Ballina Aktualitet Gjermania i bën thirrje Izraelit ta ndalë ndërtimin e vendbanimeve në Bregun...

Gjermania i bën thirrje Izraelit ta ndalë ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, i ka bërë thirrje Izraelit t’i ndalë projektet e ndërtimit të vendbanimeve në Bregun e uzurpuar Perëndimor gjatë një vizite në Tel Aviv të premten.

Kryediplomatja gjermane i vizitoi dje Arabinë Saudite dhe Jordaninë në kuadër të turit të saj në Lindjen e Mesme, në përpjekje për t’i nxitur Izraelin dhe Hamasin – grupin palestinez të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – të arrijnë marrëveshje për armëpushim në Gazë dhe për lirimin e pengjeve.

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden tha më herët këtë javë se beson se marrëveshja për armëpushim është e arritshme.

Por, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ngul këmbë që trupat izraelite duhet të qëndrojnë përgjatë vijës kufitare mes Gazës dhe Egjiptit për çështje sigurie. Hamasi kërkon tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza.

Baerbock i bëri thirrje Qeverisë së Izraelit t’i japë fund projekteve për ndërtimin e shtëpive për kolonët izraelitë në Bregun e uzurpuar Perëndimor, në mënyrë që të ndihmojë në ndërtimin e besimit në rajon.

Duke folur pas takimit me homologun e vet izraelite, Israel Katz në Tel Aviv, ajo tha se ndërtimi i vendbanimeve në Bregun Perëndimor është shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar.

“Sipas mendimit tim, Qeveria izraelite mund ta rifitojë besimin e humbur ndërkombëtar duke i ndalur projektet e ndërtimit të vendbanimeve si hap i parë”, tha ajo.

Qeveria izraelite duhet gjithashtu të “të ndërmarrë veprime të fuqishme kundër akteve të dhunshme që po kryhen nga kolonët radikalë”, tha Baerbock.

Para dy muajve, Izraeli e aprovoi ndërtimin e më shumë se 5.000 njësive banimi në disa vendbanime në Bregun Perëndimor.

Baerbock pritet të takohet edhe me kryeministrin e Autoritetit Palestinez, Mohammed Mustafa, në Ramallah.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, së bashku me Gazën dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës të Lindjes së Mesme më 1967. Palestinezët duan që këto tri territore të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen.

Tre milionë palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën sundimin ushtarak izraelit, ndërkaq Autoriteti Palestinez, që mbështetet nga Perëndimi, ka kontroll të kufizuar në qendrat e populluara.

Më shumë se 500.000 kolonë hebre, që jetojnë në vendbanime të ndërtuara në mbarë territorin të cilat konsiderohen nga shumica e komunitetit ndërkombëtar si të paligjshme, kanë shtetësi izraelite.