Ballina Aktualitet GAZETA E ALPEVE – “PUSHTETI I BUTË” I PATRIOTIZMIT SHQIPTAR

GAZETA E ALPEVE – “PUSHTETI I BUTË” I PATRIOTIZMIT SHQIPTAR

Mal Berisha

Malberisha.com


Prej disa vitesh, një ent botues lokal i quajtur “Gazeta e Alpeve” është shndërruar në një nga zërat më të fuqishëm të edukimit atdhetar për lexuesit shqiptarë. Ajo përhapet në të gjitha trojet shqiptare, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Preshevë dhe Bujanovc, Plavë dhe Guci. Më tej, arrin edhe te shqiptarët që jetojnë jashtë trojeve tona etnike, nga Australia deri në Alaskë dhe në çdo vend perëndimor të Evropës.

 Dizajni i këndshëm i kësaj gazete i përshtatet për mrekulli përmbajtjes së saj. Temat që ajo prek dhe trajton, informacioni që përcjell dhe mënyra e transmetimit të tyre e bëjnë atë të meritojë plotësisht të quhet: Misionare e rëndësishme e patriotizmit shqiptar.

Në këtë shkrim nuk kam ndërmend të trajtoj vlerën e kësaj gazete, e cila në fakt është “musafiri” javor i dhjetëra mijëra shqiptarëve, por do të fokusohem në një aspekt tjetër të veprimtarisë së themeluesit, editorit, botuesit dhe shpërndarësit të saj, z. Ramiz Lushaj.

Duke ndjerë interesin e një kategorie njerëzish shumë të ndjeshëm ndaj çështjes sonë kombëtare, kryesisht në zonat e kufirit të padrejtë, virtual, politik, që përfshijnë rrethinat e vijës kufitare Shqipëri-Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, pastaj Kosovë-Mal i Zi, Preshevë dhe Bujanovc-Maqedoni e Veriut, Gazeta e Alpeve e shtriu veprimtarinë e saj edhe në një fushë tjetër:

Shoqërimi i botimit të gazetës me një veprimtari akademike, patriotike dhe kulturore, në një frekuencë tremujore, jo të pjesshme apo më mirë të shumë-partishme. Kjo e fundit, pasi askush nga ata pjesëmarrës të veprimtarisë së saj kurrë nuk është pyetur se me cilën parti militon.

Kjo ngjarje, që përsëritet çdo tre muaj, zhvillohet si një përmbledhje ose bilanc, e shoqëruar me një veprimtari tematike, të cilën do ta kishte zili çdo institucion shtetëror, parti politike, universitet apo akademi, cilado qoftë ajo.

Shprehja e Platonit: ‘Edhe një njeri i vetëm mund të bëjë një shumicë,’ vështirë se gjen një ilustrim më të mirë sesa në rastin e z. Ramiz Lushaj dhe gazetës së tij, Gazeta e Alpeve. Ai e nisi këtë projekt me aq pak burime financiare, sa është pothuajse e pamundur të imagjinohet.”

Në fillim, ai e ‘mbushi’ gazetën me shkrime miqësore dhe dashamirëse, por printimi kërkonte fonde. Edhe ato u gjetën në dy mënyra:

 E para, përmes një fushate abonimesh dhe, natyrisht, nga disa njerëz dashamirës e patriotë, të cilët e ndihmuan për të përballuar shpenzimet që, për buxhetin e një pensionisti, ishin vërtet të papërballueshme.

Së dyti, dalë-ngadalë, interesi për gazetën u rrit dhe njerëzit gjenin në faqet e saj atë që u donte zemra: Evokimin e vlerave më të mira të kombit tonë, me theks tek ruajtja e identitetit kombëtar, rritja e ndjenjës patriotike, edukimi i brezit të ri me vlerat më të mira të trashëgimisë sonë kombëtare dhe, pa dyshim, mbajtja gjallë e idesë, dëshirës dhe ëndrrës rilindase për Bashkimin tonë Kombëtar.

Përpjekjet e tij për të popullarizuar gazetën, fillimisht thjesht si një ent botues, u pritën me një reagim të fuqishëm shumë dashamirës nga shqiptarët në të gjitha anët e kufirit në Ballkan, si dhe më gjerë, në Evropë dhe në Amerikë.

Tani, puna e gazetës nuk do të ishte më thjesht dhe vetëm çështje abonimesh, por do të shndërrohej në një lloj veprimtarie që zhvillohej nën emrin “Gazeta e Alpeve” e cila  po merrte formën e asaj që mund të quhej:

‘Konventa e Patriotëve Bashkëkohorë Shqiptarë’ nëpër botë.

Për këtë përpjekje, përkrah atdhetarëve në Shqipëri, Kosovë dhe gjetkë, u bashkua edhe një patriot i madh shqiptaro-amerikan, një Ramiz tjetër me mbiemrin Tafilaj. Të dy Ramizat, si dy burra fisnik, iu futën një pune titanike për organizimin e konventave të patriotëve në qendra të ndryshme në Shqipëri, Kosovë dhe Mal i Zi. Ata e nisën nga Tirana, Shkodra, Prishtina, Vuthajt në Plavë dhe Guci. Takimi i radhës u mbajt më 5 tetor 2024.

Organizimi i konventave të tilla, sipas mendimit tim, i tejkalon përmasat e punës së një gazete, sado e madhe të jetë ajo. Në sallat ku marrin pjesë mbi 600 vetë, të gjithë të udhëhequr nga një motiv i vetëm: Dashuria për atdheun tonë në trojet e veta etnike”  pa dallime ideologjike, as të majtë, as të djathtë, as të krishterë, as myslimanë, madje as Gegë apo Toskë; kjo veprimtari merr një rëndësi shumë më të madhe se çdo aktivitet tjetër që shqiptarët mund të organizojnë sot.

Nuk është e tepërt të themi se asnjë organizatë tjetër Pan-Shqiptare, cilado dhe kudo qoftë, nuk mund të arrijë këtë kohezion të pjesëmarrësve. Aty njerëzit nuk shihen si kundërshtarë, edhe pse mund të kenë pikëpamje të ndryshme politike, as si besimtarë të ndarë, megjithëse mund të luten në kishë apo xhami: As si krahinorë, edhe pse mund të jenë nga pjesë të ndryshme të atdheut.

Aty marrin pjesë shkrimtarë, poetë, akademikë, profesorë të universiteteve shtetërore dhe private, doktorë, inxhinierë, diplomatë që kanë shërbyer në administrata të ndryshme, profesionistë, artistë, interpretues, këngëtarë, aktorë, deputetë nga Presheva dhe Mali i Zi, pa përmendur Kosovën dhe Shqipërinë, ish-luftëtarë të UÇK-së dhe veteranë të LDK-së, të cilët mblidhen në të njëjtën sallë, me të njëjtët drejtues, pa asnjë lloj “vështirësie” për të ndarë me njëri-tjetrin atë që i bashkon: Atdhedashurinë.

Një ngjarje e tillë u organizua në Vali Ranch, në Gjilan të Kosovës, më 5 tetor 2024. Pas takimeve në Tiranë, Shkodër, Vermosh, Vuthaj – Plavë e Guci, Prishtinë dhe Ulqin, ky takim vjeshtor ishte ndër më madhështorët dhe më të shkëlqyeshmit.

Nëse termi Soft Power, ose Fuqia e Pushtetit të Butë, merr një kuptim gjithëpërfshirës për atë që jemi ne shqiptarët, këtë e realizon më së miri Gazeta e Alpeve. Bukuria dhe rëndësia e kësaj veprimtarie meriton çdo lloj lavdërimi. Ajo përpiqet të inkurajojë të gjithë shqiptarët të veprojnë për të mirën e atdheut, kombit, familjes dhe për Bashkimin tonë Kombëtar.