Ballina Bota Kroacia, në hapin e anëtarëve më të zhvilluar të BE-së

Kroacia, në hapin e anëtarëve më të zhvilluar të BE-së

Me rritjen e qëndrueshme të PBB-së dhe vlerësimin më të lartë të kreditor në historinë e saj, Kroacia po arrin shtetet më të zhvilluara anëtare të BE-së, tha kryeministri Andrej Plenkovic, në një intervistë me CNN.

Perspektivat e Kroacisë si anëtari më i ri i Bashkimit Europian për sa i përket rritjes ekonomike dhe arritjes së vendeve që i janë bashkuar BE-së më herët, janë shumë pozitive, tha Plenkovic për CNN.

Agjencitë globale të vlerësimit Standard&Poor’s dhe Fitch Ratings, kanë përmirësuar së fundmi vlerësimin kreditor të Kroacisë nga BBB+ në A-.

Kryeministri bëri të ditur se qeveria e tij do të vazhdojë të krijojë kushte më të mira për familjet dhe bizneset kroate, veçanërisht për investitorët e huaj, duke përfshirë edhe ata nga Amerika, me të cilët do të takohet gjatë qëndrimit në Nju Jork.

Ai tha gjithashtu se qeveria nuk do të braktisë politikën e qendrës së djathtë që ka ndjekur në tetë vitet e fundit.

Sidoqoftë, në Europë ka ndryshuar arkitektura politike. Sipas Plenkovic, arsyet për këtë janë pasojat e emigracionit të jashtëligjshëm, i cili ka ndikuar në sigurinë e qytetarëve, si dhe pasojat ekonomike dhe sociale të pandemisë Covid-19 dhe lufta ruse kundër Ukrainës, që ka shkaktuar krizën më të madhe energjetike, rritjen e çmimeve të energjisë dhe trysnitë inflacioniste.

Por institucionet europiane tani po nisin një mandat të ri dhe të gjithë anëtarët e Komisionit Europian vijnë nga parti të moderuara, tha Plenkovic. Shumica nuk ndikohet nga partitë e skajshme politike, shtoi ai.

“Ne po vëzhgojmë nga afër se çfarë po ndodh në Shtetet e Bashkuara”.

I pyetur për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, kryeministri kroat tha se zgjedhja e qytetarëve amerikanë duhet të respektohet.

Ne kemi bashkëpunuar me administratat e ish-presidentit Trump dhe presidentit Biden, do të respektojmë vullnetin e popullit amerikan, duam që çdo gjë të shkojë mirë dhe që demokracia amerikane të jetë më e fortë pas zgjedhjeve të nëntorit dhe jo më e dobët, siç ishte pas zgjedhjeve të mëparshme, theksoi Plenkovic.

Ne po vëzhgojmë me vëmendje se çfarë po ndodh në Shtetet e Bashkuara, tha ai, duke theksuar se ka shumë përçarje në shoqërinë amerikane, por se kështu po ndodh edhe në disa shtete të tjera demokratike.