Sulmi i Izraelit ndaj Iranit ka goditur tregjet e aksioneve në mbarë botën, teksa çmimi i naftës shënoi rritje të ndjeshme, duke kaluar nivelin e 70 dollarëve për fuçi për herë të parë pas disa muajsh.
Më konkretisht, çmim i naftës së papërpunuar në bursën e Teksasit për kontratat e ardhshme u rrit me mbi 5 dollarë për fuçi, duke kapur vlerën e mbi 73 dollarëve ose thënë ndryshe duke pësuar një rritje me afro 7.5 për qind.
Krahasuar me vetëm një javë më parë çmimi i naftës crudo në këtë bursë është rritur me 15 dollarë për fuçi.
Të njëjtën sjellje ka reflektuar edhe bursa e Londrës, aty ku nafta Brent për kontratat e korrikut kaloi vlerën e 74 dollarëve për fuçi, duke pësuar një rritje me afro 7.5 për qind krahasuar me vetëm 24 orë më parë.
Tregtarët e arit të zi i tremben një përshkallëzimi të mëtejshëm të situatës për shkak të kundërpërgjigjes së Iranit, i cili mund të ndërpresë furnizimet me miliona fuçi naftë në ditë nëse synon infrastrukturën ose transportin detar në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon gati 1/5 e gjithë naftës që tregtohet në botë.
Çmimi i naftës së papërpunuar ndikon në gjithçka, që nga vlera e karburantit të makinave e deri te çmimi i ushqimeve në supermarkete.