Ballina Bota Shqetësimet mbi ngadalësimin e ekonomisë amerikane shaktojnë rënie të mëdha në tregjet...

Shqetësimet mbi ngadalësimin e ekonomisë amerikane shaktojnë rënie të mëdha në tregjet e aksioneve

Tregu amerikan i aksioneve shënoi rënie të hënën nga frika se ekonomia amerikane po përjeton një ngadalësim të mëtejshëm, duke shkaktuar një shitje të gjerë aksionesh në tregjet financiare në mbarë botën.

Indeksi S&P 500 (që përfaqëson 500 kompanitë më të mëdha në SHBA) pësoi rënien më të madhe të vlerës së aksioneve që nga viti 2022, duke rënë me 2.4%. Dow Jones (indeksi i 30 kompanive më të mëdha) ra me 2.2%, ndërsa indeksi i kompanive teknologjike, Nasdaq, ra me 2.7%.

Rënia e vlerës së aksioneve në Shtetet e Bashkuara u pasua nga një valë e shitjes së aksioneve në nivel global, që filloi javën e kaluar. Bursa Nikkei në Japoni pësoi rënien më të madhe që nga viti 1987, duke humbur 12.4% të vlerës së saj të hënën, përpara hapjes se tregjeve të aksioneve në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Kjo ishte mundësia e parë për reagimin e tregjeve të aksioneve në Tokio ndaj raportit të së premtes që tregonte se punëdhënësit amerikanë kishin ngadalësuar ritmin e punësimit muajin e kaluar me një nivel shumë më të lartë sesa kishin parashikuar ekonomistët. Kjo rriti frikën se Rezerva Federale mund ta ketë frenuar ekonominë amerikane për një kohë të gjatë përmes rritjes së normave të interesit në përpjekjet për të ulur shkallën e inflacionit.

Bursa Kospi e Koresë së Jugut ra 8.8%, tregjet e aksioneve në të gjithë Evropën pësuan rënie me nivel mbi 2% dhe monedha dixhitale Bitcoin ra nga 61 mijë dollarë, që ishte të premten, në më pak se 55,000 dollarë.

Edhe ari, që ka një reputacion si një investim i sigurt në momentet e paqëndrueshme ekonomike, ra me 1%. Kjo rënie u shkaktua pjesërisht nga frika se dëmi ekonomik është aq i rëndë sa Rezervës Federale do t’i duhet të ulë normat e interesit në një takim urgjent, përpara takimit të planifikuar më 18 shtator.

Ekonomia amerikane është ende në rritje dhe ajo nuk përballet me një rënie të madhe në aspektin afatshkurtër.

Rënia në tregun e aksioneve u ndikua edhe nga faktorë të tjerë përveç raporteve mbi fitimet e korporatave, normat e interesit dhe ekonomia. Lufta Izrael-Hamas mund të përkeqësohet dhe përveç viktimave mund të shkaktojë edhe luhatje të forta të çmimit të naftës. Kjo po shton shqetësimet më të gjera për zonat e tjera të konfliktit në mbarë botën, ndërsa zgjedhjet e ardhshme në Shtetet e Bashkuara mund ta përkeqësojnë më tej situatën ekonomike.