatisin ata për një botë gjithnjë e më digjitale.