Ballina Aktualitet Shënohet sot 35-vjetori i rënies së Murit të Berlinit

Shënohet sot 35-vjetori i rënies së Murit të Berlinit

Në një ngjarje që shënon sot 35-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, kryebashkiaku i qytetit, Kai Wegner, tha se 9 nëntori mbetet një ditë fatale për Gjermaninë – si në kuptimin pozitiv ashtu edhe në atë negativ.

Kjo datë, shënon si rënien e Murit të Berlinit në 1989, ashtu edhe fillimin e një vale mbarëkombëtare të terrorizmit të udhëhequr nga nazistët kundër popullit hebre më 1938, e cila u bë e njohur si Kristallnacht ose “Nata e Kristaltë”.

Wegner tha se shpreson që fryma e optimizmit dhe solidaritetit nga ajo kohë të kthehet.

Ai nënvizoi gjithashtu vlerën e lirisë, duke thënë se njerëzit që protestuan në mënyrë paqësore në 1989 duhej të konsideroheshin si modele.

Duke folur së bashku me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, Wegner u bëri thirrje gjermanëve të ruanin lirinë.

“Liria dhe demokracia nuk kanë qenë kurrë një çështje e natyrshme”, tha ai, duke shtuar se ato aktualisht janë nën sulm si nga forcat e jashtme ashtu edhe të brendshme.

9 nëntor, Berlin

Më 9 nëntor 1938, nazistët filluan sulme mbarëkombëtare gjatë të cilave u dogjën sinagogat, u plaçkitën dhe u shkatërruan bizneset në pronësi të hebrenjve dhe u abuzuan, u arrestuan dhe u vranë hebrenjtë.

“Antisemitizmi është ende një realitet sot, për fat të keq edhe në qytetin tonë, në rrugët tona”, tha Wegner duke folur në 35-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit.

Ai tha se administrata e qytetit po bënte gjithçka që mundej për të siguruar të mos kishte vend për këtë urrejtje.

“Por, mbetet e gjithë detyra jonë që të kundërshtojmë vazhdimisht urrejtjen ndaj hebrenjve – pavarësisht se nga vjen dhe ku zhvillohet. Vetëm në këtë mënyrë mund të përballemi me përgjegjësinë që na imponon historia jonë”, tha ai.