Shqiptarët do të mund të gëzojnë plotë 15 festa vitin e ardhshëm.
Ditët pushim nisin më 1 e dy janar, për të vijuar me 3 festa në mars dhe dy në prill. Maji nis me Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve dhe mbyllet me atë të Kurban Bajramit. Në 5 shtator festohet Shenjtërimi i Nënë Terezës, ndërsa më 22 nëntor Dita e Alfabetit, e miratuar së fundmi nga qeveria. Pas Pavarësisë dhe Çlirimit në nëntor, ditët festive përmbyllen me Ditën Kombëtare tw Rinisë më 8 dhjetor dhe Krishtlindjet më 25 dhjetor.
Në krahasim me vendet e botës, Shqipëria klasifikohet si një vend me relativisht pak ditë festash apo pushimesh, me 15 të tilla në total. Megjithatë, nëse krahasimi bëhet në nivel europian, Shqipëria renditet ndër vendet me më shumë festa publike.
Në rajon, Kosova ka gjithsej 12 ditë pushimi, sipas kalendarit zyrtar të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ndërsa Shqipëria renditet pas vetëm dy vendeve të rajonit, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, të cilat kanë respektivisht 16 dhe 23 ditë pushimi zyrtare.