Ballina Aktualitet Konferenca për ndryshimet klimatike në Baku, mungojnë udhëheqësit e shteteve kyçe

Konferenca për ndryshimet klimatike në Baku, mungojnë udhëheqësit e shteteve kyçe

Udhëheqësit botërorë u mblodhën sot në Baku të Azerbajxhanit për konferencën vjetore të Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimet klimatike. Por në konferencë nuk janë të pranishëm udhëheqësit e vendeve më të fuqishme, përfshirë ata nga 13 shtetet të cilat konsiderohen si ndotësit më të mëdhenj, përgjegjës për mbi 70 për qind të gazeve të çliruara që shkaktojnë efektin serrë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres bëri thirrje të martën për “drejtësi klimatike” gjatë pjesëmarrjes në konferencën vjetore për klimën që këtë vit po mbahet në Azerbajxhan.

Ai tha se marrja e masave për ndryshimet klimatike nuk duhet të negociohet dhe se koha për të marrë vendime për këtë çështje po ikën.

“Duhet të bëni më shumë për të mbrojtur popujt tuaj nga katastrofat e krizave klimatike. Më të pambrojturit po braktisen përballë motit ekstrem. Dallimi ndërmjet nevojave për t’u përshtatur dhe fondeve mund të arrijë deri në 359 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2030. Këto shifra nuk janë numra abstraktë, por janë jetë të shuara, prodhime të humbura dhe zhvillim i mohuar”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm Guterres.

Në këtë konferencë vjetore në Baku, zyrtarët po negociojnë se si shtetet e pasura mund të paguajnë në mënyrë që shtetet e varfra të zvogëlojnë ndotjen duke zëvendësuar shfrytëzimin e fosileve me energji të pastër, të ofrojnë kompensim për katastrofat klimatike dhe të përgatiten për t’iu përshtatur motit ekstrem.

Por Kina dhe Shtetet e Bashkuara, që janë ndotësit më të mëdhenj dhe ekonomitë më të fuqishme, nuk po përfaqësohen nga udhëheqësit kryesorë të tyre në konferencë. As udhëheqësit e Indisë dhe Indonezisë, dy shteteve të tjera me numrin më të madh të banorëve në botë, nuk janë të pranishëm në Baku.

Këtë mungesë të udhëheqësve kryesorë disa aktivistë të ndryshimeve klimatike po e interpretojnë si mungesë të vullnetit politik për të vepruar.

“Është simptomë e mungesës së vullnetit politik për të vepruar. Nuk ka një ndjesi urgjence”, thotë shkencëtari për çështjet klimatike Bill Hare, drejtor i “Climate Analytics”. Sipas tij, kjo është arsyeja se “përse po ballafaqohemi me një kaos të këtillë”.

Këshilltari kombëtar për çështje klimatike Ali Zaidi i siguroi pjesëmarrësit se Shtetet e Bashkuara do t’i respektojnë angazhimet e tyre për të luftuar ndryshimet klimatike përkundër rizgjedhjes së Presidentit Donald Trump, i cili mbetet skeptik rreth tyre.

Gjatë mandatit të parë, zoti Trump ka zhvlerësuar shumë nga rregulloret për ambientin, ndërsa gjatë fushatës ai është zotuar se do Shtetet e Bashkuara do të largohen nga Marrëveshja e Parisit dhe se do të shtojë nxjerrjen dhe prodhimin e karburanteve.

“Ka kohë që ne e dimë që krizat klimatike dhe pasojat e saj nuk njohin kufij gjeografik apo prirje politike. Ajo që kemi bërë gjatë katër viteve të fundit është të sigurohemi se gjeografia e zgjidhjeve klimatike i përfshin të gjithë, pavarësisht se ku jetojnë”, deklaroi këshilltari Zaidi.

Ai tha se shumica e teknologjive për prodhimin e energjisë së gjelbër prodhohen në shtetet që udhëhiqen nga guvernatorët republikanë, të cilët nuk do t’i shuajnë programet të cilat sigurojnë vende pune.

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara shpresojnë që shtetet të arrijnë një marrëveshje për financimin e nismave që të ndihmojnë vendet në zhvillim e sipër të kalojnë nga varësia e djegies së karburanteve drejt energjisë së pastër si dhe të ballafaqohen me pasojat e ndryshimeve klimatike. Një marrëveshje e tillë parashikon një kosto prej 100 miliardë deri në 1 trilion dollarë në vit.