Përbërësit
- 200 gr miell
- 170 ml ujë
- 95 gr sheqer
- 40 gr niseshte patatesh
- 1 pako fryrës për ëmbëlsira
- 22 ml vaj
- 2 lugë çaji mjaltë
- 3 bustina çaji kamomili
- kanellë
- sheqer pluhur
Përgatitja
Për të nisur me përgatitjen e këtij keku AgroWeb.org ju këshillon të ngrohni fillimisht ujin në të cilin duhet të hidhni bustinat e kamomilit. Lëreni ujin të ziejë për disa minuta, të paktën 10 derisa të shikoni që i gjithë kamomili ka kulluar në të. Ndërkohë në një enë të veçantë përzieni miellin, niseshtenë dhe sheqerin dhe mjaltin, sipas dëshirës mund të hidhni edhe dy lugë të vogla kanellë. Hiqni tashmë çajin e kamomilit nga zjarri, bashkojeni me pak vaj dhe shtojeni pak nga pak tek ena ku ndodhet mielli. Teksa përzieni përdorni një rrahës elektrik për ëmbëlsira dhe bëni kujdes që të mos krijohen kokrriza tek brumi. Pasi të jetë formuar një masë brumi kompakte dhe e trashë bëjeni gati për ta hedhur në tavën e pjekjes.
Kini kujdes që tek tava të vendosni një letër furre para se të hidhini brumin e kekut tuaj. Ndizni furrën paraprakisht në temperaturën 180 gradë dhe lëreni kekun të piqet për 40 minuta, duke e kontrolluar herë pas here. Kur të shikoni që ka marrë pamje të artë, nxirreni nga furra dhe lëreni të ftohet për pak minuta në tavë. Më pas mund ta hiqni dhe sipas dëshirës mund ta spërkatni me pak sheqer pluhur, shija do t’ju lërë pa fjalë.