Ballina Aktualitet Vejvoda: Në Ballkan nuk do të ketë ndryshime, kushdo që të bëhet...

Vejvoda: Në Ballkan nuk do të ketë ndryshime, kushdo që të bëhet president i SHBA-së

Fushata zgjedhore në Shtetet e Bashkuara po ndiqet me vëmendje edhe në Ballkanin Perëndimor.

Edhe pse vendet e këtij rajoni nuk presin që politika amerikane ndaj tyre të ndryshojë rrënjësisht – pavarësisht se kush do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë – secili prej tyre ka preferenca.

Ndërsa në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, më saktësisht në entitetin e Federatës së BeH-së, duan fitoren e kandidatit/es demokrat/e, në Serbi dhe në entitetin tjetër të Bosnjës, Republika Sërpska, shumica dërrmuese është në favor të kundërshtarit republikan, Donald Trump.

Në Mal të Zi, tabloja është me shumë ngjyra, ndonëse shumica duket se anon drejt Trumpit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha pas debatit të parë midis Trumpit dhe Joe Bidenit në qershor – kur presidenti aktual amerikan ishte ende në garë për rizgjedhje – se “Trump nuk do të mbështesë asnjë botë serbe, as nuk e kërkon dikush një gjë të tillë, por ndoshta Trump do të mbështeste një politikë disi ndryshe, që nuk do të ishte antiserbe”.

Pritje më reale në Beograd

Është plotësisht e qartë se asnjë nga vendet që janë të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, domethënë vendet anëtare të BE-së, SHBA-ja apo Kanadaja, nuk do ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe nuk do t’i ndryshojnë qëndrimet e tyre kryesore në politikën e jashtme, thotë për Radion” Evropa e Lirë” Ivan Vejvoda, bashkëpunëtor hulumtues i Institutit për Shkenca Humane në Vjenë.

“Tani, pritjet në Beograd janë më reale dhe më të matura, pa vënë baste për njërin apo tjetrin kandidat, për dallim nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili është i bindur se Trump do të fitojë…”, thotë ai.

Vendimi i fundit i autoriteteve në Serbi për t’ia dhënë dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, rivitalizimin e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit – pjesë të të cilit u shkatërruan gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 – interpretohet si një përpjekje për pozicionim më të mirë në rast se ish-presidenti Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Gjithashtu, Richard Grenell, i cili ishte i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Kosovën gjatë administratës së Trumpit, është një mysafir i mirëpritur në Beograd.

Në shkurt të vitit 2023, Vuçiq i dha medalje Grenellit me rastin e Ditës së Shtetësisë. Ai tha atëkohë se Grenell ishte “një nga të paktët që u përpoq të kishte një qasje të balancuar dhe ta dëgjonte Serbinë”.

“Nëse Trump fiton, të gjithë thonë se Grenell mund të bëhet sekretar i ri i Shtetit. Duke gjykuar nga numri i vizitave të tij në rajon në këta katër vjet, si dhe nga idetë dhe planet e ndryshme sipërmarrëse, atëherë marrëveshja me Jared Kushnerin për të ndërtuar një hotel në vendin ku është Shtabi i Përgjithshëm, do të thosha se do të mbetet ende një mundësi – sipas këndvështrimit të Trumpit dhe Grenellit – për të gjetur një zgjidhje”, thotë Vejvoda.

“Se çfarë forme do të ketë ajo, nëse do të kthehen në idenë e ndarjes [së Kosovës] apo do të kërkojnë mënyra të tjera, është vërtet vështirë të thuhet në këtë moment”, shton Vejvoda.

Marrëveshja e Uashingtonit mbeti vetëm në letër

Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, si një mënyrë për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre, u përmend si mundësi në vitin 2018.

Edhe pse administrata Trump nuk e mbështeti zyrtarisht këtë iniciativë, këshilltari i atëhershëm për siguri kombëtare, John Bolton, la të kuptohej se mund të përfshihej në të “nëse rrethanat e kërkojnë”.

Por, në Bashkimin Evropian, e sidomos në Gjermani, u tha se një veprim i tillë do të shkaktonte probleme edhe më të mëdha në rajon, pasi do të mund të kishte efekt zinxhiror në ndryshimin e kufijve.

Në fund, administrata Trump hoqi dorë nga kjo ide.

Më pas, në fillim të shtatorit të vitit 2020, dy muaj para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, administrata Trump ndërmjetësoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky dokument parashihte njohjen reciproke mes Kosovës dhe Izraelit, si dhe zhvendosjen e ambasadës serbe nga Tel Avivi në Jerusalem.

Dispozita për njohjen reciproke Kosovë-Izrael u zbatua, ndërsa Serbia nuk e zhvendosi ambasadën e saj, sepse, siç tha Vuçiq, “interesat [e Serbisë] kanë ndryshuar që nga momenti kur Izraeli e ka njohur pavarësinë e Kosovës”.

Projektet e tjera – si autostrada e paqes Nish-Prishtinë, ndarja e Liqenit të Ujmanit – gati se nuk kanë nisur.

Projekti “Mini Schengen”, më vonë i njohur si “Ballkani i Hapur” – i cili u iniciua nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – gati se u ngri, sepse Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina nuk iu bashkuan.

Integrimi ekonomik nuk është garanci e pajtimit politik

Nëse shikoni nëpër histori, integrimi ekonomik nuk është garanci për pajtimin politik, tha në kohën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit Charles Kupchan, anëtar i Këshillit Amerikan për Marrëdhënie me Jashtë dhe profesor në Universitetin Georgetown.

“Në fakt, në një numër të madh të rasteve, keni pasur integrim ekonomik pa shumë ndikim politik. Prandaj, mendoj se është e rëndësishme të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në drejtim më politik. Përndryshe, mund të shihni rritje të tregtisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pika të reja kufitare, autostrada, por pa normalizim politik”, tha Kupchan.

Administrata e Bidenit më evropiane

Ndryshe nga administrata Trump, e cila shpesh ishte në kundërshtim me qasjen e Bashkimit Evropian në Ballkan, ekipi i Bidenit u përpoq t’i sinkronizonte aktivitetet e tij me Brukselin, në mbështetje të integrimit evropian të rajonit, si dhe të zgjidhjes së çështjeve të hapura.

Në vitin 2021, SHBA-ja vendosi sanksione kundër biznesmenit kontrovers nga Kosova, Zvonko Vesellinoviq, dhe 13 serbëve të tjerë. Më vonë edhe kundër udhëheqësit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, për shkak të aspiratave të tij secesioniste.

Pastaj, përkundër kritikave të organizatave të ndryshme ndërkombëtare për shkeljen e normave demokratike, Biden i ftoi përfaqësuesit e Serbisë në Samitin e parë për Demokraci në vitin 2021.

Vejvoda thekson se administrata aktuale amerikane është më evropiane dhe më e kualifikuar kur bëhet fjalë për njohjen e rrethanave në kontinentin e vjetër.

“Duke u nisur nga presidenti Biden deri te sekretari i Shtetit [Anthony] Blinken që flet frëngjisht, e pastaj ndihmësi i sekretarit [James] O’Brien, i cili ka qenë i përfshirë në çështjet e Ballkanit që nga koha e Rambujesë dhe Dejtonit”, thotë Vejvoda.

Sipas tij, administrata aktuale amerikane është e përkushtuar ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, në mënyrë sa më efikase dhe të shpejtë.

“Kjo, sigurisht, është e rëndësishme, marrë parasysh agresionin rus kundër Ukrainës, për të cilën gjë çështja e zgjerimit të Bashkimit Evropian është kthyer në qendër të vëmendjes dhe është bërë një nga prioritetet e politikës euroatlantike”, thotë Vejvoda dhe shton se në lojë është edhe “pranimi me faza”, në mënyrë që “rajoni të lidhet sa më shumë me Perëndimin”.

“Ne duhet ta kujtojmë vazhdimisht gjeografinë e Ballkanit Perëndimor, domethënë gjeopolitikën dhe gjithashtu gjeoekonominë. Jemi të rrethuar nga anëtarë të BE-së dhe NATO-s. Ekonomikisht, ne varemi në një masë shumë më të madhe nga Perëndimi, pavarësisht investimeve kineze, të cilat nuk janë të papërfillshme”, thekson Vejvoda.

Ai shton se shumëçka do të varet edhe nga vendet e rajonit, përkatësisht nga reformat që do t’i bëjnë.

Trump do të përpiqej ta përshpejtonte normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Në rast se Trump vjen në pushtet, Vejvoda përsërit se nuk do të ketë dallime të mëdha në qasjen ndaj Ballkanit – gjë që, sipas tij, u pa edhe gjatë mandatit të tij të parë.

Në vazhdën e Marrëveshjes së Uashingtonit, katër vjet më parë, dhe nga vizitat e shpeshta të Grenellit në rajon, mund të konstatohet se ekipi i Trumpit po përpiqet të përcaktojë nëse normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mund të përshpejtohet, sipas tij.

“Me pak fjalë, drejtimi i përgjithshëm nuk ndryshon. Diçka ndryshon nëse Trump fiton… në përpjekje për të përshpejtuar disa procese, veçanërisht kur bëhet fjalë për marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës”, thotë Vejvoda.

SHBA-ja nuk do ta lejojë shpërbërjen e Bosnje Hercegovinës

Në rast të fitores së kandidatit/es demokrat/e në zgjedhjet presidenciale në SHBA është përmendur mundësia e organizimit të ndonjë varianti të Dejtonit 2 vitin e ardhshëm – në 30-vjetorin e miratimit të Marrëveshjes origjinale të Dejtonit – me qëllim forcimin e shtetësisë së Bosnje e Hercegovinës dhe parandalimin e aspiratave secesioniste të Republikës Sërpska.

Vejvoda beson se nuk do të ketë ndryshim në qëndrimin e Uashingtonit, kushdo qoftë në pushtet.

“Edhe nëse Trump fiton, synimet secesioniste në Bosnje dhe Hercegovinë do të shihen shumë negativisht në SHBA, marrë parasysh se sa shumë është investuar në unitetin e saj, si historikisht, ashtu edhe në tri dekadat e fundit”.

“Dejtoni është një lloj zotimi i politikës amerikane. Unë nuk pres që administrata Trump të ndryshojë diçka atje”, thotë Vejvoda.

Marrëveshja Kornizë e Përgjithshme për Paqe në Bosnje dhe Hercegovinë ose Marrëveshja e Paqes e Dejtonit u nënshkrua më 21 nëntor të vitit 1995 në bazën ajrore amerikane Wright-Patterson, pranë qytetit të Dejtonit.

Ajo i dha fund luftës në Bosnje e Hercegovinë pas gati katër vjetësh.

Marrëveshja e Dejtonit u krijua gjatë konferencës që u mbajt nga data 1 deri më 21 nëntor, 1995.