Ballina Bota “Tarifat e Trump shkojnë kundër gjithë botës”, Pekini: “Ne nuk duam luftë,...

“Tarifat e Trump shkojnë kundër gjithë botës”, Pekini: “Ne nuk duam luftë, por nuk do të kemi frikë!”

 

Kina po paralajmëron Shtetet e Bashkuara se vendosja e tarifave ndaj partnerëve të saj kryesorë tregtarë do të ketë “pasoja serioze” në stabilitetin e ekonomisë globale.

Pekini beson se tarifat e SHBA “shkojnë kundër të gjithë botës”, u tha gazetarëve Li Jian, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, pasi Donald Trump njoftoi se ai po rrit tarifat për produktet kineze në 125%.

“Kina nuk është e interesuar për një luftë, por nuk do të ketë frikë nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë kërcënimet.”

“Fushata amerikane nuk po fiton mbështetjen e popullit dhe do të përfundojë me dështim”, shtoi ai.

“Kina nuk do të qëndrojë duarkryq dhe nuk do të lejojë privimin e të drejtave dhe interesave legjitime të popullit kinez”, paralajmëroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze.

“Shtetet e Bashkuara njoftuan vendosjen e tarifave ndaj të gjithë partnerëve të saj tregtarë, përfshirë Kinën, e cila shkel të drejtat dhe interesat legjitime të ndërmarrjeve kineze dhe ndikon seriozisht në stabilitetin e rendit ekonomik global”, tha He Yongqian, një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë, gjatë një konference për shtyp.

Ditën e djeshme, presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi i zyrtarisht pezullimin 90-ditor të tarifave të reja mbi importet nga të gjitha vendet, përveç Kinës. Trump tha se pezullimi 90 ditor i tarifave ndaj 75 vendeve të botës erdhi pasi ata kanë bashkëpunuar në mënyrë konstruktive me zyrtarët amerikanë, ndryshe nga Kina.

“Bazuar në mungesën e respektit që Kina ka treguar ndaj tregjeve botërore, po e rris tarifën e vendosur ndaj Kinës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 125%, me efekt të menjëhershëm. Shpresojmë se së shpejti, Kina do ta kuptojë se ditët kur e mashtronin SHBA-në dhe vendet e tjera nuk janë më të qëndrueshme apo të pranueshme”, tha Trump.

Kina kishte rritur tarifat ndaj SHBA-së nga 34 në 84% një ditë më parë kur hyri në fuqi vala e dytë e tarifave amerikane.