Ballina Aktualitet Shqipëria, destinacion i preferuar i britanikëve

Shqipëria, destinacion i preferuar i britanikëve

“The Guardian”, gazeta e përditshme britanike, e ka renditur Shqipërinë midis 25 vendeve më emocionuese dhe të përballueshme për pushime familjare.

Ekspertët e udhëtimit kanë zbuluar disa nga destinacionet më të preferuara të turistëve britanikë për vitin 2025, nga ishujt e paprekur në Finlandë, vendpushimet me çmime të përballueshme në Bullgari e deri te shtigjet e fshehura në Shqipëri dhe malet e Kosovës.

E përditshmja britanike pasqyron një udhëtim në Shqipëri, në veri të vendit, në Lëpushë dhe Theth, duke e renditur në vendin e tetë mes 25 destinacioneve më të preferuara të turistëve britanikë.

Shqipëria turistëve britanikë u ka lënë një përshtypje të paharrueshme dhe vërtetoi se largimi nga destinacionet turistike të njohura dhe të mbipopulluara shpesh sjell shpërblime më të mëdha, shkruhet në artikull.

Natyra dhe burimet ujore janë një mrekulli në këtë zonë të Shqipërisë. Bujtinat e vogla rrethohen nga pemë e male, ndërsa ecja në shtigje pothuajse të shkreta, duke shijuar boronica të egra gjatë rrugës, është e paharrueshme.

Lëpusha pret një pjesë të turistëve që vizitojnë zonën për të bërë ecje në shtegun e famshëm që të çon në “Majat e Ballkanit”, të cilat lidhen edhe me Kosovën, duke i cilësuar shtigjet më mbreslënëse për të gjithë të apasionuarit e hiking-ut.

Sipas artikullit të “The Guardian”, migrimi jashtë vendit ose në qytete më të mëdha është një problem, shkolla lokale ka vetëm një nxënës dhe turizmi është një litar shpëtimi për këdo që mbetet pas. Por, sipas artikullit, për fat të mirë, në Lëpushë dhe Theth mundësitë për zhvillim në fushën e turizmit janë të mëdha, duke parë resurset natyrore.