Bisedimet mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara kanë nisur sot në Abu Dhabi, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Emiratet po presin një raund të rrallë bisedimesh trepalëshe, ku përfaqësues të Moskës, Kievit dhe Washingtonit janë mbledhur për të diskutuar krizën që ka zgjatur gati 4 vjet.
Takimet janë planifikuar të zgjasin dy ditë.
Në një deklaratë zyrtare, Emiratet shprehin shpresën se këto bisedime do të kontribuojnë në “hapa konkretë drejt përfundimit të një krize që ka shkaktuar vuajtje të mëdha humanitare”.
Delegacioni rus kryesohet nga gjenerali Igor Kostyukov, drejtor i shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse (GRU), ndërsa delegacionin ukrainas e udhëheq Rustem Umerov, sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes dhe ish-ministër i Mbrojtjes.
Ndërkohë, Rusia ka deklaruar se ka marrë nën kontroll një vendbanim në rajonin verilindor të Kharkivit.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi në Telegram se forcat e saj kanë pushtuar fshatin Symynivka, rreth 47 kilometra në verilindje të qytetit të Kharkivit, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës. Kievi nuk e ka konfirmuar këtë pretendim.
Në të njëjtën kohë, situata humanitare në Ukrainë po përkeqësohet për shkak të sulmeve të vazhdueshme ndaj infrastrukturës energjetike. Drejtori ekzekutiv i kompanisë më të madhe private të energjisë në vend, DTEK, Maxim Timchenko, ka bërë thirrje për një “armëpushim energjetik”, duke paralajmëruar se vendi është pranë një katastrofe humanitare.
“Na duhet një armëpushim për energjinë, një ndalim i sulmeve ndaj aseteve energjetike”, tha Timchenko, duke shtuar se është e papranueshme të flitet për paqe ndërkohë që civilët mbeten pa energji dhe ngrohje.
Sipas tij, shumë qytetarë kanë energji vetëm 3 deri në 4 orë në ditë, ndërsa ndërprerjet zgjasin deri në 15 orë dhe blloqe të tëra banimi kanë mbetur pa ngrohje për javë të tëra.