Ballina Bota Spanja refuzon Bordin e Paqes, Sanchez: “Bie në kundërshtim me OKB-në”

Spanja refuzon Bordin e Paqes, Sanchez: “Bie në kundërshtim me OKB-në”

Spanja ka vendosur të mos marrë pjesë në nismën Bordi i Paqes, të krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump.

Vendimi u njoftua nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, i cili argumentoi se kjo nismë është jashtë kuadrit të Kombeve të Bashkuara dhe nuk përfshin Autoritetin Palestinez.

“Ky bord është jashtë kornizës së Kombeve të Bashkuara dhe nuk ka përfshirë Autoritetin Palestinez. E ardhmja e Gazës dhe e Bregut Perëndimor, madje e gjithë Palestinës, duhet të udhëhiqet nga vetë palestinezët, në dialog me Izraelin dhe në zbatim të zgjidhjes me dy shtete”, tha Pedro Sanchez, kryeministër i Spanjës.

Sanchez akuzoi gjithashtu administratën amerikane se po shkel ligjin ndërkombëtar dhe po dëmton rëndë marrëdhëniet transatlantike mes SHBA-ve dhe Bashkimit Europian.

“Realiteti është se qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk po respekton ligjin ndërkombëtar dhe po e tensionon marrëdhënien mes SHBA-ve dhe Bashkimit Europian si kurrë më parë. Për këtë arsye, Europa duhet të forcohet nga brenda dhe të hapet më shumë ndaj pjesëve të tjera të botës”, tha Sanchez.

Kryeministri spanjoll theksoi se Europa kërkon një rend botëror të bazuar në rregulla, ligj ndërkombëtar dhe jo në imponim të forcës apo interesa private.

Ndërkohë, presidenti Trump tërhoqi edhe ftesën për Kanadanë, duke njoftuar publikisht në X se Otava nuk do të jetë pjesë e kësaj nisme.

Nisma Bordi i Paqes u prezantua nga Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, si një strukturë që do të ndërmjetësojë armëpushime, do të organizojë sigurinë dhe rindërtimin në zonat e dala nga lufta.

Megjithatë, në ceremoninë e prezantimit munguan aleatë tradicionalë të Shteteve të Bashkuara, si Kanadaja, Britania e Madhe dhe të gjitha vendet e Bashkimit Europian, me përjashtim të Hungarisë dhe Bullgarisë.

Në bord janë përfshirë Izraeli, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.