Qeveria e Letonisë ka filluar të heqë gjuhën ruse nga programet shkollore në gjithë vendin. Kjo masë është pjesë e një plani për të ulur ndikimin e Moskës pas sulmit të shkallës së gjerë ndaj Ukrainës. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Wilkins, në lagjen Daugavgriva në kryeqytet, ku kryesisht flitet rusisht, disa edukatorë dhe ekspertë të sigurisë thonë se ky hap do t’u vijë në ndihmë propagandistëve të Kremlinit.
Viktorija Krongorne është zëvendës drejtore e Shkollës Daugavgrivas në Rigë, njëra nga 94 shkolla në Letoni, ku të gjitha lëndët jepeshin në rusisht deri në vitin 2022, kur një ligj i ri urdhëroi shkollat të përdorin vetëm letonishten deri në vitin 2025.
Zonja Krongorne thotë se ky vendim hyri menjëherë në fuqi dhe shkaktoi shqetësime meqë shumë fëmijë flisnin shumë pak letonisht. Ajo thotë se notat e tyre ranë në çdo lëndë, duke filluar nga biologjia e deri te matematika.
“Si ta vëmë në praktikë kur po ndodh me 30 vite vonesë? Si mund ta bëjmë këtë sa më pak të vështirë për fëmijët?” thotë ajo.
Ajo thotë se këto ndryshime duhej të kishin ndodhur në vitet ‘90, kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik. Megjithatë, sipas saj, për fëmijët e familjeve që flasin rusisht, përmirësimi i mundësive të punësimit do të jetë një rezultat pozitiv i këtij vendimi.
Ndërkohë që heqja e mësimdhënies në rusisht nga programet shkollore është pjesë e një përpjekje më të gjerë për ta larguar ndikimin rus në Letoni pas sulmit rus ndaj Ukrainës, ekzistojnë shqetësime rreth propagandës së Kremlinit.
Kur Rusia sulmoi pjesën lindore të Ukrainës në vitin 2014, e bëri këtë me pretekst se po shpëtonte rusisht-folësit e shtypur.
Zoti Veiko Spolitis është studiues i shkencave politike dhe ish zëvendës-ministër i mbrojtjes.
“Mënyra se si Rusia shfrytëzon gjuhën ruse përmes komunitetit rus këtu nuk duhet lejuar. Është e papranueshme dhe duhet ta kuptojmë, se nëse nuk bëjmë përgatitjet e duhura, mund të jetë radha jonë”, thotë ai.
Që nga viti 2022, Letonia ka hequr monumentet ruse, si ky që përkujton çlirimin sovjetik të Letonisë nga nazistët.
Një rusisht-folës, i cili pranoi të identifikohet vetëm me emrin Vasily, tha se është i shqetësuar.
“Në çdo shtet, njerëzit gjithsesi duhet ta flasin gjuhën zyrtare. Por natyrisht, nuk duhet t’u bëjmë trysni atyre që nuk i takojnë përkatësisë kombëtare vendase”, thotë ai.
Rreth 20000 shtetas rusë që jetojnë në Letoni do t’i nënshtrohen testeve të përcaktuara nga qeveria për njohuri bazë të letonishtes. Nëse dështojnë, atyre mund t’u kërkohet të largohen nga shteti.
Disa thonë se pasojat e paqëllimta të një zhvillimi të tillë do t’i kontribuonin teorive të Kremlinit se ruso-folësit janë një pakicë e shtypur.
Inta Mierina është drejtore e Qendrës për Hulumtime të Diasporës dhe Migracionit në Universitetin e Letonisë.
“Ky vendim nuk do t’i ndihmojë shumë sigurisë së Letonisë. Në përgjithësi nuk bëhet fjalë për shumë njerëz, janë vetëm disa mijëra që do të preken. Gjuha ka shërbyer si mjet propagande për Rusinë dhe ata po e përdorin këtë gjë në mënyrë të jashtëzakonshme,” thotë ajo.
Por në klasa si kjo, shqetësimi kryesor i mësimdhënësve është ndikimi që këto masa do të kenë tek studentët të cilët tashmë po japin maksimumin.