Grupe qytetarësh shqiptarë protestuan të hënën në komunën e Bujanocit në rajonin e Luginës së Preshevës, me thirrje që qeveria e Beogradit t’i jap fund diskriminimit të tyre.
Në protestën me moton “për identitet dhe dinjitet”, u tha se shqiptarët në Jug të Serbisë po përballen me diskriminim, mosnjohje të diplomave, mosintegrim dhe pasivizim të adresave.
Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi tha se kjo situatë është e paqëndrueshme dhe e padurueshme.
“Ftoj qeverinë që të fillojë në mënyrë urgjente dhe të pakushtëzuar realizimin e obligimeve të marra nga marrëveshjet e nënshkruara, mbi të gjitha ftoj bashkësinë ndërkombëtare, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, OSBE-në, vendet e Quint-it që të reagojë sa më shpejt për ta ndërprerë diskriminim dhe aparteidin klasi që po ndodh sepse që nga Marrëveshja e Konçulit 2001 e deri te plani shtatë pikësh 2013, ne kemi pasur besim jo në Beogradin, por në vlerat dhe parimet e demokracive perëndimore”, tha zoti Kamberi.
Përfaqësues shqiptarë të institucioneve në Luginë të Preshevës thonë se të drejtat e tyre vazhdojnë të shkelen dhe Serbia nuk ka treguar vullnet politik e as pragmatik për të zgjidhur çështjet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc, Nevzad Lutfiu tha se protestat me kërkesë për përbushjen e të drejtave të shqiptarëve do të vazhdojnë.
“U munduam shumë që përmes dialogut të zgjidhim problemet tona, na mashtruan, gënjyen, nuk ka shpresë madje askush nuk na rekomandon të shpresojmë. Nuk kemi kohë për marrëveshje të reja, çdo ditë e humbur nënkupton dhjetëra kuadro të humbur. Nuk do të heshtim dhe jemi shumë të vendosur”, tha zoti Lutfiu.
“Në qarqe të caktuara në bashkësinë ndërkombëtare po dëgjojmë që Serbia ka pushtet garantues të paqes dhe sigurisë rajonale. Ky diskriminim në Luginë të Preshevës po ndodh nën përkëdheljen kryeqendrave të caktuara të botës që po parapëlqejnë qëndrueshmërinë në dëm të demokracisë”, tha deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Serbi, rreth 60 mijë shqiptarë jetojnë në Luginën e Preshevës.
Përfaqësuesit politik thonë se situata në rajonin e Luginës së Preshevës vazhdon të jetë e rëndë dhe se nuk është shënuar përparim që nga përfundimi i konfliktit në vitin 2001 ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në këtë zonë.