Ballina Bota Kriza e trafikimit të qenieve njerëzore, Nju Jorku renditet në vend të...

Kriza e trafikimit të qenieve njerëzore, Nju Jorku renditet në vend të katërt në SHBA

Nju Jorku renditet në vend të katërt për rastet e trafikimit të qenieve njerëzore në Shtetet e Bashkuara, sipas Qendrës Kombëtare të Burimeve për Trafikimin Njerëzor. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Aunshuman Apte, autoritetet thonë se shifrat janë shtuar kohët e fundit me rritjen prurjeve të emigrantëve pa dokumente. Korrespondenti i Zërit të Amerikës bisedoi me një të mbijetuar të trafikut njerëzor që ka ndërmarrë një fushatë në mbrojtje të viktimave të trafikut njerëzor.

Laura Mullen, një e mbijetuar e trafikimit të qenieve njerëzore, foli me zyrtarët e qytetit gjatë një takimi lidhur me gjendjen e vështirë të viktimave të trafikut njerëzor. Ajo u trafikua në vitin 2014.

“Isha e droguar dhe e dëshpëruar pranë një dyqani që rri hapur 24 orë. Një individ më tha se dukesh e uritur dhe më ofroi të lahesha tek shtëpia e tij. Kështu që përfundova e mbyllur në bodrumin e tij ndërsa përpiqesha për të shpëtuar”, tregon e mbijetuara e trafikut njerëzor.

Asaj iu ofrua drogë dhe e detyruan të kryente marrëdhënie seksuale. Kjo zgjati pesë vjet për Laurën, e cila kishte frikë të raportonte trafikantin e saj.

“Kisha frikë të shkoja në polici sepse ajo që bëja ishte kriminale. Përdorimi i drogës dihet që nuk është i ligjshëm”, thotë Laura Mullen, viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore.

Ajo u arrestua në vitin 2019 nën akuza për drogë. Pas lirimit nga burgu, një organizatë jofitimprurëse, ECLI-VIBES, e ndihmoi atë të fillonte një jetë të re. Ajo u bë veprimtare kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Veprimtarët si ajo punojnë kundër trafikimit në qytetin e Nju Jorkut, duke vënë në dukje rritjen e rasteve me shtimin e fluksit të emigrantëve pa dokumente, që shfrytëzohen nga trafikantët.

Veprimtarët thonë se në raste të shpeshta, viktimat nuk kanë punë, familje dhe nuk i njohin ligjet apo flasin gjuhën.

“Emigrantët e rinj i plotësojnë shumë nga këta faktorë dhe janë jashtëzakonisht të cenueshëm. Për shumë prej tyre, përfitimet monetare po mbarojnë. Ata po dëbohen nga strehimoret që u dhanë kur mbërritën fillimisht dhe nuk kanë asnjë aftësi për të siguruar jetesën në ekonominë lokale”, thotë Sonia Ossorio, me Organizatën Kombëtare për Gratë.

Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, thotë se qyteti po punon për të luftuar problemin, por ka nevojë për fonde federale dhe ndryshime në ligjin e punës.

“Problemi nuk duhet injoruar pasi ne po shohim se çfarë po ndodh për shkak të paaftësisë së emigrantëve dhe azilkërkuesve për të punuar. Shumë gra të reja po detyrohen të përdorin rrugë të tmerrshme për të mbajtur familjet e tyre. Mënyra për ndalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, fillimisht është goditja e atyre që kryejnë aktin. Së dyti, e drejta e njerëzve për të punuar. Nëse lejohen të punojnë, ata nuk kanë nevojë të bëjnë vepra të paligjshme”, tha kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams.

Veprimtarët paralajmërojnë se jo të gjitha viktimat e trafikimit janë emigrantë.

“Aktualisht në Nju Jork, shumica dërrmuese e viktimave të trafikimit seksual janë gra dhe vajza të lindura në vend. Ato kanë histori të dhimbshme nga fëmijëria, të qenit të pastrehë, jetimoret, familjet jofunksionale ose janë trafikuar seksualisht si fëmijë”, thotë Taina Bien-Aimé, me Koalicionin Kundër Trafikimit të Grave.

E mbijetuara Laura Mullen thotë se të gjithë kanë një rol për të luajtur.

“Mbani hapur sytë dhe veshët. Dhe nëse sheh diçka, thuaj diçka”, është këshilla që ka Laura Mullen.