Ballina Personazh Ndahet nga jeta Shaqire Lushaj, e Deçanit, nëna e gazetarit e veprimtarit...

Ndahet nga jeta Shaqire Lushaj, e Deçanit, nëna e gazetarit e veprimtarit Adem Lushaj

13 nëntor 2024

Të nderuar Familje LUSHAJ,

U pikëllova kur lexova lajmin për vdekjen e Nënës suaj, Shaqire (Tahiraj) Lushaj, në moshën 84-vjeçare. 

Si mërgimtar prej 6 dekadash, lajme të tilla na tronditin edhe më shumë!

Në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të “Gazetës së Alpeve”, por edhe në emrin tim personal dhe Bordit Botues Ndërkombëtar të “Gazetës së Alpeve” e Redaksisë së saj, ju shprehim ngushëllimet tona të sinqerta.

Sa herë që vizitoja Familjen Tuaj, Nënëmadhja na priste me entuziazëm dhe bujari. Bisedat me të ishin të gjalla dhe shumë të ngrohta. Përveç drekave apo darkave të veçanta, nuk më linte të shkoja pa më dhënë diçka të gatuar dhe të përgatitur mirë.

Interesimi për mënyrën se si po shkojnë gjërat në politikën e Kosovës ishte shumë emocionuese.

Gjithmonë pyeste se çfarë thotë Amerika për Kosovën.

Pas kësaj vijonin pyetjet: “A e ka parë Amerika librin e Ademit?”. “Çfarë thua..? Më thuaj, Ademi, a i ka përshkruar të gjitha krimet e bëra nga serbët?”.

Bisedat vazhduan dhe ashtu e lodhur ajo u ngrit për të na sjellë diçka për të pirë ose për të ngrënë.

Mbrëmë nuk fjeta mirë, thoshte, sepse Ademi punonte në kompjuter në librat e tij deri në orët e para të mëngjesit. Nga Ademi mendja i shkon te të mërguarit e tjerë të saj në Perëndim. Nuk më largohen kurrë nga mendja dhe në heshtje bëj lutjet për shëndetin e mirë të familjes në mërgim, thoshte.

Mosha dhe sëmundja fillojnë me e muejt Nënëmadhen, dhe në fytyrën tënde Adem, pashë se sa shumë ndikoi ajo gjendje në Ty dhe Familjen tënde. Por edhe në këtë situatë Nënëmadhja thotë se po e përjetoj Lirinë e Kosovës dhe tani nuk më dhimbet jeta, sepse familja është në Kosovën e pavarur.

Andaj, i dashur Adem dhe gjithë Familja Juaj e madhe, krenohuni me punën dhe veprat e mëdha që po bëni për Kosovën e pavarur.

Amaneti i Nënëmadhes duhet të jetë shkas për të shtuar vullnetin për vazhdimin e dokumentimit kriminal të serbëve ndaj popullatës së pafajshme shqiptare në komunën e Deçanit, por edhe kudo në Kosovë.

E kuptoj dhimbjen që po përjetoni tani, por duhet të mbani mend jetën dhe sakrificat që keni bërë gjatë gjithë trazirave që kaloi populli ynë. Kjo duhet të të japë forcë dhe ta kthejë dhimbjen në festë, sepse dëshirat e prindërve u plotësuan dhe sot në të gjitha qendrat politike të botës po dëgjohet zëri i djalit të Nënëmadhes në librat e shkruar me aq kujdes e zell.

Tani më lejoni të përcjell ngushëllimet e gjithë stafit të “Gazetës së Alpeve”. Qofshin të pavdekshëm kujtimet e Nënës!

Sinqerisht 

Ramiz TAFILAJ

Drejtor i Përgjithshëm i “Gazetës së Alpeve”