-Tregim nga Tahir BEZHANI i Gjakovës
Ishte dite e diel, ditë vikendi. Dielli e kishte përqafuar hapësirën tokësore kudo me rrezet e veta pranverore. Gjelbërimi i natyrës i kishte dhënë pamjen magjepsese gjithë atij qyteti. Bardh Shkreta, gjysmë i përgjumur, hapi dritaren e dhomës së fjetjes dhe shikoi gjithandej bukuritë e atyre kodrave të gjelbëruara. Nguli sytë në një katarakt uji, i cili shushurinte bukur gjatë rënies në shtratin e atij lumi të qetë, buzë qytetit piktoresk.
Pastaj u ndal në mendime rasti, ” kushedi se ku tretet ai lumë i qetë dhe çfarë bart në brendinë e tij…!”
Ktheu prapa, vështroi dhomën, ishte i vetëm. Trupi i lodhur nga mundimet e përditshme, kërkonte prapë pushim në shtratin e gjumit, ishte i dërmuar nga puna javore, mujore, e afër dyzet viteve…
Instinktivisht u shtri sërish n ‘atë krevat të natës, por nuk e zinte gjumi. Do kujtime iu mbështjellën kokës si një tym kur donte t’i dilte flaka, kujtime të kamotshme që e përcillnin gjithë jetën.Dhe filluan t’i lëvizin mendimet si ai uji i atij lumit ku derdhej shushurima e katarakteve bjeshkore.
–Eh! Sa shpejtë ikën vitet, shumë shpejtë, tok me jetën,mendoi Bardh Shkreta.Ishte natë kur dola nga shtëpia dhe nuk iu lajmërova askujt, bile nuk përqafova babë as nanë. Mora edhe Shpresën, bashkëshorten, pa njoftuar askënd. Një letër elashë të shkruar si njoftim ,në kapakun e maxhës, nuk doja as t’i bezdis, por as të dinë qëllimet e ikjes sime tek të tjerë familjarë. Nuk më kishte mbetur vend të qëndroj më gjatë në vendlindjen time, në Gurbardh. Më kërkonin vazhdimisht organet e sigurimit. Ose burg të gjatë ose marrje jete, do më kushtonte zënia ime…
N ‘ato vite të tollovisë së madhe politike në Kosovë, fillim viteve nëntëdhjeta, kur shovinizmi serb donte të gëlltiste çdo krijesë të gjallë shqiptare në tokën tonë, ditët pasuroheshin vetëm me gjakosje, po rezistencë, jo jetë. Dhe,ikëm me Shpresën, natën pa hënë ! Ika si munda e si dita, rrugëve më të zorshme të jetës sime, si nëpër rrathë ferri. Ç’ka nuk të mëson zori!
Jemi të mësuar nëpër shekuj nga goditjet e gurëve të kohëve. Popull i lindur e rritur në vuajtje gjithmonë. Pas shumë peripecive, kalova në Zvicër.
U vendosa në kantonin e Cyrrihit. Aty u vendosa dhe fillova punën e zakonshme si gyrbetaqarë, plot përmallim për vendlindjen e lënë mes flakëve të kohës. Fëmijët më linden në gyrbet, të tretë.
Këto mendime sa vinin e ia ngushtonin frymëmarrjen Bardh Shkretës. Malli për vendlindjen e digjte, por për prindërit akoma më tepër. Shpesh i shihte në ëndërr, duke i përqafuar, e pastaj qante si fëmijë. Dëneste, duke u kthyer herë në njërin e krah e herë në tjetrin, derisa e zinte gjumi,tejet të lodhur e të rraskapitur.Me gjithë atë mërzi, tënesërmen duhej vazhduar puna, punë e rëndë në ndërtimtari. Gjithnjë jetonte me shpresën se një ditë do bëhet mirë, do i realizohen ëndrrat e shumëpritura për lirinë e Kosovës, për të cilën kishte dhënë shumë, bile, kishte rrezikuar edhe jetën.
Pas asaj agonie malli që e kishte kapluar, i kaloi nëpër kokë e trup duke lënë gjurmë jete, perceptime të tmerrshme. Uzgjua si i trembur nga një ëndërr e keqe, hodhi supeve një bluzë të lehtë dhe doli në kuzhinë, andej ku duhej të ishin e gjithë familja në një ditë vikendi, bile, një ditë sa për ta pyetur njëri tjetrin për punë, për mësime e shumë gjëra tjera të jetës familjare.
Pasi u ul në karrige ku gjithnjë pinte kafenë e mëngjesit, bashkëshortja Shpresa, e vërejti se diç nuk ishte në rregull me disponimin e Bardhit. Me një zë përulësie iu drejtua bashkëshortit ,duke lutur për kafe apo diç tjetër, me që ishte zgjuar më vonë .
-Më bëj një kafe dhe më thuaj se ku janë fëmijët?!
Shpresa duke ia sjellë kafenë, i jep përgjigje edhe për fëmijët, duke i thënë se kanë dalë sipas orareve të tyre. Festimi e Shkëlqimi për lojën e topit ndërsa Erëmirën e thirrën shoqet për disa detyra të shkollës, detyra shtëpie po u thonë.
-Shpresa, foli Bardhi, dëgjo mirë çfarë të them! Jemi në një vend që mund të fitojmë para, por mund të sharrojmë thellë për keq, në aspektin e moralit, karakterit, gjuhës,traditës e shumë gjëra tjera ,që na personifikojnë ndryshe nga këta këtu, nga ky popull ardhur nga e gjithë bota. Duhet të bëjmë çmos të ruajmë identitetin tonë, nga i kemi rrënjët. Mbajmë përgjegjësi për fëmijët tanë, për ardhmërinë e tyre. Mendohem gjithnjë e gjithmonë, të punojmë e fitojmë shumë, por t’i kthejmë fëmijët në çerdhën e vet, në Kosovë.
– E more njeri im! Sa zor e ke të realizosh atë dëshirë! A din se ku ke ardhë?! Sado të përpiqesh për ato synime, është tepër e vështirë, ambienti “t’i thithë dëshirat”, të lëkund tërë trupin me rrënjë e me çka ke, gjërat bëhen si të pandashme aty ku jeton…
Bardhit sikur se iu rrëqeth lëkura e trupit. Nuk e ndjeu në shpirt përkrahjen e bashkëshortes. Iu duk sikur edhe ajo po anonte kah ai “transformim “më logjikë perëndimore, ndonëse ka edhe të mira, por nuk iu duk përkrahëse Shpresa në esencën e karakterit edukativ të fëmijëve të tyre. Për herë të parë po e heton një ndasi mes vetës e Shpresës në kuptimin e rritës së fëmijëve të tyre.
-Shpresa, të kuptova por nuk po pajtohem thellësisht me juve. Ka gjëra që ruhen mirë me qëndrim e qëllim të përbashkët. Pemës edhe nëse i bien gjethet, rrënjët duhet të jenë të forta. Nga aty mbijnë pipat e rinj, nga i njëjti trung, Shpresa….
Përpiqu mos të më rrënosh ardhmërinë time. Kosova është jeta ime. Nga atje kam ikur për të shpëtuar ty e vetes kokën , për të rritur e shkolluar fëmijët tanë, jo për t’i asimiluar. Kujdes Shpresa!
Pas bisedës së përbashkët atë ditë vikendi mes bashkëshortëve, me qëllime të përbashkëta për ardhmërinë familjare, sikur se u ngulit një guri që hamendëson kahet e ecjes rrugëve të jetës. Shpresa nuk bëzani, uli kokën dhe u ngritë me arsyetimin se ka shumë punë për të bërë. Ndërsa, Bardh Shkreta, ndërroi rrobat dhe doli në qytet, i ngarkuar me shumë probleme jete. Në mbyllje të derës, para se të dalë nga shtëpia, i la porosi Shpresës që të bisedoi me fëmijët kur të kthehen, t’ua tregoi bisedën e qëllimin tonë, e posaçërisht e porositi për bisedë me vajzën, Erëmirën.
Duke shëtitur rrugëve të qytetit, atyre parqeve të bukura me lulishte shumëngjyrëshe, aroma e të cilave të zinte frymën si parfum i kushtueshëm, u ul në një karrige dhe nxori pakone duhanit, çakmakun dhe ndezi një cigare ,duke menduar për natën pa gjumë, dhe bisedën me bashkëshorten, për fëmijët dhe ardhmërinë, atë lumë jete që shpesh nuk pyet për dëshirat e askujt. Ai vazhdon rrjedhën e tij…
Nuk kishte thithur tri herë në cigaren e duhanit, kur befas, i shkuan sytë në anësoren tjetër të parkut, ku pa mikun e tij, bashkëvuajtësin e kohëve të kaluara, Mërgim Mermerin nga fshati Rrahishtë e Dukagjinit. Me të parë njëri tjetrin, fytyrat e tyre sikur u ndezën nga një dëshirë e shumëpritur, u ngrykuan sikur të ishin vëllezër.
-Ku ke humbë ore Mërgim Mermerin? Ka shumë kohë pa të parë! Më ka marë malli me llafosë, nuk kam shumë miq këndej pari, vetëm ty që më pushon zemra kur bisedoj.
Pasi shkëmbyen shumë pyetje për punën, jetën e familjet, ranë n ‘ujdi që të shkojnë në një bufe për të pirë nga një birrë e të bisedojnë më gjatë, të çmallen me njëri tjetrin.
Pas futjes në atë bufe komode, të qetë e të përshtatshme për biseda mes miqve të respektuar e familjarë të përkushtuar, filluan bisedat e gjata, duke trajtuar edhe situatën e pasluftës në Kosovë, duke ndërlidhur shumë situata e shembuj të pakëndshëm të gjendjes jo të mirë,në shumë aspekte të shoqërisë kosovare. Bisedat që trajtonin dy miqtë, faktet relevante që shtroheshin e nuk mund të tejkaloheshin, bënin që të merrnin flakë bisedat nga lami të ndryshme të jetës.
-Luftën që bëri populli ynë, nuk e meritoi këtë gjendje çfarë po e dëgjojmë, por edhe po e shohim kur shkojmë n ‘ato pushime të zezueme. Po shkojmë plot malli e kthehemi plot plagë në zemër. Nuk e kemi merituar këtë gjendje kështu Bardh
Shkreta–përfundoi bisedën Mërgim Mermeri, duke zgjatur dorën kah pakoja e cigareve për ta ndezë tjetrën, megjithëse akoma tymonte në taketuke e mëparshmja, shpuza e së cilës ishte zgjatur sa masa e cigares së ndezur. Dhe, pasoj një heshtje e ndrydhur mes tyre…
–Mërgim, të kuptoj fare mirë dhe ndaj mendimin me juve sepse, pas një gjakderdhje të tmerrshme që na shkaktoiSerbia, me gjithë atë arsenal armësh lufte ndaj një populli duarthatë, nuk është dashur të humbë dashuria mes popullit, mes familjeve, mes miqve, nuk është dashur të jemi kaq anemik ndaj njëri tjetrit. Jemi popull i vogël dhe historikisht,nder shekuj, na ka mbajtë dashuria mes veti, bujaria, besa, karakteri i fortë njerëzor, morali e atdhetaria që nuk jemi përulur kurrë deri në lirinë e fituar, për të cilën dhamë shumë gjak…foli Bardh Shkreta, mjaft i brengosur për rrethanat e krijuara pa asnjë arsye në mesin e popullit tonë. Dhe shtoi:
–Mërgim Mermeri, kam dëgjuar se disa politikanë tonë po filozofojnë me jetën, janë bërë si ciceronët në tubime, fjalëmëdhenj, duke përdorur fjalë të filozofëve të ndryshëm,kinse jemi “shumë të aftë” me drejtue popullin. Ky lloj njerëzish ushqen tiparet e demagogjisë, Mërgim. Neve nuk na nevojiten shume filozofime, na kemi filozofinë e jetës sonë të traditës që me shekuj na e kanë vlerësuar. Pajtohem fort seshkollimi hap perspektiva të reja drejtë përparimit evropian e jo egoizmit personal e krahinor, i cili le prapa gjurmë të dogmatizmit, primitivizmit që na detyron të vendnumërojmë.
Biseda mes dy miqve vinte duke u ngritur si shkak i vlerave denigruese. Të qenit jashtë vendit në disa shtetet të Evropës e botës, janë krijuar mundësitë e përfitimit të disa “kulturave” evropiane, të cilat, bien ndesh me traditat tona të mirëfillta, andaj nuk janë të rastësishme edhe ngjarjet e ndodhura ne meset tona. Për fatin tonë të keq, na u janë futur në çdo familje kosovare, si “arsye” e kohës . Kur ke parasysh vendin e një burimi, nuk nënkupton se mund ta dish edhe vendin se ku derdhet ai uji, lakimet dhe pasojat e tij. Të gjitha këto burime, zor se e dimë se kah do na përplasin në aspektet e kulturës sonë.Vallë, a do të jemi në gjendje që edhe ne t’u japim të tjerëve diçka nga vetja, apo gjithmonë, vetëm të marrim nga të huajt?!
-Gëzuar Mërgim Mermeri!- Jeta është luftë dhe gjithmonë duhet luftuar të keqen. Ndryshe, nëse nuk veprojmë, e keqja kurrë nuk lejon të hapet dera e së mirës, foli zëshëm Bardh Shkreta.
-Vlerësim të drejtë dhe largpamës, fole mirë Bardh. Guximi dhe trimëria janë gjithmonë pranë njëra tjetrës, miku im. Këmbëngulësia për të luftuar të keqen është faqja e ndritshme e njerëzve me vlera largpamëse. Ta tregoj tani një shembull që dëgjova në Kosovën tonë, sa isha në pushime. E di, nuk të vjen mirë, por, duroje-foli Mërgim Mermeri.
-Sa isha në Kosovë, dy ditë rresht, njoftoi televizioniqendror, se në një banesë në një qytet të Dukagjinit, është gjetur një person i vdekur ,të cilin ende nuk e ka identifikuar policia.Të treten ditë, u identifikua dhe familjarët shpërndanë fjalën mortore, u hap e pamja. I ndjeri kishte dy djem në tokën e Zvicrës, dytë të martuar e me fëmijë, por babin nuk ua kishin pasë dëshiruar bashkëshortet e tyre, ndërsa fëmijët nuk e kishin atë etjen e gjyshit, sepse ata ishin rritur në ato rrethana dashurie me vlera të zbrazëta. I ndjeri i kishte rritur dy djemtë me shume sakrifica jete. Thuaja se ishte plakur,duke punuar si argat fushe e mali për kafshatën e gojës. Viteve të fundit i kishte sjellë djemtë jashtë shtetit, u kishin dalë letrare dhe i kishte martuar me dy nuse të cilat u treguan të pasojshme në vijim jete. Shpejt e shpejtë ndërhyri Bardh Shkreta duke pyetur Mërgimin:
-Po djemtë a i shkuan në varrim, a ia hapen të pamën, a dëgjove?!
-Po, kishin pas hapur edhe të pame për babin, por rrinin kokulur, më thoshin njerëzit. Besa nuk ishin shkuan shumë njerëz në të pame, sikur e kemi traditë. Dukeshin të penduardjemtë e të ndjerit.
– E tmerrshme, ja se çfarë po “fitojmë” në perëndim, i tha Bardhi Mërgimit. Ai pendim është i vonuar, Granit. A të ka ra ta dëgjosh atë këngën popullore “Fryni Era, u çel taraba” e cila përfundon me dy fjalë shumë kuptimplote:
”Bejta Syla shka fitove, faqen e zezë, një parë pishtole!….”
E kur mbillet “faqja e zezë” brenda familjes, nuk të hiqet për njëqind vjet Mërgim. E mira e tana të mirave është që të kthehemi gradualisht në vendin tonë, sa nuk është bërë tepër vonë, përfundoi Bardhi bisedën.
Bardh, iku dita e na të përmallshëm, mbetem pa drekë, pa pushim dite. Nesër, këta zotërinjtë, kërkojnë punë nga ne. Shkojmë miku im. Takohemi prapë. Situatë me shumë probleme në vendin tonë, Bardho. Lutim Zotin të bëhet mirë!Dëgjohemi me telefon për takimin e radhës.
Gjatë rrugës për në banesën e tij, në kokë i kumbonte e gjithë biseda që kishte zhvilluar me Mërgim Mermerin. Fliste me veten duke thënë :
” Zot mos më provo me gjëra të rënda”, si ato që dëgjova nga Mërgimi.
Në këtë diversitet mendimesh, akoma ka shumë gjëra për t’i sqaruar brenda vetes dhe familjes. Jeta është mësonjëtorja më e mirë me kusht q t’i mbash sytë të hapur gjithmonë. Jeta të jep, por edhe jetës duhet dhënë pa kursim…..
Gjakovë, Qershor,2024