Ballina Shëndet SHBA-të heqin rekomandimin për vaksinimin e të porsalindurve kundër Hepatitit B

SHBA-të heqin rekomandimin për vaksinimin e të porsalindurve kundër Hepatitit B

Një panel këshillues i vaksinave në SHBA ka votuar për të hequr rekomandimin e gjatë kohor për vaksinimin e të porsalindurve kundër hepatitit B menjëherë pas lindjes. Vendimi, i marrë me 8 vota pro dhe 3 kundër, lejon që vendimi për vaksinim të bëhet në bazë të rastit, për foshnjat e lindura nga nëna që kanë rezultuar negative për infeksionin.

Paneli vazhdon të rekomandojë që foshnjat e lindura nga nëna që kanë test pozitiv për hepatit B të marrin vaksinën menjëherë pas lindjes. Sipas ekspertëve të shëndetit publik, ndryshimi mund të krijojë shqetësime të pabazuara për sigurinë e vaksinës dhe të rrisë numrin e foshnjave të pambrojtura, duke rrezikuar përhapjen e sëmundjes.

Hepatiti B është një infeksion i mëlçisë që mund të çojë në kancer, dështim të mëlçisë dhe cirrozë. Virusi mund të transmetohet gjatë lindjes nga nëna tek foshnja, por edhe përmes kontaktit me lëngje trupore, përfshirë përdorimin e objekteve të përbashkëta si furçat e dhëmbëve dhe brisqet.

Që nga viti 1991, vaksina e hepatitit B ka parandaluar rreth 90 mijë vdekje në SHBA. Disa anëtarë të panelit dhe mjekë kritikuan vendimin, duke e cilësuar si të rrezikshëm për shëndetin e fëmijëve, ndërsa mbështetësit argumentojnë se rreziku i infeksionit është i ulët dhe vaksinimi duhet të personalizohet sipas nevojës.

Vendimi erdhi pas një takimi dy-ditor të tensionuar, dhe megjithëse rekomandimi i ri nuk ndikon në mbulimin e sigurimeve shëndetësore, ai ka ngjallur debate mbi sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës. Ekspertët e shëndetit dhe disa ligjvënës kërkojnë që vaksinimi i të porsalindurve të mbetet një praktikë universale për të parandaluar infeksionet kronike tek fëmijët.