Qytetarët në Maqedoninë e Veriut, në procedurën para Gjykatës Administrative, mund të kërkojnë që organet kompetente të obligohen t’i miratojnë të gjitha dokumentet e nevojshme nga Ligji për cilësinë e ajrit ambiental dhe ta padisin në procedurë administrative nëse shëndeti i tyre është i rrezikuar.
Kështu ka vendosur Gjykata Supreme në një seancë publike, gjatë javës, ku gjyqtarët diskutuan në lidhje me iniciativën e paraqitur nga Shoqata e Avokatëve nga Ohri, nëse shteti siguron ose jo kushte për realizimin e të drejtës së qytetarëve për një mjedis të shëndetshëm.
Në vendimin parimor thuhet se “konform rregullativës kombëtare dhe ndërkombëtare, shteti është i detyruar të sigurojë një mjedis të shëndetshëm, përfshirë të drejtën për ajër të pastër, si një të drejtë individuale të qytetarëve, të cilët si palë në procedurë administrative mund të kërkojnë që organet kompetente të obligohen të miratojnë dokumentet themelore të planifikimit nga neni 23 i Ligjit për cilësinë e ajrit ambiental, si akte të përgjithshme”.
Ky qëndrim i Gjykatës Supreme u mor pasi Gjykata Administrative disa herë ka refuzuar paditë e qytetarëve se Maqedonia e Veriut nuk merr masa për mbrojtjen e mjedisit. Me këtë qëndrim parimor, ngarkohet Gjykata Administrative që të veprojë ndryshe nga praktika e deritashme.
Iniciativa para Gjykatës Supreme për përcaktimin e mendimit parimor juridik më 2023 ishte paraqitur nga Shoqata e Avokatëve “Goxho Kiçeec dhe Novakovski” nga Ohri.
Edhe më parë ka pasur padi nga qytetarë që ishin refuzuar disa herë nga Gjykata Administrative, e cila qe deklaruar si jokompetente, në mënyrë që në fund lënda të përfundojë në Gjykatën Supreme.
Para miratimit të mendimit parimor juridik, kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, theksoi se qasja në një mjedis të shëndetshëm është një e drejtë themelore e njeriut e garantuar me Kushtetutën e shtetit dhe është e ndërlidhur me përmirësimin e shëndetit të qytetarëve.
Profesori i Fakultetit Juridik, Borçe Davitkovski, tha se pushteti gjyqësor duhet të jetë korrigjues i pushtetit ekzekutiv. Ai, duke iu referuar statistikave, tha se nga 10 foshnje të lindura, një vdes për shkak të ajrit të ndotur.
Ai çmon se organet publike nuk duan të mbajnë llogari për këtë mbrojtje kushtetuese të të drejtave të njeriut të qytetarëve. Për më tepër, ai tha se nëse merren parasysh të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik se në nivel vjetor nga ajri i ndotur vdesin deri në 5.000 qytetarë, kjo do të thotë se gjatë 30 vjetëve të kaluar, një e dhjeta e banorëve të Maqedonisë së Veriut kanë humbur jetën dhe askush nuk ka reaguar e as ka dhënë përgjegjësi për këtë.
Të dhënat zyrtare nga monitorimi shtetëror çdo vit tregojnë se qytetet si Shkupi, Manastiri dhe Tetova kanë përqendrime të larta të grimcave PM2.5 dhe PM10, veçanërisht gjatë muajve të dimrit.
Padia në Gjykatën Administrative e Shoqatës së Avokatëve nga Ohri është ngritur sipas shembullit të disa shtetaseve të Zvicrës, të cilat paditën shtetin para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) se ka shkelur ligjet dhe nuk i ka mbrojtur qytetarët nga efektet e ndryshimeve klimatike.